Kostot e larta prodhuese nga rritja e taksave dhe çmimet e lëndëve të para po favorizojnë shitjen e mallrave të importit. Prodhimet shqiptare kanë humbur konkurrueshmërinë dhe po zëvendësohen në treg me mallrat e importit. Më të prekurit janë prodhuesit e bulmetit, birrës dhe pijeve alkoolike. Shoqatat e biznesit bëjnë thirrje të ndërhyhet nga shteti, në të kundërt rrezikohet dominimi i plotë i produkteve të huaja në supermarkete.
Pesha e prodhimit vendas në treg prej muajsh është ulur ndjeshëm, ku disa produkte vendase po zëvendësohen me shpejtësi nga importet, për shkak të çmimit më të lartë të shitjes. Efektet e kostove të shtuara e kanë rënduar situatën e vështirë ku ndodhen prej muajsh përpunuesit e qumështit dhe prodhuesit e birrës. Fuqia blerëse ka rënë dhe presioni i produkteve të importit rritet përditë. Shoqatat përsërisin shqetësimin se këta sektorë do të shkojnë drejt një rënie pa kthim dhe zhdukje të tyre. Sipas tyre, dy janë arsyet e humbjes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, kostot e larta nga çmimi i energjisë, lëndëve të para, rritja e taksave dhe mungesa e subvencioneve.
Sektori i qumështit ka rritje të kostove që nga 1 janari 2022 kur nisi zbatimin heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme, akciza e gazit që ka filluar të aplikohet nga 1 korrik 2022 dhe subvencionet e ulëta për blegtorët krahasuar me rajonin që po jepen nëpërmjet skemës kombëtare. Ndërsa për prodhuesit e birrës, dyfishimi i akcizës nga 1 janari 2023 jo vetëm ka zëvendësuar prodhimin shqiptar me importet, por ka shtuar rrezikun e falimentimit të industrisë.
Produktet e bulmetit vendas kundrejt atyre të importit
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit ngre shqetësimin se produktet e importit në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë shtuar së fundi dhe janë më të pranishme në raftet e marketeve dhe supermarketeve. Në muajt janar dhe shkurt 2023, importet u rritën 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Doganave. Në muajt janar-shkurt, 46% të importeve të qumështit kryesohen nga Italia, 30% nga Serbia, 10% nga Kosova dhe pjesa e mbetur nga shtete të tjera.
Tendenca rritëse e importeve nisi që në vitin 2022. Totali i importeve të 2022 u rrit rreth 2% më shumë se në vitin 2021. Drejtori ekzekutiv i shoqatës, z. Donjaldo Hoxha, pohoi për “Monitor” se humbja e konkurrueshmërisë së produkteve vendase kundrejt atyre të importeve ka ardhur nga kostot e larta të sektorit. Hoxha thekson se krahasuar me rajonin apo vendet e BE-së, çmimi i qumështit si lëndë e parë është 45% më i lartë, për shkak të mungesës së subvencioneve ndaj fermerit. Kostot e larta gjithashtu janë ndikuar edhe nga çmimi i lartë i lëndëve djegëse dhe informaliteti.
“Aktualisht, sektori i përpunimit të qumështit e ka shumë të vështirë dhe gati të pamundur që të jetë konkurrues me produktet e importit, të cilat së fundmi kanë një prani të shtuar në raftet e marketeve dhe supermarketeve të vendit. Për fat të keq, kostot e sektorit të përpunimit të qumështit në vendin tonë janë shumë më të larta, sesa kostot e prodhimit të produkteve që vijnë nga importi dhe kryesisht nga rajoni.
Konkretisht, nëse bëjmë një analizë përkatëse rezulton se së pari, vendi ynë ka çmimin më të lartë të qumështit të freskët që blihet nga blegtorët për t’u përpunuar. Aktualisht, çmimi është 35-45% më i lartë krahasuar me çmimin e qumështit që blihet nga blegtorët në rajon dhe BE. Së dyti, vendi ynë ka subvencionim më të ulët në rajon në lidhje me blegtorët. Kjo bën që kostot e blegtorëve të rajonit/BE të jenë më të ulëta dhe automatikisht, produktet e qumështit dhe nënproduktet e qumështit që prodhohen në rajon dhe vendet e BE-së të kenë kosto prodhimi shumë herë më të ulët se prodhimi i sektorit të përpunimit të qumështit në vendin tonë.
