Vilson Kilica u lind në Vlorë më 2 qershor të vitit 1932 dhe ndërroi jetë në Tiranë më 7 korrik të vitit 2016. Ai ishte piktor, mozaiçist, muralist dhe i vlerësuar me titujt më të lartë të kohës “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”. Më 7 korrik 2019 mbushen tre vjet nga ndarja nga jeta e Drejtorit të parë të Institutit të Arteve Shqiptare, piktorit Vilson Kilica. Kilica do të nderohet nga brezat dhe do të jetë pjesë në historinë e artit pamor shqiptar si një mjeshtër i madh i pikturës shqiptare të shekullit XX, një artist i talentuar, një pedagog i ditur që përgatiti breza të të tër artistësh të rinj. Në fundin e viteve ’60 të shekullit XX, në Shqipëri u formua një brez piktorësh të talentuar që mbaruan Akademitë Lindore të Arteve në ish BRSS,, Poloni, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, ndërmjet të cilëve ishin piktorët Jakup Keraj, Guri Madhi, Vilson Kilica, Danish Jukniu, Lumturije Dhrami, Muntaz Dhrami, Kristaq Rma, Thamas Papa, Ksenofon, Dilo, Sali Shijaku, Niko Progri, Dhimo Gogollari, Agim Zajmi, Pandi Mele, Kujtim Buza, Fatbardha Shkupi etj.
Kthimi i artistëve të parë që kryen studimet e larta në vendet e ish kampit socialist (dhe atyre studentëve që i ndërprenë studimet në vitin 1961 dhe u diplomuan në Institurin e Arteve në Tiranë), krijoi brezin e artistëve shqiptarë që ishin dhe krijuesit kryesorë të talentuar të veprave të artit të Realizmit Socialist. Në artet pamore shqiptare të pas viteve 1960, ashtu si dhe në letërsi, muzikë, kinematografi, teatër e fusha të tjera të kulturës largimi nga rregullat strikte të metodës së Realizmit Socialist, ishte e pamundur dhe në disa raste kush guxoi t’i shkelte (në vitet 1970 -1973) përfundoi me masa të rrepta represive deri në burgosje si artistët: Ali Oseku, Maks Velo, Edison Gjergo.etj. Ndër artistët e rinj të porsa kthyer nga studimet Akademike në Shën Petërburg (ish BRSS), ishte dhe piktori Vilson Kilica (1932-2016), i vlerësuar si një student i shkëlqyer dhe me të ardhme në pikturën shqiptare.
Guximi i Kilicës dhe kolegut Danish Jukniu
Gjatë përfundimit të punimeve tek Pallati i Madh i Kulturës në sheshin “Skënderbej”, piktorëve Vilson Kilica dhe Danish Jukniu ju kërkua nga Ministria e Kulturës dhe LSHASH, të dekoronin me pikturë murale dy ambiente të katit të dytë (hyrja te salla e leximit te biblioteka kombëtare dhe hyrja te Teatri Operës dhe Baletit). I mbushur me ëndrra dhe me kërkesa drejt një pikture moderne dekorative & figurative, kompozimi i Kilicës ishte zgjidhur nëpërmjet një gjuhe simbolike, duke pikturuar personazhe tipikë të fushës së prodhimit industrial, bujqësor dhe kulturor. Tabloja murale përfshinte si personazhe kryesore: një fonditor, në pjesën tjetër një vajzë të vogël që mbillte një pemë si dhe një figurë tjetër me libër për të përfshirë dhe kulturën dhe artitn. Në anën tjetër piktori Danish Jukniu (i diplomuar në Poloni), kishte realizuar një vepër murale kushtuar baletit shqiptar. Ishte vitit 1965 dhe pak para përurimit të Pallatit të Kulturës, një vizitë e papritur e Kryeministrit të kohës Mehmet Shehu bëri që të dy pikturat murale të mos pranoheshin edhe pse ishin miratuar si bocete paraprake nga komisioni e kohës dhe të mbuloheshin me bojë. Ky ishte dhe sinjali më domethënës se çfarë rruge do merrte arti shqiptar pas viteve ’60 të shekullit XX në Shqipëri për artistët pamorë shqiptarë. Të dy artistët guxuan të sillnin nga akademitë ku studiuan eksperiencat më moderne për kohën e mbi të gjitha ata po tentonin të hapnin një faqe të re në artet figurative të kohës.
