Mbretëria e Bashkuar u ka dhënë të gjithë personave mbi 50 vjeç dhe grupeve me rrezik të lartë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, bëri të ditur Qeveria britanike. Duke përmbushur qëllimin e tyre për t’iu dhënë dozën e parë nëntë grupeve me prioritet, deri më 15 prill.
“Ky është një tjetër moment i jashtëzakonshëm historik në programin tonë të vaksinimit”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
Qeveria deklaroi se është në rrugën e duhur për t’iu ofruar dozën e parë të gjithë të rriturve deri në fund të korrikut.
Mbi 32 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë tashmë dozën e parë, ndërsa mbi 7.6 milionë kanë marrë dy doza, që do të thotë se janë vaksinuar plotësisht. Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinën Pfizer/BioNTech. Në vend po përdoret gjithashtu vaksina e AstraZeneca dhe Moderna është miratuar. Të tre vaksinat duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.
Mbretëria e Bashkuar është vendi më i goditur nga koronavirusi në Evropë. Ajo ka regjistruar numrin më të madh të viktimave në kontinent mbi 127,000 dhe mbi 4.3 milionë njerëz janë infektuar që nga fillimi I pandemisë.