Së treti, gjithashtu sektori i përpunimit të qumështit ka kosto më të lartë edhe në: a. çmimin e naftës b. çmimin e energjisë elektrike c. çmimin e gazit. Së katërti, një tjetër element që dëmton sektorin e përpunimit të qumështit vendas në raport me produktet e importit është edhe informaliteti shumë i lartë në këtë sektor në vendin tonë”. Hoxha thotë se produktet e importit janë të avantazhuara mbi të gjitha për shkak të kostove shumë më të ulëta që kanë në sektorin e përpunimit të qumështit, sepse kanë çmimin e qumështit të freskët që blihet nga blegtorët 35-45% më të lirë sesa në vendin tonë. Kanë subvencione shumë herë më të larta sesa blegtorët shqiptarë. Kanë çmime më të mira të naftës, energjisë elektrike dhe gazit.
“Nëse situata vazhdon në të njëjtën formë, atëherë këto produkte të importit do të jenë edhe më të pranishme në tregun tonë, duke nxjerrë jashtë tregut produktet vendase, të cilat nuk do të jenë më të preferueshme nga konsumatori dhe kompanitë prodhuese shqiptare detyrimisht do të shkojnë drejt një falimenti të sigurt.
Nëse nga qeveria shqiptare nuk do të shtohen subvencionet e duhura për blegtorët, në mënyrë që të kenë kosto më të ulëta për prodhimin e qumështit, gjë që do të sillte çmim të qumështit të blegtorëve shqiptarë të njëjtë ose shumë të përafërt me çmimin e qumështit të freskët nga blegtorët e rajonit dhe BE-së dhe nëse nuk do të ketë çmime të njëjta për naftën, energjinë elektrike, gazin, sektori i përpunimit të qumështit do të ketë më shumë vështirësi dhe produktet e importit do të jenë dominuese dhe të pranishme çdo ditë dhe më tepër në raftet e marketeve, supermarketeve dhe në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë”.
Fabrikat përpunuese shtojnë se rritja e kostove është ndikuar edhe nga heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme nga 1 janari 2022. Kompanitë thanë se me zerimin e saj janë ngarkuar grumbulluesit dhe për pasojë e shkarkojnë ngarkesën fiskale te konsumatori. Edhe me formulën e mëparshme, grumbulluesit penalizoheshin me 14% të çmimit, pasi TVSH-ja që paguanin fermerët dhe blegtorët ishte 6%.
Ekspertët rekomanduan më herët se skema që do të ishte e drejtë dhe do të ndihmonte si fermerët, si grumbulluesit do të ishte njehsimi i TVSH-së. Pra të kenë TVSH të njëjtë, si në hyrje dhe në dalje në nivelin 6%.
Pse është rritur çmimi i qumështit nga blegtorët?
Me fillimin e sezonit të pranverës, qumështi i deles po shitet nga blegtorët me çmim 150 deri në 160 lekë për litër nga 140 lekë më parë (7 deri në 14% më shtrenjtë se më parë). Kompanitë parashikojnë që çmimi i qumështit të deles të shitet mbi këtë nivel. Taulant Pupa, administrator i fabrikës përpunuese “Vita 2000” thotë se sasia e qumështit të prodhuar është më e ulët se vitet e kaluara. Pupa shton se për shkak të rritjes së çmimit nga fermerët aktualë ka interes për shtimin e prodhimit. Sipas tij, shtrenjtimi i çmimit të qumështit nga blegtorët ka ardhur nga kostot e larta për mbajtjen e bagëtive dhe rënia e numrit të fermave të vogla, për shkak të emigrimit.
Kompani të tjera përpunuese shtojnë se çmimi mesatar i qumështit të lopës nga fermerët është 25% më i shtrenjtë se në Itali, Francë dhe Gjermani (çmimi i qumështit të lopës në këto shtete është ulur nga 68 cent në 58 cent për litër (58,6 lekë për litër), ndërsa çmimi mesatar i shitjes së qumështit të lopës nga fermeri vendas është 75 lekë për litër) e ndikuar nga kërkesa e lartë, në një kohë kur prodhimi është i ulët.
