Ahmed Kalaja

Opinion

Ilir Yzeiri: Vdekja e komedianit afgan dhe karikaturat shqiptare

26 Gusht 2021, 12:44| Përditesimi: 26 Gusht 2021, 12:48

  • Share

Khasha Zwan - emri i vërtetë është Nazar Muhamet, - humoristi afgan u vra barbarisht nga talebanët në fund të korrikut. Ai tregohet në një video në mes të dy talebanëve që e kanë rrëmbyer atë në provincën e Kandaharit. 60-vjeçari me portretin e tij melankolik postonte video në platformën Tik-Tok dhe në to ai tallej me talebanët, madje kishte vënë në lojë edhe liderin e tyre Mullah Omar. Një ndër të parët që vranë talebanët ishte ky artist që në Afganistanin e zhytyr në errësirën e dhunës dhe të fanatizmit fetar, ishte e vetmja dritë gëzimi.

Po në të njëjtën kohë në Shqipëri hoxha i « Rrugës së Kavajës », Ahmed Kalaja dhe fanatikët e tij që nuk quhen talebanë, por « myslimanë të ndershëm », kërcënojnë me vdekje një artist komedie i cili në barin me emrin « Corn Comedy » pasi dëgjon ezanin, në mënyrë naive, tha se kjo këngë nuk është për Top Fest. Vetëm kaq. Turmat e fanatikëve të Ahmedit u turrën te kafeneja, por e gjetën atë mbyllur. Siç raportojnë më pas mediat, një taleban tjetër në policinë e shtetit, oficeri i policisë gjyqësore, kur ata shkojnë të bëjnë denoncimin, u thotë artistëve « kërkojuni falje myslimanëve ». Të terrorizuar, artistët - studentë që menaxhonin barin me emrin « Corn Comedy » largohen dhe fshihen nga tmerri i mesazheve që marrin në rrjetin social prej fanatikëve të Ahmed Kalasë që këtu te ne nuk quhen talebanë, por « myslimanë të ndershëm ».

Po në të njëjtën kohë, një artist tjetër, ai që u bë kryetema e këtij gushti të nxehtë, Bregoviç, u linçua nga fanatikët e atdhetarizmit shqiptar të Kosovës me në ballë Albin Kurtin pse do vinte të këndonte në Korçë. Mjaftoi identiteti i tij serb që fanatikët e shqiptarizmës karikatureske të udhëhequra nga mullah Albini të linçonin cilindo në Shqipëri që mbështeste koncertin e këngëtarit serb. Ata linçues vetëshpalllen edhe « tifozat kuq e zi », pra nuk janë talebanë, por për nga zelli idiot me të cilin e mbrojnë çmendurinë e tyre nuk janë as më shumë e as më pak por talebanët e shqiptarizmit.

Është e çudtishme se përse fanatikët nuk e durojnë dot artin dhe përse tek arti shohin t’u thërmohen idetë e tyre të mbrapshta dhe regresive. Jo vetëm arti, por komedia sidomos i çmend fare këta fanatikë që gjenden jo vetëm në Afganistan, në Egjipt, në Indi, Arabi, por edhe në Shqipëri. Kujtoni me këtë rast « Sharli Hebdo »-në apo shkrimtarin e famshëm Salman Ruzhdie

