Sali Berisha, disa ditë më parë, ka dorëzuar një kërkesë në sekretarinë e mbledhjeve të partive popullore në Bruksel dhe kërkon prej tyre që Shqipëria të shpallet narkoshtet. Ndaj këtij qëndrimi ka pasur mjaft reagime dhe ato, në shumicën e rasteve, i kanë kërkuar që të ndajë fatin politik të Partisë së tij nga fati dhe imazhi i Shqipërisë.
Gjeneral Sandër Lleshaj, në një shkrim të tijin, thotë se «për shumëkënd është e qartë që trafikimi i drogës është një veprimtari kriminale që mbahet gjallë nga kërkesa e lartë për këtë lëndë narkotike, nga korrupsioni i atyre që paguhen për të luftuar trafikun dhe nga energjia e fortë kriminale e atyre që kërkojnë të pasurohen prej tij.
Trafikantët shqiptarë, vijon ai, janë përfshirë në ethet e drogës shumë vonë, ndërkohë që të tjerë janë ata që e kanë ngritur dhe perfeksionuar prej shumë dekadash rrjetin kriminal të trafikimit të saj. Të përfshirë vonë në trafik, por me etje të papërmbajtur e në padituri të madhe për labirintet e tij, trafikantët shqiptarët kanë arritur të krijojnë një imazh që është shumë herë më i keq sesa roli i tyre i vërtetë në trafikun ndërkombëtar të drogës»,- vijon zoti Lleshaj.
Sasia më e madhe e kokainës në Europë vijon të trafikohet në portet më të mëdha të konteinerve në BE që ndodhen në Belgjikë (Antwerp), Holandë (Rotterdam) dhe Spanjë (Valencia dhe Algeciras)“ shkruhet në Raportin "Europa dhe Tregu Global i Kokainës“ të hartuar nga Agjencia e BE për Drogat.
Por edhe sikur trafikantët shqiptarë të kryesonin tregtinë botërore të drogës (gjë që nuk është aspak e vërtetë), ata nuk mund të njësohen kurrësesi me Shqipërinë, e cila është atdheu i miliona shqiptarëve që nderojnë vetën dhe botën me punën dhe kontributin e tyre të ndershëm, vijon Lleshaj. Mendoni se si do të reagonin ato vende sikur drejtuesit e partive opozitare të Belgjikës, Holandës, Spanjës apo të një vendi tjetër europian të njollosnin vendin e tyre sipas modelit të S. Berishës, përfundon shkrimin e tij Sandër Lleshaj.
Kjo ngjarje më kujtoi një histori tjetër, por në sens të kundërt. Jemi në vitin 1920 dhe një delegacion shqiptar do të duhet të niset në Gjeneve në Lidhjen e Kombeve për t’i kërkuar këtij organizmi të lartë që vendi ynë i drobitur të pranohet aty. Situata në Shqipëri është kaotike. Sapo ka përfunduar Kongresi i Lushnjes dhe qeveria e dalë prej tij po vendoset në Tiranë. Durrësi është nën zotërimin e Esad Toptanit. Noli ka ardhur prej Amerikës, por Sotir Peci, ministër i Brendshëm në detyrë, dikur aleat e mik i tij, tani kundërshtar i egër nuk e lejon të futet në portin e Durrësit. Caktohet delegacioni dhe Noli emërohet kryetar i tij.
Niset në Gjenevë një delegacion i përbërë nga një prift katolik, përfaqësues myslimanë, laikë dhe ortodoksë. Ka mbetur në memorien historike fjala e shkëlqyer e Nolit atje. Pasi ngriti lart vlerat e kombit shqiptar, ai i mahniti të gjithë kur tha se ju, të nderuar zotërinj, na keni paragjykuar dhe keni menduar gjithnjë se si mund ta pranojmë një shtet të prapambetur dhe mysliman në zemër të Europës. Por më shihni mua. Ky shtet ka caktuar në krye të delegacionit një prift ortodoks, bashkë me mua është dhe një katolik e një mysliman. Ndaj për këtë ju duhet të bindeni se ne jemi një komb i vjetër dhe përfaqësojmë vlerat e mëdha të humanizmit.
Fjala e Nolit, sidomos, i bindi ata dhe Shqipëria është nga vendet e para të Ballkanit që u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve. Duke dëgjuar sot Sali Berishën që shfrytëzon tryezat e Europës për të denigruar Shqipërinë duke transferuar në organizma europiane problemet politike brenda vendit dhe duke kujtuar Nolin e madh që i injorionte grindjet dhe konfliktet e brendshme dhe përpara botës paraqiste imazhin e vërtet të shqiptarëve, për fat të keq, bindemi se paskemi shkuar shumë larg e shumë keq.
Komente