“Kërkesa për qumësht është e lartë, pasi të gjithë përpunuesit janë bosh, nuk kanë stok të magazinuar. Stabilizimi i prodhimit të qumështit të lopës shfaqet i ngadaltë, por vijon presioni për rritje të çmimit, kur në shumë shtete çmimi është ulur. Kjo situatë na detyron të dalim në import. Jo sepse jashtë, çmimi i qumështit është më i lirë, pasi tarifat e larta të transportit e shtrenjtojnë shumë çmimin, por nuk ka prodhim vendi”, pohoi për “Monitor” një nga kompanitë përpunuese.
Edhe informaliteti i lartë i sektorit mbetet shqetësues. Një nga kompanitë nënvizoi se pranë fabrikës përpunuese në lumin e Vlorës numërohen rreth 25 baxho që operojnë në informalitet, pra që nuk paguajnë TVSH dhe të tjera detyrime, duke i konkurruar në mënyrë të padrejtë. “25 subjektet marrin mesatarisht nga 10 kv qumësht në ditë. Ka edhe nga ato baxho që përpunojnë edhe 30 kv qumësht në ditë. Në total llogariten 250 kv qumësht në ditë që shkon te përpunuesit informalë. Fabrikës sonë i mbeten vetëm 10 kv qumësht në ditë. Kjo po dëmton përpunuesit e rregullt, madje duke rrezikuar daljen nga tregu”.
Për formalizimin e tregut dhe rritjen e prodhimit vendas kompanitë rekomandojnë si zgjidhje vetëm ndryshimin e skemës së subvencionimit të qumështit, duke zbatuar subvencionim për litër që fermeri të detyrohet të lëshojë/kërkojë faturë dhe të gjithë do të formalizohen. Ndërkohë skema kombëtare e bujqësisë për vitin 2023 do të vijojë të mbështesë fermat me subvencione për krerë, jo për sasinë e qumështit të prodhuar, një kërkese e vazhdueshme e industrisë.
Prodhuesit e birrës vijojnë të mbajnë fabrikat e fikura
Dyfishimi i akcizës së birrës nga 1 janari 2023 vijon të japë efekte negative për fabrikat e birrës. Për shkak të çmimit të lartë nga kostot e shtrenjtuara, birra shqiptare ka humbur konkurrueshmërinë, ndërsa importet janë shtuar në tregun shqiptar. Sipas të dhënave të doganave për muajt janar-shkurt 2023, prodhimi i birrës është ulur 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-t. Importet e periudhës janar-shkurt 2023 janë rritur 50% krahasuar me vitin paraardhës. Në këtë periudhë janë importuar 5,1 milionë litra birrë, sasia më e larta e shënuar në 10 vitet e fundit.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli, pohoi për “Monitor” se situata në sektorin prodhues vijon të jetë e rënduar. Pinguli tha se birra e importit po shitet me çmim nën nivelin e birrës shqiptare.
“Gjendja në sektorin e prodhimit të birrës është përkeqësuar. Nga rritja e akcizës, kostoja prodhuese e birrës u shtua 18 lekë për litër. Në këto nivele u rrit edhe çmimi i birrës. Por birrat e importit po shiten me çmim më të lirë se ato vendase. Birra shqiptare po humbet konkurrueshmërinë, madje rrezikon të zhduket. Për këto arsye fabrikat vijojnë të qëndrojnë të mbyllura edhe për muajin mars”, pohoi ai.
Përveç rritjes së akcizës, nga 1 janari prodhuesit u goditën edhe nga rritja e çmimit të birrës malto të importit. Më 1 janar 2022, çmimi i birrës malto të importuar ishte 420 euro/ton, ndërsa nga 1 janari 2023, po shitet dyfish më shtrenjtë (duke përfshirë edhe rritjen e çmimit pas fillimit të luftës Ukrainë-Rusi). Çmimi i lartë i energjisë që paguajnë fabrikat (para 2022, çmimi i energjisë ishte 11 lekë për kWh, dhe tani është 22 lekë për kWh, janë kosto ekstra të cilat detyruan, disa prodhues të fikin fabrikat për muajt janar-shkurt. Të tjera vazhduan prodhimin, por me fitime të reduktuara.
