Falë platformës dixhitale biblioteka e qytetit të Lushnjes do të ketë tanimë këndin e vet arkivor të lidhur online me arkivën qendror të aksesueshëm për çdo qytetar dhe studiues njësoj sikur të ishte në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivës së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido bashkë me nënkryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa vizituan ambientet e reja ku janë vendosur kompjuterat e lidhur online me Arkivën Qëndrore të Shtetit ku u shpreh se falë projektit teknologjik mijëra vëllime arkivore do të jenë të aksesueshme më lehtë për studiuesit dhe të gjithë qytetarët e interesuar.
'Nga shtëpia mundet të shohësh katalogjet, të zgjedhësh dosjet që ti do. Janë diku deri tek 2 milionë tituj dosjesh të cilat janë bashkë me dosjet që ka Arkivi Qëndror i Shtetit, Avash-avash po hedhim dhe titujt e arkivave vendore brenda një periudhe 2 vjeçare do të ketë përfunduar i gjithë ky proces ku studiuesi ka mundësi që përmes fjalëve kyçe të zgjedhë dokumentet që ai dëshiron apo dosjet që ai dëshiron.'- tha Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido.
Aktualisht në Lushnjë prej vitesh ndodhet arkiva shtetërore për Jugun e vendit dhe aksesi në dokumentacion mund të bëhet nga çdo qytet dhe individ duke shkuar pothuajse drejt dixhitalizimit përfundimtar te arkivave shtetërore.