Vilsoni 30-vjeçar i prirur dhe admirues i veprave të mjeshtërve botërorë të impresionizmit, ekspresionizmit, kubizmit, fovizmit etj; para të cilave rrinte me orë të tëra në sallat e një prej Muzeve më të pasur në botë “Ermitazhit”,ku ndodheshin të ekspozuara kryeveprat botërore të autorëve të ndryshëm duke filluar nga Caravaggio, Antonio Canova, Francesco Casanova, P.Cézanne, G.Pittoni, Da Vinçi, Jacques-Louis David, Edgar Degas, Paul Gauguin, Fra Filippo Lippi, H. Matisse, C. Monet, P.Picasso, P.Auguste Renoir, Rembrandt, Vincenzo Petrocelli, P.P. Rubens, Tiziano Vecellio, Van Gogh, Jacob van Ruisdael, D.Velázquez, P.Pagani, etj. Ëndërronte të realizonte veprën e pare murale me prirje mjaft moderne për kohën. Guximi i Kilicës dhe kolegut Jukniu dështoi dhe ato dy murale, të parat e artit modern shqiptar, ndodhen akoma aty të mbuluara nga boja duke pritur që restauratorët e artit t’i zbulojnë para publikut si dëshmitë e veçanta të pikturave murale të atyre dy artistëve që guxuan të parët të realizonin vepra monumentale në pikturën shqiptare.
Ndofta shumë shpejt me nismëm e Ministrisë së Kulturës publiku do mund të admirojë veprat e krijuara 55 vjet më parë. Me përurimin e rikonstruksionit të ambienteve të Operës Kombëtare restaurimi (pastrimi nga mbivëniet me boje ) nga një grup restauratorësh profesionist do të sillte përsëri në jetë dy veprat e para moderne shqiptare që nuk arritën t’i “mbijetonin” censurës së shteti komunist të atyre viteve. Artistët e atyre viteve - si ata të kthyer nga vendet lindore por edhe studentët e porsa diplomuar në Akademinë Shqiptare në Tiranë ishin në udhëkryqin e fateve të jetës dhe të krijimtarisë që sapo po nisnin. Ata duhet të zgjidhnin disa nga alternativat që u shtroheshin përpara: a. – të realizonin veprat e tyre sipas rregullave akademike strikte të vendeve ku kishin studiuar – pjesë e artit militant dhe propagandistik; b. – të mundoheshin të krijonin vepra me tematikë socialiste por me një penelatë më të lirshme – sipas ndikimeve impresioniste dhe ekspresioniste (që mund të pranohej nga censura e kohës); c. – të krijonin individualitetin vetjak duke ju shmangur me kujdes rregullave strikte të realizmit socialist nëpërmjet një rruge: asaj të trajtimit të temave që kërkoheshin nga porositë e shtetit monist dhe d. – të krijonin vepra arti sipas lirisë krijuese pa ndikime ideologjike & propagandistike (disidente) që në ato vite ishte e pamundur ose më mirë vetëvrasëse.
Piktori Vilson Kilica zgjodhi pikën “c”. - duke synuar të hapte shtigje të reja më moderne (se sa kolegët e atyre viteve) në konceptimin e kompozimeve historike dhe atyre aktuale me një kolorit dhe stil individual që u konsolidua në vite, që prirej drejt një tabloje shumëfigurëshe me kolorit të fuqishëm, dekorativ dhe me raporte shpesh grafike. Ky tipar i dallueshëm i artistit vërehet edhe sot në koleksionin e disa veprave në Galerinë Kombëtare të Arteve , por edhe në atë të studios së piktorit - veçanërisht në peizazhet dhe natyrat e qeta, ku ai ishte brenda artistikisht më i çliruar. Kilica ishte një piktor që jetoi dhe krijoi në një periudhë të vështirë për shoqërinë shqiptare dhe për artistët në veçanti – diktaturën komuniste shqiptare.
Ai kaloi mjaft vështirësi dhe pengesa si artist edhe pse fillimisht u caktua dhe drejtoi shkollën e parë të lartë të arteve në Tiranë (Institutin e Arteve/ Institutin e Lartë të Arteve) duke hartuar programet e para akademike. Më vonë ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Prirja dhe mbështetje e tij drejt një lirie në krijimtarinë artistike të piktorëve dhe skulptorëve në fillimin e viteve ’70 (shek.XX) nuk kaloi pa pasoja dhe ai u largua pas Pleniumit të IV të KQPPSH, nga Tirana si një drejtues me prirje liberale dhe oportuniste, duke shkelur direktivat e Partisë. Në krijimtarinë e artistit Kilica mund të dallojmë dy faza apo më mirë dy elementë themelorë të saj :a. - artin zyrtar ku ai u përshtat për të mbijetuar dhe b. – artin e “studios” nëse mund ta emërtojmë kështu - ku shfaqen edhe më mirë cilësitë artistike të piktorit,që prirej drejt rolit dhe fuqisë së ngjyrës, dekorativitetit dhe kontrasteve piktorikë. Piktori Vilson Kilica dha një kontribut të rëndësishëm edhe në përgatitjen e brezit të ri të studentëve të arteve si drejtues i parë i nderuar i këtij institucioni por edhe si një prej pedagogëve serioz, i përgatitur dhe komunikues me artistët e rinj.
