Parashqevi Simaku

Opinion

Ilir Yzeiri: Topikat e trishta të hapësirës publike

20 Dhjetor, 13:28| Përditesimi: 20 Dhjetor, 13:36

  • Share

Hapësira publike e çdo vendi përcaktohet nga disa tema të mëdha që bëhen objekt debati apo diskutimi në media, kryesisht, dhe në platformat sociale, po ashtu. 

Nëse do të matësh temperaturën politike apo nëse do të shohësh orientimin ideologjik, atë social, madje deri edhe frustrimet psikologjike të një komuniteti, ti mund t’i marrësh vesh pikërisht këtu. Madje, mund edhe të bësh një lloj klasifikimi të këtyre temave për të parë se si projektohet një vend dhe si një tjetër, se çfarë vendi marrin në raport me publikun këto tema në njërin vend apo tjetrin, se çfarë roli i japin vetes në komunikim një palë dhe çfarë një tjetër. 

Të gjithë e dimë që për shkak të rolit që kanë në arenën botërore dhe për shkak të peshës politike të tyre, hapësira publike e mediave amerikane, fjala vjen, funksionon si një qendër që e projekton veten si kryeqytet i botës. Për ta, çdo gjë me peshë që ndodh në botë bëhet lajm i parë. Rëndësia e ngjarjeve ndërkombëtare, në një farë mënyre, duket sikur varet edhe nga renditja e informacioneve në mediat amerikane. 

Më tej, edhe në vende të tjera perëndimore hapësira publike përcaktohet nga pesha që kanë ato vende në zgjidhjen apo në mbarëvajtjen e ngjarjeve që prodhon bota. Vende të vogla si ne, në përgjithësi, mbyten me ujin e turbullt të ngjarjeve lokale dhe, në disa raste, e kthejnë hapësirën ku ndodhen në një qendër nga ku japin mendime dhe zgjidhje për të gjitha enigmat e planetit. Në të shumtën e rasteve, këto hapësira funksionojnë si një media që duket se vihet në lëvizje nga një autor i vetëm. 

Të ngjan se dikush jep një temë të caktuar apo hedh një ide për diskutim dhe të gjithë pastaj ftohen në debat. Hierarika e pjesëmarrjes dhe e pjesëmarrësve është prishur prej kohësh dhe tani ai që fiton nuk është as profesionist dhe as eksperti i fushës, por, më shumë janë militantët e të gjitha dijeve, gjithollogët dhe sidomos ata që afishohen edhe si antiestablishment duke përsëritur klishetë e njohura. Mjafton një ngjarje që të shpërfaqet pastaj gjithë struktura e të menduarit, të të ndjerit, të projektimit dhe të pjesëmarrjes së atij komuniteti. Kështu ndodhi këto ditë edhe me Parashqevi Simakun. 

Eksitimi publik për t’u përfshirë në diskutimin për fatin e këngëtares së njohur, veç të tjerash, tregoi se shqiptarët, më së shumti, e ndiejnë veten si spektatorë të një "Big Brother"-i të vazhdueshëm. Në këtë rast, Parashqevia, me fatin e saj, u shndërrua në një lojë mediatike dhe aty të gjithë filluan të projektojnë idetë e tyre, emocionet, fatin e dikurshëm. Në fillim përdëllimi apo keqardhja për fatin e artistes u shfaq si dhimbje, pastaj edhe si protestë. Ashtu si në një "Big Brother" gjigand, në skenë futeshin, herë pas here, edhe personazhe të tjerë dhe kulmi arriti kur heroina nga nënë me një fat të dhimbshëm u transformua në personazh kulturor dhe ideologjik. 

Aty shqiptarët gjetën veten dhe në hapësirën tonë u shfaq klisheja dhe stereotipia që karakterizon më së shumti debatin apo diskursin në këta vjet dhe që përcakton edhe narrativën e kësaj kohe : komunistët dhe demokratët. Te Parashqevia u paraqitën të gjitha cenet ideologjike të sistemit komuniste nga antikomunistët me universitet të regjimit të Enver Hoxhës dhe fati i saj njerëzor u harrua shumë shpejt. 

Kaq mjaftoi dhe hapësira publike u përmbyt me diskursin "pro" e "kundër". Shqiptarët nuk kanë interes të dinë më shumë. Ju mjafton një telenovelë që nis me një ngjarje sentimentale e pastaj historinë de subjektin e ndërtojnë vetë. Për ta nuk ka rëndësi, fjala vjen, se çfarë është buxheti i shtetit dhe si ndërtohet ai. Si përdoren paratë publike dhe si mblidhen të ardhurat e tyre. Në asnjë vitrinë publike nga ato që shfaqen çdo natë para syve të shqiptarëve nuk ka debat për buxhetin, për mënyrën se si vijnë dhe si ikin të ardhurat tona. 

Shqiptarëve nuk iu intereson ekonomia e vendit të tyre, por jepen me mish e me shpirt pas luftës me fjalë. Para disa kohësh edhe Zhak Attali në një koment të tijin thoshte se edhe hapësira publike franceze e sidomos debati politik në parlamentin frëng po përmbytet nga zhurma, sharjet, fyerjet dhe nga mungesa e debatit të vërtetë. Ai mendonte se rënia e nivelit të debatit parlamentar në Francë vjen për arsye të ndryshme. 

Ndër to ai përmendtte rritjen e populizmit dhe sidomos nivelin e ulët të përfaqësimit. Nga na vijnë përfaqësuesit e sotëm politikë pyeste ai. Nga kush apo nga cilët duhet të qeverisemi ? Po ne shqiptarët, nga përfaqësohemi ? Sepse, nëse në hapësirën e madhe publike, parlamenti apo debati publik që zhvillohet mesa aktorëve politikë zë vendin qendror, atëherë ne, me të drejtë, nuk kemi përse të ankohemi që jemi në këtë gjendje, sepse e dimë të gjithë se si dhe nga cilët përfaqësohemi në një masë të madhe. Ndaj kultura e komunikimit dhe temat që zgjedhim për debat nuk mund ta kapërcejnë limitin që ia kemi vënë vetes që në fillim.

Ky limit e këto klishe, në disa raste, na kanë nxjerrë edhe jashtë vijave të kuqe që përdorin shoqëritë perëndimore. Vetëm te ne mund të ndodhë që, në njërën anë, të gjithë duket sikur janë gati të derdhin lotë për fatin e Parashqevisë dhe, nga ana tjetër, në një debat televiziv, një përfaqësues politik shprehet me urrejtje e përçmim për komunitetin LGBT duke e akuzuar kundërshtarin e tij politik se është mbrojtës i tyre. Hapësira publike te ne nuk i nënshtrohet asnjë lloj etike dhe ato topika që janë të shenjta për një shoqëri perëndimore si ndalimi i diskriminimit racor, gjinor apo seksual, këtu te ne shfaqen në të kundërtën e tyre. 

Shqiptarët, në shumicë, nuk shqetësohen përse një politikan i lartë i fyen ato kategori. Ndërsa politikanët e opozitës e quajnë trimëri shfaqjen në këtë tribunë. Kështu, topikat apo temat që zgjedhin autorët e narrativës publike shqiptare janë të trishta sepse na projektojnë si një popull të vogël e të mbështjellë më së shumit me inatin tonë ideologjik dhe me sentimentalizmin banal të provincës së humbur.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mario: 22/12/2024 16:08

    C'do te thote "Topikat"? A behet fjale per 'Tema dhe Subjekte'? Po perse fusni fjale te tilla te cilat shkaterrojne edhe gjuhet e huaja?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?