Speciale

Në rrugën e Nënë Terezës, 30 vite pranë jetimëve dhe të varfërve, vullnetarja Ina Malhani: U braktisa nga prindërit, por gjeta familjen tek njerëzit në nevojë

“Unë jam e braktisur nga prindërit e mi. Jam rrit në shtëpinë e fëmijës. Për mua familja imë janë jetimë, të varfër dhe të sëmurët. Unë quhem Ina Malhani, jam 62 vjeçe. Shërbej prej 30 vitesh në shtëpi, azile, spitale. Shtëpia ime është bërë pothuajse hotel”, tha Ina.

“Papa Francesku të pëlqeu dhe të jep këtë dekorim për punën shumë të vlefshme që ke bërë”, tha Frendon.

Po çfarë ka bërë kjo grua që së fundi u dekorua nga Vatikani për shërbimet ndaj njerëzve në nevojë? Që në hyrje, Ina të mirëpret me foton e Nënë Terezës, frymëzuesja e veprimtarisë së saj. Ngado ka kuti me ndihma për familjet në nevojë dhe dekorime e fletë mirënjohje që nuk i nxenë orenditë e shtëpisë. U lind nga një burrë e një grua në vitin 1950 , të cilët e braktisën pas të qarës së parë në shtëpinë e fëmijën "Persa Grabova” në Shkodër. Pavarësisht se e gjymtuar shpirtërisht, ajo thotë se diti të marrë dashurinë e njerëzve me të cilët duhej të rritej.

“Vërtet më ka munguar dashuria prindërore, por unë kam qenë e lumtur pavarsisht se nuk kam pasur prindër. Kam pasur një personel të mirë. Kam qenë fëmijë që kam qenë në aktivitete dhe nuk e kam ndjerë mungesën e prindërve. Jam marrë me muzikë, festivale, kam pasur aktivitete shumë, me cirkun e Shkodër. Nuk kam pasur kohë të mendoj për prindërit. Sigurisht kam pasur edhe mungesën e prindërve”, tha Ina.

Derisa një ditë askush dhe asgjë nuk mund ta ndalte dëshirën për të njohur prindërit e saj biologjikë.

“Një ditë shkova tek sekretarja dhe i thash aman të lutëm më ndihmo. Kam shumë qejf ta gjej nënën. Të lutem I thoja. Më tha mirë, por vetëm me një kusht që mos t'i tregosh njeriu. Ina ti ke nanë dhe babë, por ato të kanë braktisur. I ke në Lezhë”, tregoi ajo.

Lutjet e saj u dëgjuan. Rastësia apo këmbëngulja bënë që ajo të ishte vetëm një hap larg drejt atyre për të cilët ëndërronte fshehurazi dhe u thurte vargje zemre të përmalluar.

“I thash mësueses kujdestare a ka ndonjë nxënës që është nga Lezha, Fati im ishte konviktor. Pjerin e ka emrin. I thash a e njeh filanen, Mara Krosi. Po më tha se e kam shumë afër. Gati komshi. Madje me dy djemtë jam shok. Sikur më iku zemra. Tha ka 2 motra dhe 2 vëllezër. Nuk e dinte njeri nga ato të fshatit dhe nuk e dinin për mua”, tregoi Ina.

Pas shumë lutjeve të Inës, djali nga Lezha i tregon për familjen e saj. Ata jetonin në fshatin Zejmen. Kishte një motër në Tiranë, një në Durrës dhe dy vëllezërit që jetonin në fshat. Ina vendos të takohet me motrën që banonte në Tiranë e që përsëri rastësia ia kishte sjellë shumë pranë. Ajo punonte në Kombinatin Ushqimor shumë pranë konviktit ku qëndronte Ina.

“Shkoj tek Kombinati ushqimor dhe thash kërkoj një me emrin Dava. Më tha kush je ti. I thash unë e kam emrin Ina Krosi. Kujtoi diçka ajo. Biseduam pak dhe më tha mirë. Të nesërmen nuk e harroj. Më thërret kujdestarja dhe më thatë kërkojnë. Ishte surprizë. Kujtova fytyrën. I thash a të ra ndërmen se kush jam unë. Më tha je goca e xhajës e imja. Dhashë komandën dhe I thash komandantit të madh të lutem më jep leje se kam takuar një nga njerëzit të mi. Mora dhe mësuesen time kujdestare, Aleksandrën dhe gjithë qejf I thash kam gjet motrën. Erdhi dhe zysha. U ulëm në një pemë dhe më tregoi historinë motra. Nga aty u njoha me nënë, motrën, vëllezërit”

Ëndrrat shpesh mbeten të tilla kur takon zhgënjimin. Kështu ndodhi edhe me Inën adoleshente në takimin e parë me nënën që priste prej aq vitesh sa vjeç ishte.

“Shumë moment prekës. Nga ana tjetër sikur më zhgënjeu shumë. E vështirë me thënë. Asnjëherë se kam mësuar të vërtetën e braktisjes. Erdhi nana. Njëgrua e shkurtër me veshje tradicionale të Lezhës. Zemra ime bam-bam. Atëherë kam qenë 14 vjeç. I thotë gocës kush është kjo. Fytyrë e panjohur. Motra I tha kjo është vajza jote e vogël Ina. Fare, e ftohtë. Prandaj thash më ka zhgënjyer. Prisja të më përqafonte. Mu duk një gjë shumë e ftohtë. Prap më bënte zemra, por u zhgënjeva nga ana tjetër. Nuk pash dashurinë prej nënë. Ajo kishte për të qëndruar atë natë me gocën, por nuk qëndroi vetëm pse isha unë. Kur shkojmë tek stacioni tjetër, më vjen një mësuese e shkollës së mesme të ndërtimit. Duke përqafuar zyshën i thash që kjo është nana e kjo është motra dhe zysha direkt, lum ajo natë që e ka atë gocë. Vetëm këtë mbaj mend nga nana. Faleminderit, falemindërit. Unë asnjë fjalë sepse nuk të jepte mundësinë për të folur. I thash mirupafshim dhe derisa u largua treni ajo doli në dritare dhe ma ka bërë me dorë derisa u largua treni”, tregon Ina.