Kush ishte Vilson Kilica dhe cila ishte jeta dhe krijimtaria e tij
Piktori Vilson Kilica, lindi në Vlorë më 2 qershor 1932 por fammilja Kilica ishte me origjinë nga Voskopoja dhe në shekullin XVIII u vendosën me banim në Seman, ku blenë mjaft toka.Më vonë ajo ishte një ndër familjet e para që krijuan qytetin e Fierit. Babai Raqi Kilica (tregtar i mesëm), ishte i biri i kryetarit të Bashkisë së Vlorës pas shpalljes së Pavarësisë (1912). nëna Urani Qereshniku (me origjinë nga Berati) ishte shtëpiake. Nga nëntë fëmijët e lindur nga kjo martesë jetuan vetëm tre vajza dhe tri djem. Artisti Kilica filloi hapat e para drejt artit figurativ i mbështetur nga vëllai i tij Janaq Kilica (dëshmor i atdheut), i cili e kish pasion pikturën dhe gjithashtu nga daja i tij, ikonograf.
Kilica kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera (medalje ari) në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1948 – 1951) nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli. Studjoi në një klasë me Sali Shijakun, Ksenofon Dilon dhe Dhimitër Kokoshin. Piktori Vilson Kilica ishte një nga studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Arteve „I.E.Rjepin“ në Shën Petërburg (1952 – 1958). Ai ishte studenti i parë shqiptarqë merrte mësime në atelienë e profesorit B.V.Joganson, një nga figurat e rëndësishme të artit të realizmit socialist sovjetik, që ishte njëkohësisht edhe drejtor i muzeut „Tretjakov“ në Moskë. Më vonë në këtë atelje kanë studiuar piktorët Sali Shijaku dhe Zef Shoshi. Programi në këtë shkollë arti ishte akademik e synonte përgatitjen e artistëve në „kopjimin e realitetit“ dhe modelimin, duke zbuluar dhe analizuar çdo detaj të objekteve dhe personazheve - modele si detyra shkollore.
Por ish studentët e Shën Petërburgut kishin fatin të kishin si „konsulentë të vazhdueshëm“ gjatë viteve studentore veprat e Leonardos, Rafaelit, Peruginos, Caravaggios, Correggios, Tizianit,Veroneses, El Grekos, Rubensit, Velaskes-it, Rembrand-it, Mone-së, Cesann-it, Pissarro, Picasso-s, Matiss-it, Kandiskij-t etj. që ndodheshin në sallat e Ermitazhit (një prej muzeve më të mëdhenj të botës).I ardhur nga një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria e pas luftës së dytë botërore, (ku akoma nuk ishte çelur muzeu i parë i artit), Kilica qëndronte me orë të tëra para kryeveprave botërore të artit klasik italian e më vonë, si student, gjithmonë vizitonte dhe admironte pavionin e impresionistëve, postimpresionistëve francezë, por edhe kubuzmin e Picassos që e ndihmonin për tu çliruar sadopak në penelata dhe në kolorit, në realizimin e punëve me kërkesa shkollore / akademike. Puna e diplomës titullohej “Të papunët” (3 x 2 m, vaj mbi kanavacë). Me kthimin në Tiranë, piktori Vilson Kilica do të ishte inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit (1958 - 1960) dhe drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative, që fillimisht ishte 3 vjeçar (1960 – 65) e më tej drejtori Institutit të Lartë të Arteve (tashmë 4 vjeçar) në vitet 1965 – 1969.
Kilica nga viti 1969–1973 ishte sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në vazhdimësi që nga viti 1981 - 1992 udhëheqës artistik i Ateljesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale në ILA, TiranëNë krijimtarinë e tij të gjatë gati 50 vjeçare piktori Vilson Kilica ka realizuar tablo kompozicionale me tema historike dhe aktuale, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Duke qënë se brezi i tyre si artistë në vitet 1960 – 1990 trajtoi më gjërësisht tablonë kompozicionale dhe si rezultat i një censure dhe autocensure të rreptë, në veprat e Kilicës, edhe pse janë pjesa më e madhe të realizuara sipas metodës së Realizmit Socialist, vihen re mjaft mirë ndikimet e artit europian perëndimor. Në disa nga veprat e tij ndjehet prirja drejt një dekorativiteti të njollave, por brenda imazhit konkret historik („Gjyqi i Sinjës“, 1978, GKA, Tiranë). Më evidente këto preferenca piktorike piktori i ka shprehur veçanërisht në realizimin e disa portreteve, por edhe në peizazhet para viteve ‚90, por pas viteve ‚90 (shek.XX), artisti Kilica tashmë i çliruar nga çensura e shtetit komunist, krijoi situata piktorike personale dekorative herë të intonuara e herë – herë me theks grafik.
