Shkodër, 29 nëntor (Foto arkiv)

Ilir Yzeiri: Lufta, të rënët, nazifashistët, partizanët, komunistët dhe shqiptarët

3 Dhjetor, 09:43| Përditesimi: 3 Dhjetor, 09:53

  • Share

Sa herë që vjen nëntori, në narrativën e përkujtimit të festave, përsëriten të njëjtat klishe e stereotipe. Gjithnjë do të ketë një intervistë mbi dyshimin e vrasjes së Qemal Stafës, gjithnjë do të ketë një lajm për të treguar se edhe ballistët apo edhe bashkëpunëtorët e nazifashistëve, ata që u reshtuan me vetëdije me nazifashistët për shkak të projektit të bashkimit të trojeve etnike shqiptare që kishin ata, pra edhe ata kanë luftuar kundër tyre.

Të vetmit që ndjehen të viktimizuar janë ata mijëra djem e vajza që u vranë në Luftën Nacionalçlirimtare sepse iu përgjigjën thirrjes së Frontit Nacionalçlirimtar, vunë një kapele me yll të kuq në kokë, u quajtën partizanë dhe dolën në mal e iu kundërvunë me armë atyre që, nga gjithë bota përparimtare, ishin identifikuar me aksin e së keqes dhe kundër të cilëve luftonin në kolacion SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. Lufta Nacionalçlirimtare u parapri nga një ngjarje tjetër e madhe që bashkoi revolucionarët nga e gjithë bota dhe që ishte rezistenca spanjolle.

Ajo luftë ishte prova e parë e madhe e ndarjes së botës në dy kampe, në njërën palë që identifikohej me frankizmin e pastaj me nazifashizmin dhe, në anën tjetër, mijëra e mijëra të rinj revolucionarë që e kundërshtonin këtë të keqe duke iu kundërvënë me armë dhe duke dhënë jetën. Shqipëria ka pasur përfaqësuesit e saj të dalluar edhe në këtë përballje si Mehmet Shehu, Petro Marko, Skënder Luarasi apo heronjtë si Asim Vokshi. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas shpartallimit të nazifashizmit, Shqipëria, ashtu si më shumë se gjysma e popullsisë së globit, u reshtua në anë e demokracive popullore të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik dhe instaloi diktaturën e egër komuniste.

Mirëpo instalimi i diktaturës komuniste nuk e zhbëri automatikisht edhe luftën, nuk e asgjësoi atë epokë të ndritur. Komunistët, natyrisht, e shfrytëzuan atë periudhë për të ndërtuar kultin e tyre dhe i rrafshuan periudhat e tjera historike duke e paraqitur historinë shqiptare vetëm me një qendër. Glorifikimi i Luftës dhe i rolit të komunistëve në atë luftë e bëri Partinë e Punës një forcë regresive dhe i dha asaj të drejtën që të përdorte dhunën dhe forcën për të asgjësuar kundërshtarët politikë. Por kjo është një periudhë tjetër dhe nuk e errëson heroizimin e atyre mijëra e mijëra djemve e vajzave që u vranë në luftë kundër nazifashistëve.

Kjo, gjithashtu, nuk e ndryshon përmbajtjen e veprës së atyre që u reshtuan në krah të nazifashistëve sepse besonin që me anë të tyre do të realizonin projektin e Shqipërisë etnike  dhe do t’i kundërviheshin komunizmit. Nëse do të ktheheshim në ditët e sotme do të vërejmë se nuk ka asnjë vend në botë që të ketë forca apo lëvizje politike që të shpallin hapur se janë fashistë apo nazistë. Natyrisht, ideologjitë e tyre, të mbështetura në nacionalizmin ekstrem, gjenden edhe në ato forca politike të djathta që vijnë tradicionalisht nga këto trashëgimi.

Por nuk ka asnjë vend perëndimor që të ketë forca politike që identifikohen me këta emra. Ndërkaq Kina edhe sot e kësaj dite e shpall veten se është një shtet komunist, ashtu sikundër Rusia që nuk është distancuar krejtësisht nga ajo ideologji për të mos përmendur Kubën dhe për të mos arritur deri te karikatura e përgjakshme e sistemit komunist në Korenë e Veriut. Kjo do të thotë se çdo përpjekje për të pajtuar këto dy ideologji nuk mund të ketë rezultat sepse ato janë dy mënyra të vështrimit të botës dhe dy anë që i kanë ndarë shoqëritë prej kohësh. Në Italinë fqinje, fjala vjen, përmendet shpesh si një afëri me traditën e partisë së Musolinit mungesa e distancimit apo e qëndrimit të hapur kundër fashizmit nga ana e ndonjë përfaqësuesi të lartë të së djathtës italjane. Por, atje, askush nuk ka drojë të identifikohet me partizanët italjanë.

Ndërkohë që këtu te ne respekti dhe vlerësimi për partizantë shqiptarë dhe për të rënët në luftë ka filluar të shihet si një nderim i tepruar dhe si një veneracion e ngarkuar me komplekse faji. Luftërat në Europë nuk kanë pushuar. Ajo që po ndodh në Ukrainë me pushtimin rus ka nxjerrë përsëri në reliev ato qëndrime që ishin vënë re edhe në Luftën e Dytë Botërore, pra bashkëpunëtorë me Rusinë fashiste dhe kundërvënie me armë ndaj atij pushtimi.

Edhe në këtë rast Putini është identifikuar me agresorin fashist sepse ai vret njerëz të pafajshëm dhe hedh në erë qytete në emër të një projekti që, sipas tij, ashtu si projekti i Hitlerit, kërkon të mbrojë identitetin e kombit të tij. Historia përsëritet dhe në të gjitha kohët shoqëria njerëziore nuk ka krijuar dhe nuk mund të krijojë asnjëherë modelin e nderimit për vrasësin dhe të dënimit për viktimën.

Ndaj si në Luftën e Dytë Botërore si sot, fashistët, nazistët dhe agresorët janë vrasës dhe çdo bashkëpunim me ta nuk mund të bëjë pjesë ne vlerësimin historik. Të gjithë ata që i kundërvihen dhe japin jetën kundër këtij agresioni ashtu siç bënë dje partizanët e të gjitha kombësive bashkë me ta edhe partizanët shqiptarë janë në anën e drejtë të historisë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?