Zgjedhjet e këtij viti nuk ishin një garë elektorale klasike që bëhet midis forcave politike për të qeverisur vendin. Sistemi demokratik i pushtetit të deleguar është futur në krizë në të gjithë Perëndimin, në Amerikë, më shumë se kudo. Ka disa tipologji dështimesh nëse mund t’i quanim kështu.
Vendet ku demokracia dhe sistemi elektoral i pushtetit të deleguar janë në funksion prej qindra vjetësh, tani kanë nxjerrë në reliev forcat populiste, ektremiste dhe ato që po përpiqen të dekonstruktojnë arritjet demokratike dhe institucionet e ndërtuara sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Pjesëmarrja e ulët, ndarja e thellë me grupeve të interesit, ringjallja e fantazmave të ekstremistëve që vijnë nga trashëgimia më e errët e historisë europiane, e ka bërë demokracinë dhe Perëndimin një iluzion të trishtuar, në mos të vrarë.
Në anën tjetër, vende si Rusia e Kina po tregojnë gjithnjë e më shumë se regjimet totalitare, kur arrijnë të miksohen me reformat e tregut të lirë dhe të hapur, bëhen kërcënim për demokracinë dhe mund të prishin rregullat e lojës së tregut të lirë. Vendet që dolën nga regjimet totalitare vuajnë pothuajsë të gjitha nga e njëjta sindromë- korrupsioni endemik, polarizimi i shpejtë dhe i thellë dhe mungesa e reformave që do të çonin në mirëqënien e dëshiruar. Ndërsa, vende si Shqipëria ilustrojnë më së miri të gjitha konfliket dhe problematikat që ka sjellë tranzicioni i zgjatur.
Në Shqipëri mund të dallosh disa karakteristika nga këto zgjedhje. Ashtu siç vuri re edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR-it, populli votoi i qetë, por kandidatët dhe aktorët politikë ushtruan dhunë. Ne, ndoshta mund të jemi i vetmi vend në Europë që i organizojmë zgjedhjet vetëm mbi një parim – DYSHIMIN- dhe – MOSBESIMIN. Megjithë modernizimin që i kemi bërë procesit, duke filluar nga identifikimi elektronik, pra, ti shkon në qendrën e votimit, skanohet ID-ja jote, printohet fotoja jote pasi vendos gishtin, dhe më pas voton. Një sistemi i tillë sigurie është unik në botë. Por ky nuk është modernizim.
Ky është shpenzim marramendës nga taksat tona për shkak se parimi mbi të cilin ngrihet procesi i votimit te ne është DYSHIMI DHE FRIKA. Pra forcat politike shqiptare nuk janë përfaqësueset e interesave të popullit, por janë përfaqësuese të detashmenteve ushtarake politike me emra partish të cilat futen në një garë për të luftuar me njëri-tjetrin dhe dhe për ta mundur e shkatërruar kundërshtarin. Të gjitha palët kanë frikën dhe dyshimin se këtë proces njëra palë mund të deformojë, pra mund të vjedhë vota. Në çdo vend normal dita e votimit është një ditë rutinë dhe zgjedhësit votojnë me një kartë elektorale sepse aty nuk ekziston dyshimi, frika e mosbesimi. Që këtu nis e strukturohet më pas marrja e pushtetit dhe adminstrata e militantëve.
I gjithë personeli që administron këtë proces, nga qendra e votimit, vëzhguesit, numuruesit e plot e plot të tjera thërriten aty që të jenë vigjilentë dhe luftëtarë dhe nesër ata do të jenë edhe administratorët e ardhshëm të pushtettit ose militantët heroikë që do të vuajnë humbjen. I ndërtuar në këtë mënyrë, sistemi elektoral në Shqipëri nuk përfaqëson popullin shqiptar, por vetëm militantët. Për këtë arsye numri i zgjedhësve ishte i ulët. Megjithëse këtë vit në Shqipëri votoi edhe diaspora, përqindja e votuesve ishte më e ulët se në zgjedhjet e kaluara. Kur të vijë dita që procesi zgjedhor të organizohet e të realizohet nga adminstrata civile dhe nga institucionet publike, atëherë ne mund të shpresojmë se po bëhemi europianë dhe po shkëputemi nga gjendja politike primitive e barbare ku ndodhemi.