E tashmja nuk ia ndryshoi të shkuarën, prandaj Ina zgjodhi të nesërmen me plane dhe dëshira për t’u mbushur zemrën të pamundurëve dhe të pashpresëve.

“Nëna ka ndërruar jetë. Motrat e vëllezërit kam shumë vite pa I takuar pasi edhe ata nuk më kanë takuar. I kam ftuar të vijnë por nuk kanë ardhur. Sot për mua familje janë të varfër, fëmijë”, tha ajo.

Vendosi t’i buzëqeshë jetës. Zgjodhi të shndërrohej në vullnetare për njerëzit e sëmurë dhe në nevojë. 31 herë në 30 vite ajo dhuroi gjak për fëmijët talasemikë.- plan I dhurimit të gjakut

“Kjo dëshirë ka ardhur pasi kam dashur që të bëj mirë. Fëmijët që kanë nevojë, sidomos talasemikët besoja se gjaku im I pastër do ju bënte mirë”, tregoi ajo.

U shërbeu fëmijëve të sëmurë dhe me aftësi ndryshe në  shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Shkodër. Organizoi koncerte të ndryshme dhe vuri në skenë shfaqje. Ka marrë pjesë në shumë pagëzime dhe është bërë nun për disa persona.

“Përveç certifikatave që kam nga organizata të ndryshme unë kam marrë dhe 2-4 dekorata e cila e para është në 89’, e dyta nga presidenti”, tha Ina.

Gazetarja: Ina ju më thatë se keni marrë shumë certifikata dhe medalje, por cila prej tyre është më e veçanta për ju?

“Është çmimi që kam marrë tano nga Vatikani. Është më e rëndësishmja nga të gjitha çmimet. Do të thotë shumë për mua dhe më jep forcë të punoj dhe të ndihmoj njerëz që kanë nevojë për mua”, tregoi ajo.

Përveç motrave murgesha, Ina është e para është femër e shqiptare e ftuar në Vatikan nga vetë Papa Francesku për Shenjtërimin e Nene Terezës, frymëzueses së saj

“Kjo është fotoja me Nënë Terezën në 1985 ku jam bekuar nga dora e saj dhe që nga ai vit nuk kam pushuar së ndihmuar”, u shpreh ajo.

Ambasadorja e Paqes, udhëtoi drejt Kalkutës, për t’u shërbyer të sëmurëve e të pamundurve në shtëpinë e parë të themeluar nga vetë Nënë Tereza.

“Kur kam qenë unë ishin nga Spanja. Ata I binin kitarës, unë këndoja. Merrja lebrozët dhe i ngrija nga krevati dhe kërceja me ta. Në mendje më ka mbetur edhe mikpritja e motrave të Nënë Terezës në Kalkutë. Një ditë para se të ikja më thoshte motra do veshësh veshjen e Nnë Terezës dhe do na japësh  koncert. Aty mu kujtua një valle e Tropojës dhe këndoja e kërceja bashkë”, tregoi ajo.

Eksperiencën që përjetoi për afro një muaj e gjysmë në Kalkutë e ka gjithmonë me vete.

“Zëvendësuesja e Nënë Terezë më tha që për këto muaj ke qenë një ndër vullnetaret më të mirA. Ne si kalkutë do të të dhurojmë këtë libër të Nënë Terezë.Ja ku është edhe firma. Është një dhuratë shumë e çmuar dhe do të vazhdoj të ndjek rrugën e Nënë Terezës”, tregon ajo.

Sot ajo vazhdon të jetë aktive si ditën e parë.

“Tani po dal nga shtëpia dhe do të shkoj tek azili. Të gjitha aktivitete e mia I bëj me biçikletë. Kjo shtëpi më është bërë si shtëpia e dytë dhe këto janë bërë si prindërit e mi”, tha Ina.

E trajnuar për fizioterapi dhe kujdes personal për njerëz të pamundur, Ina është shndrruar në familje për 86-vjeçarin Neshat Hodobashi.

“Këtu vij për ti shërbyer një të moshuari”

“Kjo është një aftrësi e saj. Është shumë e stërvitur për ti shërbyer njerëzve. Ka lindur për këtë punë. Është humanitare dhe e dhimbsur. Kjo ka bërë çudira”.

Gazetarja: Historia e saj ju ka frymëzuar që të shkruani edhe një libër për Inën. Mund të më tregosh pse të lindi dëshira?

“Ne për njerëz të tillë vuajmë. Sistemi kapitalist i ka bërë njerëzit  shumë egoist. Kështu duhet të edukohen  njerëzit me dashuri për njëri tjetrin”, tha 86-vjeçari.

Ina nuk ka ndërmend të ndalet. Dashuria është kryefjala e punës së saj.

“Të gjitha këto vajza janë ndihmuar nga Ina. Kjo ndihmë nuk është vetëm tek kopshti im. Kjo e ka si dhunti nga zoti që ndihmon këtë pjesën vunerabël të shoqërisë. Jemi shumë të lumtur që e kemi”, tregoi mësuesja, Meleqe Rënja.

Nuk i ka patur kurrë pranë ata që e lindën, por familje është ajo ku jep e merr dashuri e përkujdesje.

Ina sot e ka familjen e saj dhe udhërrëfyese ka dashurinë.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?