‘In memoriam’, ‘emblemat’ e Durrësit Moikom Zeqo e Gjergj Vlashi, kujtohen në Amfiteatër, propozimi i Kabos për dy autorët miq

21 Gusht 2022, 17:01| Përditesimi: 21 Gusht 2022, 17:09

  • Share

Në Amfiteatrin e Durrësit kujtohen dy nga personalitetet kyçe të qytetit, Moikom Zeqo dhe Gjergj Vlashi.

“Janë dy ikona, emblema të qytetit të Durrësit”, shprehet shkrimtari Fatmir Minguli.

E shtuna e Festivalit veror të Librit në mbrëmjen “in memoriam”, sjell përmes studiuesve e miqve të dy autorëve durrsak grimca nga jeta e krijimtaria e tyre.

“Kur shkoja në Tiranë dhe takoja Moikomin, më pyeste për Gjergj Vlashin. Kur vija në Durrës, Gjergj Vlashi më pyeste për Moikomin... Për mua kjo ishte diçka e madhe, dhe në studimet e  mia nxora një aspekt tejet interesant: Të dy këta shkrimtarë kanë qenë ekzistencialistë”, thotë më tej Minguli.

Regjisor, shkrimtar dhe përkthyes, Gjergj Vlashi u kujtua nga miqtë studiues, si një personalitet që diti të fitojë zemrat e njerëzve të thjeshtë, por edhe figurave të njohura të letërsisë. Autori Haxhi Rama solli në vëmendje miqësinë e tij mbi gjysmë shekullore me Dritëro Agollin, dhe besimin që ai ngjallte edhe tek vetë Ismail Kadare.

“Kadare ka bërë një deklaratë shumë të bukur për Gjergj Vlashin. Mes të tjerave ai ka thënë se unë përgjithësisht nuk bisedoja me njeri për probleme delikate përveçse me Helenën dhe Gjerg Vlashin!”, tregon autori Haxhi Rama.

Ndërsa studiuesi Përparim Kabo, e veçoi poliedrikun Moikom Zeqo  si një nga mendjet më të bukura në trevat e Arbrit dhe u ndal në tri tipare dalluese të tij.

“E para, Moikomi ripërtërin traditën e antikitetit dhe renesancës, si një studiues në shumëfushësi. E dyta, Moikomi zbulonte tektonizmin e brendshëm të fushave të ndryshme të kulturës dhe herë në mënyrë reale, herë në mënyrë imagjinare, ai gjente lidhjen mes tyre në shtigjet më të çuditshme të arsyetimit. E treta, Moikomi kishte një shpirt kreativ të pashtershëm që lidhej me kulturën, me një kujtesë të frikshme dhe me aftësinë për t’i thënë gjërat ndryshe sa herë ai i tregonte”, shprehet studiuesi Përparim Kabo.

Mikut të tij, për më shumë se tri dekada i dedikon një hapësirë të veçantë në vëllimin e dytë të “Antropologjia e artit, ku “Kozmogoni të humbura në eklips“ sjell qasjen e tij  për librin me tregime “Shitësit e Kaosit” të shkrimtarit Moikom Zeqo.

“E them me bindjen time intelektuale dhe estetike që është vëllimi më i mirë me tregime që është shkruar në letërsinë shqipe”, thotë më tej Kabo.

Në fund, filozofi i dhuron disa sete të “Antropologjisë së Artit” Bibliotekës së qytetit dhe bën një propozim.

“Biblioteka e qytetit të Durrësit është mirë që të marrë emrin Gjergj Vlashi, ndërsa një auditor në Universitetin e Durrësit, duhet të quhet auditori Moikom Zeqo”, tha filozofi Kabo.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?