Disa kompani shqiptare të goditura nga kostoja e shtuar nga akciza dhe lëndët e para po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të fabrikave të tyre në Serbi. Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Ndryshimet e ligjit të akcizës u shoqëruan me debate të forta nga grupet interesit. Shoqata e Prodhuesve të Birrës Vendase bëri disa herë thirrje në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare se masa e re fiskale do të falimentonte sektorin dhe rrezikon të nxjerrë 1,000 persona të papunë. Sipas të dhënave të Doganave, në vitin 2022, prodhimi i birrës vendase u ul lehtë 2% në krahasim me 2021, ndërsa importet u rritën 4%. Pesha e importeve në konsumin e birrës në vitin 2022 është 56% nga 44% që ishte rreth një dekadë më parë.
Edhe prodhuesit e pijeve alkoolike vuajnë kostot e larta
Shtrenjtimin e kostove nga lëndët e para dhe rritja e taksave po e vuajnë edhe prodhuesit e pijeve alkoolike. Nga 1 janari 2023 ka nisur zbatimin unifikimi i nivelit të akcizës për të dy nivelet e prodhimit deri në dhe mbi 20,000 HL, me nivel akcize 84,500 lekë për HL alkool. Akciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: uiski, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo para 2023 ishte e ndarë në dy fasha.
Për prodhuesit vendas dhe të huaj deri në 20,000 hl/vit akciza është 65,000 lekë për Hl. Për fashën prodhuese mbi 20,000 hl/vit, akciza është 84,500 lekë për Hl. Përfaqësues të kompanive prodhuese të pijeve alkoolike në vend pohuan më herët për “Monitor” se miratimi i këtyre ndryshimeve do të shkatërronte prodhimin vendas.
“Heqja e fashës dhe unifikimi i akcizës do të favorizojë shitjen e pijeve nga importi. Vodka e prodhuar në vend ka çmim më të lirë se ajo që importohet nga Polonia. Nëse çmimi i vodkës shqiptare do të rritet për shkak të shtimit të akcizës, konsumatori nuk do të blejë prodhimin vendas, por do të blejë vodkën polake. Miratimi i këtyre ndryshimeve do të kenë efekte shkatërruese për prodhimin vendas. Industria rrezikon falimentimin”, pohoi një nga prodhuesit. Për prodhuesit, shqetësim është kostoja e lartë nga materialet e importit dhe çmimit të energjisë dhe naftës.
“Prej dy vitesh, kostot e prodhimit kanë shënuar tendencë të fortë rritëse të ndikuar veçanërisht nga çmimi i energjisë, nafta dhe materialet e ambalazhimit, siç janë shishet e qelqit, tapat dhe etiketat. Çmimi i energjisë nga 15 lekë me TVSH ka arritur 41 lekë me TVSH, gati 3 herë më i lartë”, tha Denis Zhilla.
Sasia e pijeve të forta alkoolike të prodhuara në Shqipëri, sipas të dhënave të Doganave, deri në 2018 ka qenë më e lartë se ajo e importuar. Në periudhën 2019-2021, importet kanë zëvendësuar prodhimin vendas. Në 2018-n, prodhimi vendas zinte 52,5% të konsumit të pijeve alkoolike. Në vitin 2019, pesha e prodhimit vendas në konsum u zvogëlua, pasi u rrit pesha e importeve. Prodhimi zinte 42% të konsumit. Në 2020-n, pesha e prodhimit te konsumi ishte 39% dhe në vitin 2021 ra në 35%./Monitor
Turp te thuash per prodhimin qumeshtin ne shqiperi 700 lek eshte I shtrenjte kurse gjysem litre uje 500 lek domethone 1 Liter uje 1000lek turp dhe vetem turp
PërgjigjuPo te vazhdojn te punojn me krah fermeret DHE te mjelin qumeshtin me dore blegtoret normale QE keto do ndodhin.ka lodhje ka me Pak prodhim etj etj.
PërgjigjuKeq me vjen vetem per bulmetin se e kemi shume te mire. Ose me mire te themi e kishim shume te mire. Ndersa per birren aq mire me vjen sa nuk thuhet. Birra me e mire shqiptare as nuk krahasohet me birren me normale te vendeve fqinje, e jo me te krahasohet me birra ceke, gjermane e lere pastaj me birrat belge qe jane nr 1 ne bote per nga cilesia.
Përgjigjusigurisht 1500lek/kg djathi normale qe do meren importet se kan ndare fitimet keta qeveritaret tane. gjynah te importosh dhe patate eshte turp i zotit. se di dmth dhe del ajo ministra e bujqesise ka goje te flase se di dmth
Përgjigju