Imazhi i ri i modës italiane në Tiranë, ‘shefja’ e ‘Vogue’: Rrëfejmë identitetin tonë! Jonida Maliqi: E ndiqja që adoleshente! 3 ‘sekrete të arta’ për veshjen e duhur

9 Maj 2023, 16:29| Përditesimi: 9 Maj 2023, 16:34

  • Share

Mbrëmja e së hënës mblodhi në Qendrën për Hapje dhe Dialog dashamirësit e modës italiane.

“Kur flitet për modë, flitet për Italinë! Sepse moda, dizajni italian i mishëruar në veshje rrëfen vendin tonë!”, thotë Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Buçi.

Ekspozita shëtitëse “ Fashion Panorama -The italian new wave” e kuruar nga Vogue Italia e nis rrugëtimin në Shqipëri.

“Mendoj se moda italiane është në qendër të modës sepse ne kemi një filial të madh prodhues, një industri që është zëri i dytë në vend, dhe është detyra jonë ta eksportojmë edhe jashtë, krahas veshjeve artizanale edhe përmes praktikave të komunikimit, kreativitetit... të rrëfejmë identitetin tonë siç po bëjmë këtu në këtë ekspozitë.”, thotë Francesca Ragazzi, kryeredaktore e ‘Vogue Italia’.

Imazhi i modës së re italiane përfaqësohet nga 10 stilistë të rinj por edhe dizajnues e fotografë. Për ta veshja është mjet komunikimi, mënyrë për të përçuar mesazhe...

Frymëzimin dikush e gjen në traditë e kulturë, një tjetër tek letërsia a udhëtimet, por ka edhe si Luca Lin, që e merr spunton nga histori personale.

“Projekti im Akt nr.1 lind në 2016-ën, nga nevoja për të folur për rrugëtimin tim personal nisur nga fëmijëria ime dhe një background shumë i veçantë . Me kohën evoloi dhe përfshiva edhe histori të njerëzve të tjerë, të minorancave ,të njerëzve që nuk kanë zë. Dhe mbi të gjitha ajo që më intereson është që të bashkëpunoj me ta, tu jap atyre edhe një mbështetje reale.”, thotë stilisti Luca Lin.

Filozofi Emanuele Coçia e krahason veshjen me një vepër arti që flet me gjuhë universale e që ndihmon në krijimin e një identiteti.

“Të bësh modë do të thotë të pikturosh një ‘Picasso’ që pastaj ne e veshim dhe transformojmë kështu lëkurën tonë”, thotë filozofi Emanuele Coçia.

Moda italiane është e para që shqiptarët mundën të njihnin, kur për modë ishte dhe e vështirë të flitej. Artistja Jonida Maliqi është një prej tyre.

Si një nga personazhet më të lakuar për stilin e saj, këngëtarja thotë se tregu shqiptar i modës, kërkon nxitje për të qenë konkurrues.

Ndërsa nuk kursen as tri këshilla për të zgjedhur veshjen e duhur.

“Në radhë të parë të njohësh trupin tënd; Të jesh komfort, të ndihesh rehat! Dhe, kujdes me vulgaritetin” , shprehet këngëtarja Jonida Maliqi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 2 qershor.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?