Importet e ushqimeve kane qenë në rritje vitet e fundit duke ndjekur të njëjtat trende të shtimit të vizitoreve të huaj në vendin tonë. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme tregojnë se në 7- mujorin 2025 importet e ushqimeve u rritën me 3.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Importet e ushqimeve kanë shënuar një zgjerim të qëndrueshëm pas pandemisë, duke arritur në 93 miliardë lekë në janar-korrik 2025 nga 90.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja prej 3.2% është e lidhur ngushtë me flukset e larta turistike që po përjeton vendi, sidomos gjatë sezonit veror, duke shtuar kërkesën për ushqime, pije dhe produkte të tjera të konsumit. Në 6 mujorin e parë të vitit numri i turistëve të huaj shënoi rritje vjetore me 4.8%.
Në krye të listës qëndrojnë pijet dhe alkooli, me një zgjerim të importit me gati 10% në 7- mujor. Ky trend pasqyron drejtpërdrejt konsumin e lartë në hotele, bare dhe restorante të pijeve, të cilat në pjesën më të madhe janë nga importi.
Një tjetër grup me rritje të fortë janë kafeja, çaji dhe erëzat, me 34% më shumë se një vit më parë. Shqipëria është ndër vendet me konsum të lartë të kafesë, por flukset e turizmit kanë zgjeruar edhe më tej kërkesën për këto produkte.
Frutat dhe arrat e ngrënshme regjistruan një rritje prej 13.6%, ndërsa produktet e përpunuara të zarzavateve shënuan një zgjerim rekord prej 41%. Ky trend tregon qartë se industria e mikpritjes po kërkon furnizim të vazhdueshëm me produkte të gatshme dhe gjysmë të gatshme, të cilat janë më praktike për përdorim në restorante dhe struktura hoteliere. Po ashtu, produktet e bulmetit dhe mjaltit janë rritur me mbi 11%, ndërsa ushqimet e gatshme me bazë mishi, peshku dhe molusqe u zgjeruan me 14.7%.
Përkundër këtyre rritjeve, disa kategori shënuan tkurrje të dukshme. Importet e kafshëve të gjalla ranë me 16.8%, duke reflektuar edhe një orientim të tregut drejt produkteve të përpunuara të mishit. Zarzavatet e freskëta pësuan ulje me 6.8%, si rrjedhojë e zëvendësimit të tyre me prodhime nga vendi.
Të dhënat tregojnë se rritja e importeve nuk është e shpërndarë njëtrajtësisht ne të gjitha kategorive, por është me theksuar me grupet më të lidhura me konsumin e turistëve. Rreth 4.7 milionë turistë që kanë hyrë në Shqipëri në 6 mujorin e parë të vitit ka rritur kërkesën për pije, ushqime të përpunuara dhe produkte freskuese.
Turizmi nuk po ndikon vetëm degët e ekonomisë dhe punësimin, por edhe strukturën e tregtisë së jashtme./Monitor
Komente
