RTSH

Opinion

Ilir Yzeiri: Një vend jashtë kohës dhe hapësirës europiane

3 Shkurt, 13:39| Përditesimi: 3 Shkurt, 13:41

  • Share

Në barin pranë RTSH-së ku futem zakonisht, dje, nuk kishte asnjë njeri sepse ishte e diel dhe kamarieri që shërben aty, një djalë i ri nga një fshat i jugut, kishte hapur metodat e gjermanishtes dhe po studionte gjuhën e « bekuar ». Edhe ti, i thashë ? Po, çfarë të bëj këtu, më tha. 

Kam mbaruar një fakultet, edhe një specializim po nuk gjej hapësirë. I thashë se edhe atje do kesh vështirësi, do të duhet ta fillosh nga fillimi, i thashë, madje, se në administratën publike janë rreth 5000 vende të lira pune, mund të aplikosh atje. O, profesor, më tha, mos më lodh se e kam provuar. Kur ti aplikon vendi është i zënë.

Nuk dija çfarë të thosha më. U ula dhe nisa të mendoj se si ka mundësi që ky vend nuk po krijon dot empati, dëshirë dhe optimizëm për të rinjtë, si ka mundësi që këtë brez, pra ai që quhet Gen Z (gjenerata Z) thuajse e kemi harruar dhe ata vetë ndjehen gati të përjashtuar nga shoqëria, e ndiejnë veten të tepërt. Rreth e rrotull nesh jo se është më mirë, por atje diçka zien. Studentët e Beogradit po e shkundin nga themelet apatinë e regjimit të Vuçiçit dhe kërkojnë të ndahen me të shkuarën e tyre sepse, siç vinte në dukje një analist serb disa ditë më parë, ai regjim është ngritur mbi kultin e mashtrimit dhe e ka shpallur krimin dhe luftën kundër tjetrit si kuptim të jetës dhe, në emër të këtij nacionalizmi fals e agresiv, ka ndërtuar një pushtet kriminal e të korruptuar që shenjohet në tri emra Vuçiç, Ivica Daçiç dhe Vulin. 

Në Maqedoninë e Veriut forcat nacionaliste që kanë ardhur në pushtet i janë ritkthyer kërkimit të identitetit shovinist maqedonas dhe po ndërmarrin hapa për ta zhbërë paqen e arritur dhe për ta larguar faktorin shqiptar nga shtetndërtimi. Mali i Zi, prej kohësh, ka rënë nën ndikimin serb e rus. Greqia e Micotaqisit na sfidoi duke e transformuar Fredi Belerin nga një kriminel ordienr që vjedh vota, në deputet europian dhe në mentor të opozitës së kriminalizuar shqiptare. 

Nuk po përmend krizat që kanë përfshirë edhe vende të zhvilluara, por mjaft të shohësh atë që po ndodh me presidentin Trump dhe ti do të bindesh se koha që jetojmë është e pasigurtë dhe se vende të vogla si ne dhe pa asnjë identitet të shfaqur qartë, mund të përfshihen nesër nga kriza të paparashikueshme. Është e trishtueshme kur vëren se fushata elektorale që ka nisur nuk të ngjall shpresë sepse është përsëritje e mërzitshme e një spekakli që e kemi parë disa herë. Edi Rama dhe PS thuajse e kanë të sigurtë fitoren. 

Ato luajnë në një fushë pa kundërshtar. Ndërkaq, vendi është pa opozitë. Pa opozitë do të thotë të jesh pa shpresë. Qeverisja vetëm me një parti dhe pa asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje jo vetëm që e ka tharë shpirtin e këtij vendi, por ka prodhuar vetminë dhe ka vrarë optimizmin. Të gjitha zgjidhjet në këtë vend burojnë tani vetëm nga vullneti i një force politike dhe jo nga konkurenca. PS-ja nuk e ndërton politikën e saj duke u mbështetur mbi idetë, por thjesht duke u mbështetur mbi vullnetin që buron nga triumfi dhe nga logjika e fitimtarit. 

Në politikën e jashtme ne kemi zgjedhur modelin e djalit të urtë e të sjellshëm dhe përunjësinë ndaj fqinjve grekë e sllavë. Dialogun me ta e kemi kuptuar si një lloj nënshtrimi të butë ndaj politikave të tyre të vjetra. Vetëm shqiptarët e kanë të ndaluar të flasin për padrejtësitë tragjike që u kanë bërë fqinjët. Ndërsa fqinjët tanë, tradicionalisht ekspansionistë ndaj nesh, e quajnë të drejtë të na tregojnë se vorioepiri është i shenjtë apo se Shqipëria e Madhe rrezikon Serbinë. Ndërsa për europianët e amerikanët ne shfaqemi si një fshat i bukur dhe i lusim ditë e natë që të vijnë e të investojnë këtu duke u dhënë pjesë të këtij vendi pa asnjë doganë, mjaft që ata të bëjnë vila e resorte dhe të na këshillojnë se si duhet të rrimë urtë e të nadalojmë eskortin e kriminelëve që merren me drogë dhe të emigrantëve.

Dhe këtë e quajmë zhvillim. Si ka mundësi që asnjë kompani e madhe e prodhimeve HI Tech nuk investon në Shqipëri. Si ka mundësi që i vetmi investim që bëhet këtu është zaptimi i vendeve përrallore që ka ky vend nga pasunarët shqiptarë dhe të huaj për të bërë fshatra turistike. Cili do të jetë modeli i zhvillimit të këtij vendi? 

E keqja është edhe më e thellë. Nëse neve na mungon një plan i mirëfilltë zhvillimi që të përfshijë në këtë territor edhe shqiptarët që mund të duan të kthehen nesër, kjo vjen për shkak se ne nuk kemi institucione të mendimit që të imponojnë qeverinë me idetë e tyre. E kam shkruar dhe po e përsërit. Shqipëria nuk do dhe nuk është e aftë të thithë dijen dhe shkencën në mënyrë që pas kësaj të shtojë kapacitetet e prodhimit teknologjik.

Prof. Arben Merkoçi, një nga shkencëtarët me famë botërore, drejtor i një departamenti të rëndësishëm të Nanoteknologjisë në Institutin Ndërkombëtar të Katalonjës në Barcelonë, përgjegjës i institutit të nano-shkencës në Shqipëri, ka ofruar ndihmën, ekpertizën dhe gjithë përvojnë e tij që të ndërtohet në Shqipëri një Institut Ndërkombëtar Ballkanik i Nano-Teknologjisë, në të cilin do të vinin të punonin shkencëtarë nga e gjithë bota dhe më pas mund të niste edhe prodhimi i sensorëve e gjithë zinxhirt që përfshin nanoteknologjia. 

U gjet një godinë në Kamëz dhe iu dha nga qeveria këtij projekti. Por kanë kaluar katër vjet dhe ajo godinë është bosh sepse askush nuk merret më me atë projekt, as qeveria as Akadenmia e Shkencave. Si Prof. Merkoçi ka edhe shumë të tjerë që duan të sjellin këtu Laboratore të mëdha e Institucione të mëdha të kërkimit, por nuk arrijnë dot, sepse modeli ynë i zhvillimit nuk e përfshin këtë hapësirë dhe Akademia e Shkencave nga shpresë që ishte në fillim u kthye në një vatër kulture që bën dreka e darka përvjetoresh. Ndaj, ai miku im kamarier, në barin pranë RTSH-së, një ditë do të ikë në Gjermani dhe ne do vazhdojmë të lexojmë se në administratën publike mungojnë gjithnjë 5000 specialistë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 03/02/2025 18:14

    Kur historia përsëritet çmimi rritet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?