Sali Berisha, Lulzim Basha

Inat shqiptari

27 Maj 2022, 09:46| Përditesimi: 27 Maj 2022, 09:52

  • Share

Thonë që në turqisht ekziston shprehja “inat shqiptari”, që nuk i referohet thjesht kapacitetit tonë për të mbajtur inat, por edhe kokëfortësisë, me të cilën e bëjmë.

Nuk e di sa e vërtetë është thënia e mësipërme. Por edhe nëse është tërësisht e trilluar, ajo qarkullon sepse reflekton deri diku një eksperiencë tonën jetësore. Shoqëria shqiptare është e mbushur plot me frustrime që prodhojnë inat dhe një kokëfortësi që eviton hapësirën për refleksion. Natyrisht, nuk jemi të vetëm në këtë aspekt, kokëfortësia apo inati nuk janë monopol vetëm yni.

Problemi është se inati është kthyer në një nga ushqyesit kryesor të debatit publik dhe të politikës sonë. Kjo e fundit frymëzohet dhe motivohet gjithnjë e më shumë nga inati sesa nga shpresa. Në zgjedhjet e kaluara opozita i ftonte votuesit të votonin për inat të Ramës, ndërkohë që Rama u ofronte mundësinë të votonin për inat të Berishës dhe Metës. Nuk është çudi që e njëjta skemë të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme.

Dominimi i inatit mbi arsyen dhe shpresën prodhoi një nga ngjarjet më regresive në politikën shqiptare, rikthimin e Berishës në krye të një pjese të PD-së. Tashmë që furtuna në PD është qetësuar, është e lehtë të shikosh që kjo “fitore” ka prodhuar një parti që sot është akoma më e rrudhur, e përçarë, e izoluar nga shoqëria dhe ndërkombëtarët dhe më e depresionuar se dje, kur në krye të saj ishte Basha. Ndaj rikthimi i Berishës nuk mund të shpjegohet as nëpërmjet arsyes dhe as nëpërmjet shpresës.

E vetmja mënyrë për të besuar teoritë konspirative të Berishës për shpalljen e tij nongrata ishte duke ndarë nga logjika. Së pari, duhet të pranoje argumentin e tij se e kishin shpallur non-grata jo për korrupsion, por sepse iu kundërvu ndarjes së Kosovës që po negocionte Rama me Vuçiçin. Problemi është se ndarjen e Kosovës e ideoi administrata Trump bashkë me ambasadorin Grenell, që tashmë është mbështetës i Berishës. Ndërkohë, administrata Biden është kundër ndarjes së saj.

Së dyti, duhet të besoje se Rama bashkë me mikun e tij Soros kontrollonin shpalljen non grata të SHBA-ve. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë përse Rama nuk mundi të mbante jashtë kësaj liste miqtë dhe aleatët e tij politikë, Vangjush Dako dhe Tom Doshi, që në fund të fundit ishin peshq të vegjël? Si ka mundësi që ai nuk e kontrollonte listën e non-gratave për peshqit e vegjël, por e kontrollonte për peshqit mëdhenj si Berisha? Natyrisht, konspiracionistët që nuk lodhen kurrë së mosarsyetuari do më thonë që Rama sakrifikoi Dakon dhe Doshin për të hequr qafe Berishën.

Po përse? Rama i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke sharë Berishën dhe Metën. Ndërkohë, pas këtyre zgjedhjeve, opozita hyri në depresion të thellë, sidomos pas rizgjedhjes si kryetar të humbësit serial Basha. Përse duhej të investonte Rama dhe Soros kapitalin e tyre politik për të kapur një opozitë që ishte në pikë të hallit dhe që nuk përbënte aspak kërcënim për pushtetin socialist? Se sa e rrezikon Berisha me partinë e tij Ramën dhe pushtetin socialist, e pamë pas “fitores” puniste të doktorit që vetë mbështetësit e tij përjetuan si mort.

Ndaj rikthimi i Berishës nuk mund të shpjegohet as nëpërmjet shpresës. Nuk ndodhi sepse u jepte shpresë për të ardhmen mbështetësve të tij brenda dhe jashtë PD-së. Një pjesë e mirë e tyre thjesht besonin se Berisha duhej “përdorur” për të eliminuar Bashën, ndaj të cilit kishin inate të thella.

