Rama dhe ekipi shqiptar në Luksemburg

Ilir Yzeiri: Merita që duhet t’i njohim Edi Ramës

16 Tetor, 11:07| Përditesimi: 16 Tetor, 12:02

  • Share

Më 15 tetor Shqipëria shënoi një moment historik në Procesin e Integrimit Europian. Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e mbledhur në Luksemburg çeli negociatat për grup kapitullin e parë me Shqipërinë që përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik si dhe reforma e administratës publike.

Mbyllet kështu një kapitull tjetër ai i pritjes së gjatë, disa herë të merituar e disa herë jo, që Shqipëria ka qenë e detyruar ta vuajë për shumë arsye. Sot është dita të ndjehemi krenarë dhe të gëzuar, por vetëm kaq, sepse, nëse do të na duhet të analizojmë se përse u vonuam kaq shumë dhe përse nuk arrijmë të ndjekim hapat e sigurt të vendeve që zhvillohen më shpejt e më mirë nga ne, atëherë do të na duhet të reflektojmë thellë dhe të bindemi se shkak i kësaj vonese, në më të shumtën e kohës, kemi qenë vetë ne.

Është e thjeshtë sot të fajësosh historinë dhe të kaluarën tënde, megjithëse, në një farë mënyre, ato përcaktojnë edhe antropologjinë e të menduarit kolektiv, por bëhet e vështirë kur analizojmë sot sjelljen e shoqërisë sonë dhe të politikës shqiptare. Përse duhet t’i njohim Edi Ramës një meritë për këtë që ndodhi më 15 tetor dhe cila është ajo ? Shqipëria, pas rënies së diktaturës, është drejtuar nga dy a më shumë ish-komunistë. Sali Berisha që uzurpoi Lëvizjen e Dhjetorit dhe e solli në gjendjen që është sot Partinë Demokratike, vinte nga kultura dhe shkolla e ngurtë e stalinizmit enverian.

 Fatos Nano ishte një komunist liberal që në ndryshim nga Berisha e modernizoi partinë e trashëguar nga Enver Hoxha. Kryeministrat e tjerë si Vilson Ahmeti apo Bashkim Fino nuk luajtën ndonjë rol të ndjeshëm në këtë periudhë. Edi Rama është i vetmi kryeministër i tranzicionit që po qeveris në tre mandate dhe nuk ka qenë asnjë ditë komunist. Formimi i tij kulturor e politik, përkundrazi është ushqyer nga vetëdija liberale europiane, antisllave dhe antikomuniste.

Ndaj nuk është rastësi që reformat e guximshme që ai ka ndërmarrë e drejtuar në këta vjet, i bindën më në fund aleatët tanë të Bashkimit Europian që të çelen negociatat. Protagonizmi i Edi Ramës në tranzicionin shqiptar mund të shihet në shumë drejtime. Në një vend demokratik opinionet për një personalitet politik nuk janë asnjëherë homogjene. Veç kësaj, ne, shqiptarët, vuajmë nga kultura e rrafshimit të vlerave dhe nga mosrespektimi i hierarkive. Ne nuk e kemi ndjenjën e imponimit dhe të sugjestionimit ndaj të huajve.

Ajo që na shenjon më shumë është inferioriteti ndaj të huajve dhe lufta apo kasaphana mes vedi. Ne nuk kemi një ideal apo një topikë të shenjtë. Grekët e kanë ndërtuar hierarkinë e tyre të glorifikimit apo të idealit mbështetur në teorinë ekspansioniste dhe ultranacionaliste të Megaliidhesë dhe në raport me ne kanë një problem fiks- Vorio Epirin. Nuk ka asnjë forcë politike në Greqi që të mos ketë këtë frymëzim. Serbët kanë mitin e Kosovës dhe homogjeniteti i tyre është i mbështjellë rreth këtij miti. Po ne, shqiptarët, çfarë ideali të përbashkët kemi, çfarë miti ? Deri dje, kur ishim të ndarë, thoshim se kemi mit Kosovën dhe bashkimin kombëtar. Tani që jemi të lirë, kryeministri i Kosovës, kundërshtarin më të madh ka kryeministrin e Shqipërisë.

