Të gjithë ata që mësojnë gazetari, kur largohen nga ai fakultet, ndoshta nuk mbajnë mend shumë, por një gjë iu mbetet e ngulitur në kokë- që raportimi mediatik mbështetet në pesë W-të e famshme që janë WHO(kush), WHAT (çfarë), WHEN (kur), WHER (ku) dhe WHY (pse). Ndërsa një model komunikimi që mbështetet po ashtu mbi 5 W-të është ai i Lasuellit i cili synon që të tregojë se çfarë përfshihet në sistemin e komunikmit të përgjithshëm dhe në këtë rast 5 W-të janë WHO ( kush në kuptimin e autorit të instancës mediatike), WHAT ( çfarë në kuptimin e përmbajtjes së komunikimit) In WHAT chanel ( në ç’formë komunikimi), (WHOM) kujt, pra publiku në këtë rast dhe (WITH WHAT efect) ndikimi në publik.
M’u kujtuan të gjitha këto kur lexoja këto ditë ngjarjen në një shtëpi të moshuarish e cila, nga të gjitha mediet, raportohej se ndodhej diku afër « Ali Demit ». NJË GËNJESHTËR. Ajo shtëpi të moshuarish, ndodhet ngjitur me pallatin tim në rrugën « Ali Visha », poshtë Qytetit « Studenti » dhe pranë një tjetër shtëpie të moshuarish që ndodhet pak metra më lart asaj. Ajo është një vilë e bukur që dikur njihej si « Kinderhausse » pasi aty kishte një kopsht fëmijësh i ngritur nga një fondacion gjerman dhe shtëpia tjetër e të moshuarve deri vonë thirrej si shtëpia « Joshua » mbasi në fillim u ndërtua nga ndihma e një fonacioni hebre.
Po përse të gjitha mediet pa përjashtim e vendosën këtë shtëpi të moshuarish diku afër « Ali Demit »? Është e vështirë të thuash, por nga ky detaj i vogël kupton amenzinë totale, papërgjegjshmërinë dhe mungesën e korrektesës në raportimin mediatik. Ky defekt i vogël nxjerr në pah edhe një sëmundje të përgjithshme që ka rrëfimi ynë publik. Në përgjithësi, jo vetëm gazetarët, por sidomos ata që marrin fjalën në publik dhe politikanët sidomos, e kanë bërë ligj që të flasin pa referencë, të mos tregojnë asnjëherë atë që ndodh, por të tregojnë botën e tyre paralele ose atë që kanë ata në kokë.
Kjo sëmundje e përgjithshme që ka krijuar narrativën e gënjeshtërt që e tregon Shqipërinë apo shqiptarët ashtu siç i shohin sytë e çartur të politikanëve (sidomos ata të opozitës), ka infektuar ligjërimin e përgjithshëm dhe ka hequr përgjegjësinë. Në Shqipëri, nuk tregohet ajo që ndodh, por tregohet përjetimi i njerëzve politikë mbi atë që ka ndodhur. Nytarisht përjetimi ose efekti është njëra anë e komunikimit. Kryesorja është të mësojmë çfarë ka ndodhur.
Tani merreni me mend, kur, për një ngjarje kaq banale, për një vend që ndodhet pranë shkollës « Osman Myderrizi », poshtë godinave të Qytetit Studenti, në rrugën më të vjetër në Tiranë dhe vetëm 10 minuta larg Liceut Artistik, mediat thonë se vendi është afër « Ali Demit », atëherë mendoni se si do të jetë raportimi në vijim. Mungesa e vëmendjes, defektet e shkollës që na i kujton çdo vit rezultati i Pizës, një shoqëri e ndërtuar nga mëngjesi në darkë me fjalimet e të çmendurve para Bashkisë së Tiranës, nuk është çudi që të infektojë edhe gazetarët që raportojnë në këtë vapë të tmerrshme gushti.
Edhe ata mendojnë me shabllone e klishe. Dihet që në Tiranë është një azil pleqsh në lagjen « Ali Demi » dhe kaq mjafton. Nëse do të ishim një vend normal, ky rast do të na shërbente që të shihnim më mirë një nga problemet më të mprehta që ka nisur të ketë shqoëria jonë dhe që është mosha e tretë. Shtëpitë e të moshuarve që po ngrihen e do të ngrihen më së shumti në të ardhmen duhen monitoruar me kujdes dhe edhe duhen ndihmuar sepse Shqipëria, ashtu si vendet e tjera europiane ka një popullsi gjithnjë në rritje të asaj që quhet moshë e tretë, të cilët në shumicën e rasteve janë të vetëm, për shkak të emigracionit, janë me sëmundje që kanë nevojë poër trajtime speciale.
Kjo kategori dhe sidomos ata që kryejnë krime penale për shkak të sëmundjeve mendore, janë po ashtu një sfidë për ne të gjithë. Mirëpo, si mund të flasim për ta kur edhe në një rast tragjik si ky i këtyre ditëve, media nuk e di se ku ndodhet ai vend dhe e spektakolarizon rastin me historitë e agresorit dhe jo me tragjedinë e këtij problemi.