Kristo Frashëri

In memorian/ Kristo Frashëri në panteon, 3-vjetori i largimit nga jeta

1 Shkurt 2019, 07:45| Përditesimi: 1 Shkurt 2019, 07:50

  • Share

Tre vjet më parë, më 31 janar të vitit 2016, u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare Akademiku Prof. Dr. Kristo Frashëri. Megjithëse është larguar nga jeta, veprat e tij do të vijojnë. Së afërmi pritet edhe promovimi i librit studimor me 10 vëllime për Skënderbeun, siç konfirmon i biri, Gjergj Frashëri, duke na rrëfyer se jemi shumë afër realizimit të një projekti, që u iniciua në 550-vjetorin e vdekjes së tij. 

I vlerësuar nga akademikët dhe historianët,si enciklopedia e historisë shqiptare, tre vjet më parë Kristo Frashëri u përcoll me nderime nga dyert e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashëllinjve, u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës së dytë Botërore. Ai shkroi e krijoi për gati pesë dekada në diktaturën komuniste. Dhe më pas mendimet e tij të guximshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë thithur vëmendjen mediatike e institucionale në rrugën drejt demokracisë.

Kristo Frashëri vazhdimisht ka ndriçuar problemet thelbësore të Historisë së Shqipërisë, shprehen akademikët për të, duke e konsideruar si historian të një brumi të veçantë që ka jetuar dhe punuar në klimën e katër regjimeve politike, thellësisht të ndryshme midis tyre, që ka pasur Shqipëria. Akademikut Frashëri, mbi gjithë të tjerët i numërohen rreth 75 vite të krijimtarisë dhe karrierës studimore dhe letrare. Ai ka marrë pjesë aktive në Grupin e të Rinjve, e më pas si anëtar i Partisë Komuniste, si ilegal dhe në maj 1943 u rreshtua në radhët e ushtrisë Nacionalçlirimtare.

29 nëntori i 1944, e gjeti Kristo Frashërin, në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Më 1951 Kristo Frashërin përfshihet në grupin e historianëve që ka hartuar Historinë e Shqipërisë. Nuk hoqi kurrë dorë nga veprimtaria shkencore në fushën e historiografisë deri në ditët e fundit të jetës. Kristo Frashëri u përfshi aktivisht në debatet publike për probleme aktuale që tërheqin vëmendjen e opinionit publik shqiptar në fund të shek.XX dhe fillim të shek.XXI që pasqyrohet në sythet e librit si ngjarjet në Kosovë, Kryetar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Çështja e Zef Brozit, Hakmarrja dhe gjakmarrja etj.

Veprat që la pas trajtojnë trajtimin e periudhave të mëdha të historisë së Shqipërisë si, “Historia e Skënderbeut”, “Historia e Rilindjes Kombëtare” dhe “Historia e Luftës Nacionalçlirimtare”, si dhe veprat madhore të tij si “Gjergj Kastriot Skënderbeu, Jeta dhe vepra”, “Lidhja shqiptare e Prizrenit”; “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i PKSH”, “Historia e qytetërimit shqiptar”, etj. Etj. Ku në këtë korpus të historisë kombëtare, nuk mungojnë edhe studimet për Arbëreshët dhe arvanitasit. Në vitin e fundit të jetës Akademia e Shkencave të Shqipërisë botoi librin “Jeta e një historiani”, që përbën një model, ku ngjarjet e faktet e jetës së tij janë dhënë me vërtetësi, në kontekstin e kohën që kanë ndodhur dhe janë interpretuar me pjekurinë e historianit. 

Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, ku ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

“Specialist i mesjetës ballkanike në përgjithësi dhe i asaj shqiptare në veçanti, prof. Frashëri ka përfaqësuar unazën e lidhjes ndërmjet dy shkollave historiografike shqiptare më të hershmet dhe ato që kanë ndjekur gjysmën e shekullit të diktaturës. Punët e tij më të të fundit, ato të papërfunduarat kanë mbetur të konceptuar përmes një polemikë të freskët dhe të guximshme dhe janë sjellë të përfunduara në kohën kur mjeshtri kishte arritur një moshë të konsiderueshme: shenjë e njohurisë së tij të thellë dhe intensive të shkencës historike dhe metodave të saj. Për këto dhe të tjera arsye, vepra e prof Kristo Frashërit mbetet një arritje lapidare e  historigrafisë bashkëkohore shqiptare”, është shprehur studiuesi arbëresh Matteo Mandala.

Kristo Frashëri, studiuesi që sfidonte çdo ditë sëmundjen për historinë e kombit
Të gjithë e mbajnë mend dekadën e fundit të jetës së akademik Kristo Frashërit, kur ai luftonte me dhimbjet dhe sëmundjet e moshës e nuk e hiqte penën nga dora. 15 vitet e fundit të jetës ishin veçanërisht të frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. “Ishte periudha kur ai, si të thuash voli frytet e pemëve që kishte rritur me kujdes. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive "Historia e popullit shqiptar", vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në "Fjalorin enciklopedik shqiptar" në tri vëllime (2008-2009). Në këta 15 vjet ai ka botuar edhe 26 libra studimorë të veçantë me rreth 8000 faqe shtypi.

Vetëm gjatë vitit të kaluar dolën nga shtypi tri vepra të reja të tij: Historia e Çamërisë (Vështrim historik); e cila pati jehonë të gjerë edhe në media, sepse vjen në një kohë kur “çështja çame”, siç quhet në diskutimet e përditshme, ka nevojë për një ndriçim të gjithanshëm, të dokumentuar e të argumentuar. Dy librat e tjerë, të botuar nga Akademia e Shkencave trajtojnë në mënyrë të plotë e të dokumentuar dy ngjarje të mëdha historike të viteve ’40 me rrjedhime të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të historisë së vendit tonë: Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). Vështrim historik dhe burime dokumentare (123 f.) dhe Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946. Vështrim historik. (255 f.).”   

“Ai gjithashtu ndiqte me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit. Në vitet kur për arsye shëndetësore qëndroi i mbyllur në shtëpi, priste gjithnjë me gëzim të dëgjonte për ndonjë botim të ri historik. Lajme të tilla ishin gëzimi i tij.”, është shprehur Gjergj Frashëri për Shqiptarja.com. Kristo Frashëri i përket përjetësisht Panteonit të Nderit të Kombit dhe Nderit të Shkencës Shqiptare.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?