Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar pas ‘përplasjes’ me Ina Zhupën në Komisionin e Edukimit. Sipas Margaritit, reagimi i Zhupës e cila i përplasi mikrofonin, ishte një spektakël i shëmtuar.
“Sot publikut iu servir një “spektakël” i shëmtuar gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, për një çështje me rëndësi strategjike si ajo e mirëmenaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Një akt brutal, i cili nuk ka të bëjë me kostumin politik, por me statusin e qytetarisë në mjedisin publik. Si grua dhe si nënë, nuk e di se me çfarë guximi do të kthehesha në shtëpi, nëse do ta dija se ime bijë apo çdo bashkëmoshatar i saj do të më kishte parë në ekran, duke shkulur mikrofonë e duke i rënë tavolinës me grushte!! Nuk arrij dot ta vendos veten në pozicionin e një gruaje tjetër, që abuzon me besimin e dhënë si përfaqësuese e një komuniteti, duke harruar se në radhë të parë është një figurë publike dhe detyrimisht një shembull publik. Të zgjedhësh forcën e dhunës në vend të forcës së fjalës dhe në vend të argumentit të zgjedhësh ulërimat, kjo fatkeqësisht ndodh në mjedisin tonë publik, por kur këtë e bën një grua kjo të le pa frymë dhe pa fjalë. Gjithsesi, si Ministre Kulture do të doja të siguroja çdokënd se nuk ka asnjë marrëveshje ‘sekrete’ për të ‘shitur’ Butrintin. Ka qenë dhe do të jetë pronë e shtetit shqiptar, madje edhe përtej pretendimeve të një pronari që një parti tjetër ia njohu Butrintin si trashëgimi familjare! Ministria e Kulturës do të jetë gjithnjë e hapur për të dëgjuar, reaguar, korrigjuar, ngritur ura dhe shembur mure paragjykimi, duke besuar në forcën e dialogut, mirëkuptimit dhe transparencës! Personalisht ndihem keq për institucionin, për publikun që e pa atë skenë, për kolegët pa dallim. Por ndihem mirë, sepse edhe disa kolegë të opozitës më shprehën keqardhjen e tyre për ‘spektaklin’, jo për mua”, shkruan Margariti.
Lajmi kryesor:
Video/ Zhupa i përplas mikrofonin Margaritit: Pse marrëveshja për Butrintin sekrete?! Trashëgimia nuk është mall! Margariti: Konfidencialiteti i kontratës për aspektet ekonomike
SI.E./ReportTv.al