Ne nuk e kemi pasur një traditë të tillë. Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1951), ky intelektual dhe poet, me sarëkun e hafizit në kokë, është një nga poetët myslimanë satirikë më modernë shqiptarë. Në krijimet e tij ai tall dhe satirizon dembelizimin mendor shqiptar. Vihet në krah të patriotëve progresivë dhe kërkon bashkë me ta që Shqipëria të ndahej nga Turqia e prapambetur dhe hipokrite e xhonturqve dhe të përqafonte Europën. Parodizon dhe urren Haxhi Qamilin dhe Musa Qazimin e Tiranës që donin të instalonin frymën e Turqisë së vjetër. Është në krye të të gjitha përpjekjeve që bëhen për hapjen e shkollave shqipe dhe të letërsisë kombëtare, tall kadinjtë dhe burokracinë fetare myslimane. Por, në poemën e tij të fmashme « Nji andërr e ime » (Trisat) shfaqet si një poet brilant dhe parodizon gjithë qeverisjen e vendit në vitet ’30 duke mos kursyer asnjë, as mbret, as qeveri, as parlament. Ishte vërtet një poet modern që kishte si ideal Europën e qytetëruar dhe demokracinë. Jam i sigurtë që fanatikët e Ahmed Kalasë do ta kishin linçuar nëse ai do të kishte jetuar sot. Aq i bindur jam për këtë sa mjaft të përmend që kjo traditë e këtij kleriku të ndritur jo vetëm që nuk është vazhduar dhe nuk përmendet sot, por ajo shihet si një erezi. Ne kemi pasur një figurë tjetër të ndritur, Hoxha Tahsinin, i cili thelemoi Universitetin e parë me stil perëndimor në Turqinë otomane, por as ai dhe as tradita e tij nuk janë marrë e bërë frymëzim për « myslimanët e ndershëm » që udhëhiqen nga Ahmed Kalaja të cilët i mësyjnë lokalit « Corn Comedy » ma kallashnikovët e urrejtjes. Ku humbi tradita e Nolit që nuk rimerret nga ortodoksit shqiptarë për të mos thënë që tradita epokale e Fishtës jo vetëm që nuk ndihet por ka mbetur si një jehonë e largët.

Shqiptarët sot, megjithëse shesin në tregun ideve të vendit dhe atë perëndimor lirinë e fjalës dhe vëllazërinë mes feve, si vlerë të shoqërisë këtej e andej kufijve, në fakt, gënjejnë veten sepse një liri e tillë është e kërcënuar dhe është liri me kusht. Mjaftoi një shaka spontane për të ndezur pasionet talebane të Ahmed Kalasë dhe ndjekësve të tij. Dhe më e rënda, një taleban i tillë ishte edhe në Policinë e shtetit. Ai në vend të merrte denoncimin kriminal, u thotë studentëvë të frikësuar : dilni e kërkojuni falje.  Në anën tjetër, shoqëria shqiptare është nën një agresion verbal të vazhdueshëm nga fanatikët e shiptarizmit taleban të mulla Albin Kurtit, i cili e lexon historinë shqiptare si një dogmë kuranike dhe u përsërit ndjekësve të tij ajetet e kohës së shkuar. Çdo inisitaivë që ndërmerr Shqipëria për të udhëhequr projektet në Ballkan duhet të verifikohet nga teksti kuranik i Mullah Albinit dhe pastaj të bëhet veprim. Ndërkohë, shqiptarët duhet ta dinë se jetojnë në një vend ku fanatikët, megjithëse nuk ndjehen dhe nuk shfaqen në publik, ata i kanë vënë kufij mendimit dhe lirisë sonë.

Të gjitha këto më bëjnë të besoj se ne vijojmë të sillemi me të njëjtën hipokrizi si në kohën e diktaturës. Ne bëjmë sikur jemi të lirë, hiqemi sikur jemi modernë dhe qeshim si budallenj. Nëse guxojmë të jemi vërtet të lirë, atëhere ushtritë e urrejtjes talebane janë gati në « Rrugën e Kavajës » dhe në Kosovë. Për momentin ato na kërcënojnë me gjuhën e urrejtjes dhe me linçime në mexhlisin e internetit. Më vonë ? Të shohim… Por një gjë të mos harrojmë. Pse talebanët vranë të parin komedianin Khasha Zwan që tallej me ta dhe me mullah Omarin ? Ai portreti i tij melankolik dhe e qeshura e tij janë simboli i lirisë që çmend fanatikët dhe talebanët nga Afgansitani, në Tiranë e në Kosovë.   

J.GJ.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kristo: 27/08/2021 16:08

    Per shokun Ylli, talebane jane te gjithe qe nuk jane Edi Rame, apo sipas mendjes se tij. Ne maje te penes i dalin vetem temat nga Realizmi Neosocialist i Rames, e nis nga viktima e Afganistanit e hudhet tek Ahmed Kalaja e sigurisht mulla Albini. Tashme e kuptojme se si regjime si ai i Hoxhes mbijetuan aq gjate: per shkak te te ngjashmeve servile te oborrit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?