Duke patur një formim akademik të fortë, kulturë e formim artistik në vazhdimësi, një eksperiencë dhe realizime tablosh nga dimensionet më të mëdha (mozaiku i MHK - 450 M2, me bashkautorë) deri tek tablotë e zhanrit, artisti Kilica ka krijuar koleksionin e madh të tablove historike – politike të artit të realizmit shqiptar, por edhe vepra të tjera me kërkesa më formaliste e dekorative, që sidoqoftë nuk i largohen imazhit real. Piktori Vilson Kilica i përket brezit të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është vlerësuar në vite për krijimtarinë dhe kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave të artistëve të rinj, si pedagog për shumë vite në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Artisti Kilica është vlerësuar me “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1962), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1964), me titullin “Piktor i Merituar” (1969), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1970), me gradën shkencore “Docent”, “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1979), i jepet titulli “Piktor i Popullit” (1987).
Piktori Vilson Kilica. ishte pjesmarrës në të gjitha ekspozitat, konkurset dhe veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare (Egjipt, Turqi, Kinë, Itali, Kosovë, Bullgari, Rumani, Francë) të organizuara nga shteti shqiptar para viteve 1990, ndërsa mbi 80 vepra të autorit ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Itali,Gjermani, Slloveni, Serbi, Francë, Greqi, Spanjë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen 41 punime të artistit (kompozime, portrete, peizazhe, natyra të qeta). Ndër to mund të kujtojmë:“Portret i skulptorit Kristaq Rama” (1959), “Leningradi”, peizazh (1960), “Punëtori”, portret (1960); “Denoncimi i Traktatiti të Varshavës” (1974, kompozim); “Gjyqi i Sinjës” (1978, kompozim), “Portret i Rrapo Hekalit” dhe “U kthefsh me lirinë” (1979); “ 11 janar 1946 “ (1981, kompozim), “Ditë vjeshte” (1987), “Shoqet” (1988) etj. Kontributi i piktorit Vilson Kilica në artet pamore shqiptare është i një rëndësie të veçantë, pasi talenti, mjeshtria e tij artistike shërbeu në modernizimin e pikturës shqiptare të shekullit XX në Shqipëri.
Biografia e Artistit
02. 06.1932 Lindi në Vlorë në familjen e Raqi Kilicës (tregtar i mesëm) dhe Urani Qereshnikut –Kilica (me origjinë nga Berati)
1948 -1952 Kreu Liceun Artitik “Jordan Misja”, Tiranë, në klasën e piktorit Sadik Kaceli. Studjoi në një klasë me Sali Shijakun, Ksenofon Dilon dhe Dhimitër Kokoshin.
1952 – 1958 Kreu studimet e larta për pikturë në në Institutin e Arteve I.E.Rjepin “në Shën Petërburg ish BRSS.
1958 -1960 Inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit
1960 - 1962Pjesëmarrës në dy ekspozita Biennale pikture në Aleksandri, Egjipt
1960-1965 Drejtori i parë i Institutit 3-vjeçar të Arteve Figurative. 1965-1969 Drejtori Institutit të Lartë të Arteve.
1969-1973 Ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Në vitin 1974 u kritikua nga Pleniumi i 4-të i KQPPSH dhe u përjashtua nga drejtimi i LSHA me motivacioni “Për ndikime borgjeze dhe revizioniste”.
1974 Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1975-1981 Ndëshkohet me transferim në qytetin e Fierit. Punoi si mesues vizatimi në dy shkolla.
1981-1991 Transferohet me banim në Tiranë dhe punoi pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, udhëheqës artistik i Ateljesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale.
1991 I kushtohet vetëm pikturës, duke punuar në studion e tij në Tiranë
1993 Ekspozon në galerinë Te&Gi, Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe në ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri”
1996 Ekspozitë vetjake në “Hotel Europark” në Tiranë
1998 Ekspozitë e përbashkët me Sali Shijakun në GA, Prishtinë, Kosovë
1999-2005 Merr pjesë në ekspozitat “Nëntor” 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 11, 12
2003 Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2011 Ekspozitë vetjake në “Galerinë e Arteve” në Fier
2012 Vazhdon të ushtrojë veprimtarinë krijuese
07.07.2016 Ndahet nga jeta nga një sëmundje e rëndë.