Ina Zhupa: Gjykimi për koncesionin e Butrintit do vazhdojë, KLSH ndryshoi qëndrim

4 Tetor 2023, 19:40| Përditesimi: 4 Tetor 2023, 19:45

  • Share

Deputetja demokrate Ina Zhupa njoftoi për mediat se çështja e ‘Butrinit’ do të vazhdojë. Ajo foli pas seancës nga Gjykata Kushtetuese ku tha se Avokati i Popullit nuk i ndryshoi parashtrimet e tij ndërsa KLSH bëri të kundërtën. Ajo shtoi se ka afat deri më 8 tetor ndërsa garantoi se do ta fitojë çështjen e Butrintit në Gjykatë Kushtetuese. 

“Avokati i Popullit i qëndroi qëndrimit të vetë dhe nuk i ndryshoi parashtrimet e tij. Jam e zhgënjyer dhe dua të di presionet që janë ndërmarrë ndaj KLSH që ka humbur sot çdo besim si organ i pavarur nga qeveria.

Pa ndryshuar asnjë gërmë, KLSH ndryshoi qëndrim sepse kështu ka folur me Elva Margaritin. Ky ishte thjesht një kërcënim dhe rrugë jo ligjore për të ndryshuar qëndrimin e KLSH-së. Gjykimi do të vazhdojë, kemi afat deri në 8 tetor. Butrinti do të fitojë dhe GJK do jetë deri në fund para provave dhe fakteve sesi është rrezikuar trashëgimia jonë kombëtare me këtë koncesion famëkeq në Butrint”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 11 korrik 4 nga 5 kërkesat e deputetes Ina Zhupa gjatë shqyrtimit të koncesionit të Parkut të Butrintit, mes të cilave atë për pezullimin e marrëveshjes për menaxhimin e tij, të miratuar javën e fundit të majit në Parlament. Kushtetuesja vendosi të pranojë vetëm njërën prej kërkesave, atë për vënien të dispozicion të korrespondencës së Ministrisë së Turizmit me UNESCO-n-n, e cila sipas Zhupës është mashtruar nga shteti shqiptar.

Zhupa parashtroi një sërë kërkesash:

  • 1.       Të gjitha komunikimet zyrtare mes shtetit shqiptar me UNESCO, që lidhen me koncesionin e Butrintit;
  • 2.       Thirrja e dëshmitarëve për çështjen, ekspertë të fushës dhe njohës të Trashëgimisë Kulturore të Butrintit;
  • 3.       Kërkojmë thirrjen e fondacionit shqiptaro-amerikan, kërkojmë të thirret adf, si subjekt i interesuar;
  • 4.       Moslegjitimimi i fondacionit për menaxhimin e Butrintit, si i pabazuar në ligj;
  • 5.       Pezullimin e vënies në zbatim të marrëveshjes;

Para disa muajsh kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti. 

Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?