Dhe këtu vijmë te faktori thelbësor që shpjegon një fenomen sa të palogjikshëm, edhe dëshpërues, siç është rikthimi i Berishës në krye të PD-së. Ishte inati ndaj Bashës që motivoi shumë nga mbështetësit e doktorit. Transformimi i Bashës në tradhtar, besëprerë dhe peng, e ktheu atë në personin e përkryer për t’u kryqëzuar dhe për të shfryrë frustrimet, inatet dhe mllefet e akumuluara prej kohësh në një parti me lidership fasadë. Frustrimi ndaj Bashës kish vite që akumulohej dhe Berisha me mjeshtëri i ofroi një shtrat ku mund të derdhej në mënyrë legjitime.

Në këtë pikë merita duhet t’i njihet edhe Bashës si një lider pa vizion, pa aftësi organizative, që e udhëhoqi PD-në gjithnjë nën hijen e babait të tij politik dhe me të njëjtat metoda skuthiste dhe jodemokratike. Metoda që prodhuan pakënaqësi të thella brenda PD-së. Të njëjtat karakteristika i shfaqi edhe në përballjen e tij me Berishën. Natyrisht, pa këto karakteristika, Berisha kurrë nuk do ta kish vendosur në krye të PD-së.

Nëse shumë nga mbështetësit e brendshëm frymëzoheshin nga inati ndaj Bashës, shumë nga mbështetësit e jashtëm motivoheshin nga inati ndaj Ramës. Ideja se Rama është burimi i çdo të keqe në Shqipëri që nga korrupsioni dhe deri te droga, krimi dhe pastrimi i parave, dominon tek shumë nga kritikët e tij. Identifikimi i Ramës me djallin nënkupton se ai nuk bën gabime por vetëm komplote.

Është e lehtë t’i bindësh kritikë të tillë se Rama komplotoi me Sorosin për të kapur PD-në, duke hequr qafe Berishën. Ata janë të gatshëm të besojnë çdo teori konspiracioni për sa kohë pas saj është dora djallëzore e Ramës. Detajet dhe logjika nuk kanë rëndësi, e rëndësishme është se Rama është i aftë të përdorë edhe SHBA-të në shkatërrimin e demokracisë shqiptare, deri aty shkon dibolika e tij. Përvec trafikut të drogës dhe pastrimit të parasë ai kontrollon edhe miliarderët hebrenj si Soros, që, siç e dimë të gjithë, kontrollojnë botën.

Ishte dhe mbetet ky inat që nuk lejon të dalë në dritë një e vërtetë shumë e thjeshtë: thelbi i përplasjes që ndodhi dhe po vazhdon në PD është midis një PD-je berishiste dhe një PD-je post-berishiste. Natyrisht që kjo përplasje u nxit nga shpallja non-grata e Berishës, por në thelb të saj nuk qëndron as Soros, as Rama dhe as SHBA-të. Në thelb të këtij debati qëndron domosdoshmëria e PD-së për t’u transformuar dhe për të ofruar një alternative qeverisëse dhe shpresë për brezat e rinj të shqiptarëve. Që të kishte sukses një debat i tillë, duhet të frymëzohej nga dashuria për PD-në dhe demokracinë shqiptare dhe jo nga inatet për Berishën, Bashën, Ramën apo Sorosin.

Fatkeqësisht, në përplasjen brenda PDsë dominoi inati përmbi arsyen, frika përmbi shpresën. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se tashmë Berisha nuk mund t’i ofrojë as arsye dhe as shpresë pasuesve të tij. I vetmi instrument që i mbetet është manipulimi mjeshtëror i inateve dhe mllefeve pa fund që ekzistojnë brenda dhe jashtë PD-së, duke gjetur tradhtarë, besëprerë apo teori konspirativë me hebrenjtë që kontrollojnë botën dhe kanë në shënjestër Berishën.

Është e vetmja mënyrë për të varrosur faktet dhe arsyen. Frytet janë të tashmë të qarta. Një PD që reduktohet te problemet e Berishës, më e rrudhur, më e plakur, më e izoluar nga shoqëria dhe ndërkombëtarët, më e dëshpëruar dhe me dobët se dje. Është partia e kryetarit dhe demokratëve të inatosur.

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?