Ndërsa Sali Berisha dhe opozita shqiptare jo vetëm që nuk pyesin fare për idealin kombëtar dhe unitetin e tij në jug, por bëjnë kauzë politike me qarqet më regresive greke dhe zgjedhin si ideal të tyre Fredi Belerin, atë që disa qarqe të kthjellta politike në Greqi, jo vetëm që nuk e përfillin, por e akuzojnë si irredentist dhe terrorist në shërbim të qarqeve më të errëta nacionaliste greke. Vetëm po të shohësh gjithë këtë maskaradë shqiptare, e kupton se ardhja e Edi Ramës në krye të vendit në këtë periudhë delikate ka qenë një fat. Që në fillim ai ka qenë i qartë në dy anë që përcaktojnë fizionominë e shtetarit dinjitoz shqiptar. Në mes të Beogradit deklaroi që Kosova është e pavarur dhe në mes të Athinës ka ngritur problemin çam.

Asnjëherë më parë Shqipëria, ndoshta me përjashtim të kohës kur diplomacinë e bënin Noli, Konica e të tjerë rilindës e postrilindës, nuk ka pasur një shtetar të tillë që të jetë një bashkëbisedues i barabartë e mik me të gjithë aleatët tanë të shenjtë europianë e sidomos amerikanë. Kurre më parë Shqipëria nuk ka pasur këtë vlerësim që ka sot dhe këtë imazh që ka sot.

Një shtetar i qartë, i kthjellët dhe europian, Edi Rama ka ditur që të ruajë të gjitha ekuilibrat e një Europe të shkatërruar nga krizat. Vetëm ai mund të jetë i natyrshëm kur përuron një xhami me arkitekturë otomane (dhuratë nga Berisha se projekti i Ramës ishte ndryshe) dhe të bisedojë në mënyrë vëllazërore me Erdoganin, ta zbusë klimën e tensionit që ai përpiqet të ndezë me luftën me gylenistët e të fluturojë pastaj në Hungari e të marrë mbështetjen e një lideri tjetër kontravers si Orban. Dhe në saj të tij, fati i Shqipërisë u nda nga ai i Maqedonisë së Veriut.

Transformimi që ka pësuar Shqipëria dhe bumi në turizëm janë meritë e një qeversje me ide dhe me pasion. Por vetëm kaq se problemet e një vendi në tranzicion, me një mentalitet që ka si ideal fitimin me çdo kusht, kulturën e pakët demokratike, me një opozitë shkatërrimtare dhe me një personazh regresiv si Berisha, këto probleme nuk janë të lehta. Shqipëria është bërë një faktor paqeje në Ballkan dhe qoftë brenda vendit qoftë edhe në rajon ajo nuk prodhon politika konfliktuale. Mendoni sikur në vend të Edi Ramës të kishim pasur një alter ego të Sali Berishës ? Vendi do të ishte zhytur në kaos e në luftë civile.

Sa 21 janarë mund të kishte prodhuar sivëllai i Berishës po të kishte qenë në vend të Ramës ? Sa Gërdecë do kishim provuar në kurriz ? Dhe në fund nëse e sheh veprimin politik të opozitave në Shqipëri, vëren me trishtim se aleancat e tyre për të ardhur në pushtet kanë qenë me armiqtë më të egër të Shqipërisë. Nëse do të harrojmë për një çast afëritë me Italinë, Gjermaninë apo Anglinë në periudhën e Pavarësisë, nuk duhet të harrojmë se edhe Zogu që është një shtetar që duhet vlerësuar, për të riardhur në pushtet kërkoi ndihmë te Beogradi e të rusët e bardhë.

Në periudhën e diktaturës plitika diversioniste bëhej nga ambasadat e Jugosllavisë e të Moskës. Tani në tranzicion Sali Berisha aleancën më të madhe e ka pasur me Milosheviçin kur i shiste naftë dhe tani me qarqet më të egra ta nacionalizmit grek. Ndaj sot është vërtet një ditë e gëzuar, por më shumë duhet të jetë një ditë reflektimi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Veni Vidi Vici: 16/10/2024 21:26

    Standing ovation!.. Applause!

    Përgjigju
  • Turi: 16/10/2024 19:40

    Të lumtë z.Rama. Nerëz të ndershëm ke pas vehtes në foto, duke filluar nga z.Lamanllari. Ju falenderojmë Pas ke dhe popullin.

    Përgjigju
  • Qytetari: 16/10/2024 12:41

    Faleminderit shume Edi per punen e palodhur dhe veshtiresite qe ke hequr per te arritur ne kete pike e ke merituar te lartesohesh sepse e ke bere me shpirt dhe vullnet te plote

    Përgjigju
  • Arku: 16/10/2024 11:53

    Bravo????????????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?