Kultura

In memoriam për Hasan Tahsinin⁄Rexhep Mejdani: Duhet të vendoset në panteonin kombëtar të diturisë

22 Prill 2021, 15:13| Përditesimi: 22 Prill 2021, 15:27

  • Share

Në 210-vjetorin e lindjes dhe 140-vjetorin e ndarjes nga jeta të filozofit dhe veprimtarit Hasan Tahsini Akademia e Shkencave organizoi një veprimtari jubilare në nderim të tij.

Akademikët Rexhep Mejdani, Bashkim Kuçuku edhe Mimoza Hazifi nën moderimin e historianit Pëllumb Xhufi referuan për dimensionin e tij gjuhësor dhe lidhjen e ngushtë me Lëvizjen Nacional Shqiptare

 “Hasan Tahsini besonte tek arsimi, dija e shkenca, tek gjuha e dituria si elementë kyç në zgjimin e një populli. Ushqyer nga ky besim, ai, së bashku me rilindës të tjerë shqiptarë, iu bashkua lëvizjes për ndërgjegjësim kulturor e politik, për zgjim e çlirim kombëtar, madje duke u bërë kështu dhe një nga “motorët e Rilindjes Kombëtare”. Ai, si një nga shqiptarët më të arsimuar dhe më të ditur, u vu në krye të lëvizjes për çështjen kombëtare, duke u bërë një nga nismëtarët e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit (1879) dhe ndër themeluesit e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Siç u tha, ai ishte, po ashtu, një nga të parët që hartoi një alfabet për gjuhën shqipe. Vëllezërit Frashri apo atdhetarë të tjerë si J. Vreto, K. Kristoforidhi, etj., ishin jo vetëm nxënësit por edhe bashkëpunëtorët kryesore të tij.”, shprehet akademiku Rexhep Mejdani.

Ndonëse kurba e aktivitetit të tij intelektual kulmoi me emërimin në pozicionin e rektorit të parë të Universitetit të Stambollit. Pas një eksperimenti që Tahsini bëri u akuzua për magji dhe u largua nga kjo detyrë. 

“Pavarësisht nga koha e shkurtër në detyrë, Hoxha Tahsinit mbetet shqiptari i parë që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar – atë osman, krahas dy qendrave të  rëndësishme për kulturën e dijen shqiptare. Por largimi nga universiteti u shoqërua me goditje të tjera të egra ndaj tij. Pas qëndrimit në Shqipëri dhe kthimit në Stamboll, atë e akuzuan për krijimin e një feje të re. Kjo ishte dhe arsyeja e rikthimit në Stamboll dhe e izolimit të tij. Pas një fare kohe, me ndërhyrjen e Ismail Qemalit (në atë kohë sekretar në Ministrinë e Jashtme) , ai u lëshua. Siç theksohet, po aty, para lëshimit, kur Hysni Pasha i shpjegoi arsyen e izolimit (bazuar në shpifjen që Hoxha Tahsini po krijonte një fe të re), ky i fundit iu përgjigj thjesht: “Fetë që ekzistojnë jo vetëm që mjaftojnë për njerëzit e rruzullimit, por janë dhe të tepërta”, vijon Mejdani.

Hasan Tahsini (1811-1881), lindi në Sarandë. Ishte rilindës, filozof, dijetar e atdhetar i Rilindjes Kombëtare. Themelues i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Ishte ndër të parët që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini ka qenë mësues i Abdylit, Naimit, Sami Frashërit, Vaso Pashës etj.

Hasan Tahsini

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?