Rama, Veliaj e Kushi përurojnë shkollën e re ‘Andrea Stefani’ në kryeqytet, kryeministri: Të mësojmë fëmijët sesi të kursejnë energji elektrike

9 Shtator 2022, 14:29| Përditesimi: 9 Shtator 2022, 15:19

  • Share

Një shkollë e re , “Andrea Stefani”, është ndërtuar në kryeqytet për nxënësit e Astirit dhe Laprakës. Shkolla 9-vjeçare u inaugurua sot, ku në inaugurim morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së tij pas inaugurimit, Edi Rama tha se kjo shkollë ka standarde dhe kushte të njëjta me shkollat në vendet e BE-së, ndërsa përmendi se qeveria është krenare për rindërtimin pas tërmetit. Rama rikujtoi edhe një herë kursimin e energjisë, ndërsa përmendi se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka rritur çmimin e energjisë për konsumatorët poshtë 800kw.

“Klasat e kësaj shkolle dhe të këtyre shkollave të reja faktikisht kanë një teknologji ndriçimi që është me kursim energjie dhe që ndizet apo fiket automatikisht, kjo e lehtëson. Kjo e lehtëson këtë barrë të madhe, por kjo nuk mjafton, duhet në të gjitha shkollat të sensibilizohen në radhë të parë fëmijët dhe fëmijët kthehen pastaj në këshilltarë të prindërve nëpër familje për domosdoshmërinë që të mos harxhojnë energji të panevojshme, por që të jemi sa më të kursyer për të arritur të përballojmë diçka që nuk e ka bërë deri tani, jo deri tani, por faktikisht jemi të vetmit që kemi mbetur pa rritur çmimin e energjisë elektrike, pa rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, pa rritur çmimin e energjisë elektrike për biznesin e vogël, që do të thotë që ndërkohë që çmimi rritet e rritet në mënyrë marramendëse në treg, në bursë, në burimet ku ne na duhet të drejtohemi për ta importuar dhe mbetet ai që ishte për familjarët dhe bizneset, është qeveria, është buxheti i shtetit që plotëson gjithë atë hendek që zgjerohet e zgjerohet midis çmimit real dhe çmimit që paguan secili në faturë.”, u shpreh Rama.

Kryebashkiaku tha se me 12 shkollat e reja që hapen këtë vit në Tiranë numri i institucioneve arsimore të ndërtuara, disa prej të cilave mbajnë firmën e Stefano Boerit, arrin në 40. 

“Ndërtimi i shkollave të reja në Tiranë është një projekt që e filluam me Edin në ditën e parë të qeverisë dhe është një nga projektet që është sulmuar më shumë: “Ç’janë këto shkolla që bëhen nga 5 në një dorë?”, thonin. Por, ishte e vetmja mënyrë sepse nëse vazhdonim me ritmin tonë burokratik, të ndërtimit të një shkolle në vit, Tirana nuk e kapte ritmin për 65 vjet kraharuar me sa rritet dhe nevojat që ka për shkolla të reja. Kjo ishte arsyeja përse vendosëm në atë paketë të parë 17 shkolla të reja, kurse me programin e rindërtimit shtuam edhe 23 të tjera. Në total, Tirana do ta mbyllë këtë mandat me 40 shkolla të reja. Kjo është nisma më e rëndësishme për arsimin që pas Luftës së Dytë Botërore,” u shpreh ai.

“Andrea Stefani” është shkolla më e re në Tiranë, e cila të hënën do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11. Godina moderne është pjesë e paketës së 12 shkollave të reja të projektuara nga arkitekti I njohur, Stefano Boeri, që hapen këtë vit të ri shkollor në Tiranë.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?