Këtë radhë, ndryshe nga disa vite më parë, zgjedhjet në universitete, me ndonjë përjashtim, nuk kanë prodhuar ndonjë ngjarje të posaçme. Përshtypja e parë që të krijohet është se tani burokracia universitare dhe drejtuesit e tyre kanë krijuar kushtet që pushtetin e fituar ta trashëgojnë duke shfrytëzuar aleancat dhe lobingjet e krijuara gjatë kohës kur qeverisnin. Të gjithë vënë re se në pjesën më të madhe, në garë për postin e Rektorit ka vetëm një kandidat gjë që tëbn të mendosh se fituesi është e përcaktuar që në fillim.
Jeta akademike nëpër universitete, pikërisht për shkak të zgjedhjeve që përsëriten një herë në çdo katër vjet, i ngjan peizazhit politik të vendit. Të gjithë reshtohen sipas lidhjeve dhe preferencave të diktuara nga ata që qeverisin për një mandat dhe nga të tjerët që e trashëgojnë pushtetin te të besuarit e tyre.
Ligji nr. 80/2015 « Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë », megjithëse u hartua nën drejtimin dhe me frymëzimin edhe të ndonjë eksperti që punon si profesor në Perëndim, nuk arriti që të prodhojë një Universitet të pavarur dhe të nxisë dijen e kërkimin shkencor. Përkundrazi, ai, në disa raste, e centralizoi pushtetin në dorë të titullarit të institucionit duke i dhënë atij të gjitha fuqitë dhe duke i zhveshur strukturat varëse nga çdo mundësi apo fuqi vendimmarrëse.
Po ashtu, ai ligj e centralizoi të drejtën e dhënies së titujve e gradave shkencore vetëm në dy apo tri universitete kryesisht të Tiranës, duke përjashtuar nga kjo e drejtë dy qendrat e vetme të kërkimit shkencor që ishin Akademia e Studimeve Albanologjike dje dhe Akademia e Shkencave. Me atë ligj u ndërtuan edhe organizma të tjera si bordi i administrimit apo edhe ndonjë tjetër, por të gjitha këto hallka vetëm sa i shtoheshin si zbukurim pushtetit të rektorit, i cili tani rëndohej edhe me fuqi më të mëdha. Dhënia e titujve e gradave e centralizuar në këtë mënyrë, prodhoi absurditete dhe paqartësi sepse një Komision që ngrihej në universitetitn e Tiranës me profesorë që vinin nga fakultetet të ndryshme si ato të shkencës apo ekonomisë duhet të gjykonin edhe për albanologjinë e psikologjinë.
Dhe më e rënda ishte se përcaktimi i kritereve krejtësisht formalë penalizonte kërkimin shkencor dhe studiuesit e mirëfilltë dhe stimulonte xhonglerët dhe akrobatët e përfitimit me çdo kusht. Gjendja nuk është serioze dhe Ministria e Arsimit e Shkencës duhet të bëjë transparencë sidomos ndër ata që kanë fituar titullin « Profesor » . Nëse para disa kohësh ne krijuam një gjendje të papërshtatshme me titujt e doktoraturave, tani po zhvlerësojmë edhe titullin e Profesorit. Dhe këtë e bëjmë sepse me këtë titull mund të konkurosh për poste të larta. Personalisht mendoj që sistemi i zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë ka dështuar, sepse ai e ka kthyer universitetin në një ambient ku bëhet lufta për të marrë pushtet dhe jo për të prodhuar dije.
Ligji i ri për arsimin e lartë që po përgatitet do të duhet ta marrë parasysh edhe këtë plagë që është krijuar në funksionimin e këtij institucioni. Një problem tjetër është se sistemi ynë universitar nuk është reformuar. Universiteti shqiptar vepron ende mbi strukturën dhe konceptimin që patën komunistët kur e ndërtuan atë. Sistemi ynë i arsimit të lartë funksionon ende sipas modelit sovjetik, i cili kishte si qëllim të përgatiste specialistët për të gjitha fushat që do të mundësonin ndërtimin e ekonomisë, pra infrastrukturës dhe superstrukturës socialiste dhe do të ndërtonin njeriun e ri.
Sistemi publik i arsimit të lartë në Shqipëri nuk reflekton nevojat që ka vendi ynë për të përgatitur specialistë e profesionistë të nivelit që kërkon ky shekull dhe në një vend që tashmë është i hapur. Rënia e numrit të studentëve dhe mundësia që ata kanë për të zgjedhur që të studiojnë jashtë vendit po e vë në vështirësi shkollën e lartë shqiptare. Ndërkohë, Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë nuk po arrijnë të krijojnë një klimë universitare e cila të jetë tërheqëse për ata miliona shqiptarë që jetojnë në botë, por edhe për studentë të tjerë të huaj që duan të kryejnë një bachelor apo një specializim jashtë vendit të tyre.
Azia, Afrika, Turqia, vendet e ish- Bashkimit Sovjetik, por edhe vende të tjera, ashtu siç sjellin këtu turistët, shumë shpejt do të duan që edhe të bëjnë këtu një shkollë të lartë sepse kushtet e akomodimit dhe tarifat ua mundësojnë këtë ambicie. Por që të ndodhë kjo, arsimi i lartë publik duhet të reformohet me rrënjë. Jo më larg se këto ditë media raportonte se studentë spanjollë po punësoheshin në Gjirokastër.
Por kjo nuk mund të ndodhë sot kur fondet që qeveria ka vënë në dispozicion për kërkimin shkencor nga AKSHI nuk shfytëzohen as 40% sepse universitetet gjithë luftën dhe energjitë e tyre i harxhojnë në beteja për t’u zgjedhur e për të zgjedhur. Shih edhe linkun për mënyrën se si (nuk) harxhohen fondet e dhëna nga qeveria për kërkimin shkencor.
I nderuar Ilir, sistemi universitar sovjetik nuk qe aq i keq. Makari të kthehemi përsëri atje, për të prodhuar ato kuadro me vlerë si në kohën kur funksiononte ai sistem edhe në vendin tonë. Flas për mjekësinë, sepse atë njoh. Por edhe sot në botë mjekët që kanë kryer studimet në universitetet ruse, janë ndër më të aftët dhe të vlerësuarit për dijenitë e tyre. Nuk i njoh fushat tjera dhe nuk kam të drejtë të flas.
Përgjigju