Një anë tjetër e asaj që shfaq demokracia shqiptare dhe që u vu re në këto zgjedhje është edhe roli i personazheve historike në këtë vend. Sali Berisha, fatkeqësia historike e këtij vendi, u bë protagonisti absolut i pushtetit të humbjes edhe këtë radhë. Por faji nuk është i tij. Për çudi, pushtetin për të humbur e për të mbajtur peng demokracinë shqiptare, Sali Berishës ia ka garantuar qeverisja socialiste.
Nëse sot procesi zgjedhor i këtij viti pati dhunë, retorikë lufte dhe tani pas zgjedhjev do të fillojmë të dëgjojmë përsëri e përsëri narrativën e shpëlarë të prokurorit shëtitës, Sali Berisha, kjo vjen nga që reforma e drejtësisë që u nis e u finalizua nga vullneti absolut i Edi Ramës dhe PS-së, ky sistem, pra, u kthye në një shpatë- siç e përmendi gjatë fushatës Edi Rama,- pra një shpatë në duart e Altin Dumanit që të ruante Sali Berishën nga ata që duhet ta çonin para drejtësisë për gjithë ato krime që ende nuk hetohen. Jo vetëm kaq, por reforma në drejtësi bëri të paprekshëm edhe gjingjonrat e të tjerë prokurorë që u reshtuan me Berishën dhe nuk iu hyri asnjë ferrë në këmbë për të gjitha ato që kanë bërë në kurriz të drejtësisë.
Ky sistem prodhoi një prokuror si Olsi Dado, i rekrutuar aty në shkelje të ligjit, i cili vetëm tre muaj para zgjedhjeve, me një letër anonime, rrëmbeu nga zyra Erion Veliajn dhe e mban të izoluar pa asnjë akuzë. Nëse Shqipëria vuan nga dhuna verbale dhe nga një opozitë e marrë peng prej një njeriu që i ka shkatuar dëme të pallogaritshme këtij vendi dhe i akuzuar për krime dhe me dosje të hapura si Sali Berisha, kjo ka ardhur sepse Edi rama dhe PS-ja, me reformën e dështuar në drejtësi, i dhanë një strukturë të posaçme këtij vendi që të mbrojë Sali Berishën dhe bandën e tij të porkurorëve nga drejtësia dhe të nisë gjuetinë e shtrigave mbi njerëz të pafajshëm.
Ndaj bilanci është skandaloz. Renditemi ndër vendet e para për mbajtjen tej afateve të paraburgimit, për arrestimet dhe për vonesat pa fund. Reforma ka sjellë kolapsin e sistemit dhe mungesa e jashtëzakonshme e gjyqtarëve dhe prokurorevë ka bërë që mijëra dosje të bëhe kapicë dhe në ekran të shëtisë vetëm Altin Dumani dhe Olsi Dado që furnizon me lajme të rreme mediat për të na treguar të gjithëve se sado zgjedhje që të bëhen në këtë vend dhe sado që të fitojë Edi Rama, pushtein real e ka Berisha dhe prokurorët që rrinë me shpatë në dorë për të goditur të pambrojturit dhë për të ruajtur kupolën që i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme këtij vendi.
Në Gjermani Partia e ekstremit të djathtë, që u rendit e dyta, tani është vënë nën hetim nga të gjitha agjencitë ligjzbatuese gjermane për të hetuar se mos tendencat ekstremiste mund të kapërcejnë ligjin. Te ne, arkitekti i dhunës, mbrohet nga shpata e drejtësisë që Edi Rama i ka dhënë në dorë Altin Dumanit. Vetëm kur shpata e Altinit të bëhet peshore nga të tjerë prokurorë, ky vend do të gjejë qetësi.
Në anën tjetër është Edi Rama figura që ka zotëruar skenën politike në gjithë këta vjet. Mendimin tim për dështimin në ndërtimin e reformës në drejtësi e thashë më sipër, ndërsa sa i takon zhvillimit ekonomik, rilindjes së Shqipërisë dhe transformimit të jashtëm të saj merita e tij është padiskutueshme.
Këtë gjë e tregoi mbështetja e diaporës të cilët shohin te Edi Rama njeriun që iu përmirësoi imazhin në botë dhe që e bëri emrin e Shqipërisë të ketë një tingëllim tjetër. Kjo e gjitha nuk mjafton përsa kohë që pushteti i humbjes është ende i fuqishëm dhe dikton shumë anë të jetës sonë
Komente
