Politikë

Inaugurimi i shtatores së Josif Budos në Kavajë, Berisha në Kavajë me Salianjin: Ramaduro po largon të rinjtë, shëtit me atlete të bardha në samite

10 Korrik, 11:50| Përditesimi: 10 Korrik, 19:00

  • Share

Bashkia e Kavajës, një bastion të cilin demokratët e ruajnë ende, përkujtoi këtë të enjte martirin e parë të protestave kundër regjimit komunist, Josif Budo. Për përurimin e bustit, i pari i qytetit, Fisnik Qosja kishte ftuar Sali Berishën, liderin e tij, i cili u shfaq për herë të parë në publik me Ervin Salianjin, i sapo liruar nga qelia.

Teksa foli për rënien e dëshmorit, Berisha përdori ceremoninë për të sulmuar kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një diktator më të fuqishëm sesa regjimi komunist. Për Berishën, Rama është një diktator ‘modern’, që po shëtit me atlete të bardha në samite dhe po largon të rinjtë.

“Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg. Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990. Nuk kishte pushtet më shumë diktatori i fundit se sa ç’ka sot narkodiktatori Ramaduro. Nuk ka urrejtje më të pakët Ramaduro i sotëm ndaj Kavajës, ndaj Shkodrës, se sa ç’kishte Ramiz Alia, diktatori i fundit, ndaj tyre. Nuk kishte urrejtje më të madhe për të rinjtë shqiptarë Ramiz Alia se sa ç’ka sot Ramaduro i Tiranës. Ai i përzuri, siç u kujtohen ju eksodet, kurse ky narkodiktator që shëtit në samite me atlete të bardha, i përzë çdo ditë dhe në 10 vite ka shkretuar kombin nga të rinjtë e vet sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij të lashtë. Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe”, tha Berisha.

Për të ‘ilustruar’ akuzat ndaj Ramës, kreu i PD-së përmendi burgosjen e Salianjit, ndërsa i doli në mbrojtje, edhe pse nuk e priti në selinë blu kur doli nga burgu. Sipas Berishës, ai u dënua vetëm sepse ish-deputeti ekspozoi mbrojtjen e kryeministrit Rama dhe Fatmir Xhafës ndaj vëllait të këtij të fundit.

“Çfarë mund t’i bëjë një armik tjetër një kombi se sa u bën Ramaduro shqiptarëve? Sigurisht jetohet në një kohë tjetër dhe ai nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi. Ai burgos kundërshtarët. Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës.”, tha Berisha.

Bëri edhe një krahasim për ‘rrëmbimin’ dhe arrestimin e Ilir Metës.

“A ka ndonjë dallim të madh varja në litar e Havzi Nelës në vitin 1988 me nxjerrjen brutale dhe rrëmbimin nga makina e tij, goditjen dhe zvarritjen në rrugë të kundërshtarit politik pas 37 viteve të Edi Ramës? Sigurisht ai vdiq, por edhe ky jo vetëm që e terrorizoi, por terrorizoi një popull të tërë.”, shtoi Berisha.

Në fund, Berisha tha se dëshmori Josif Buda do t’i frymëzojë në betejën e tyre për të rrëzuar qeverinë dhe për t’u rikthyer besimin shqiptarëve.

“Sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim. Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin.”, tha Berisha.

Salianji u rikthye në politikën aktive pikërisht në zonën ku ishte përgjegjës politik dhe shënoi fitoren e PD-së.

"Si një individ që sapo përfundoi njohjen me burgun jo si metaforë por si realitet në diktaturën e re. Një izolim ku jeta numërohet me orë, por me durim me heshtje dhe qëndresë. Sot nuk përcjellim thjesht kujtimin e një njeriu, as nuk po qëndrojmë një heshtje përballë një drite që nuk u shua dot, ndonëse u godit me errësirën më të dendur", tha Salianji. 

Në ceremoninë e bashkisë Kavajë, ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në vitin 1990, i cili tregoi se si hapi dyert e ambasadës për të pritur guximtarët e parë që refuzonin diktaturën komuniste.

Ora 11:18
Inaugurimi i shtatores së Josif Budos në Kavajë, Salianji: Sot flas si një individ që njohu burgun, si realitet në diktaturën e re

Ervin Salianji mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, paraqitja e tij e parë publike pas lirimit nga qelia. Në fjalën e tij, ish-deputeti demokrat u shpreh se sot po flet jo vetëm si një politikan, por si një individ që sapo ka dalë nga burgu, si një realitet i diktaturës së re.

"Jam i nderuar të më jepet rasti të flas në këtë inaugurim dhe zemra më thotë të flas si qytetar, përveçse si politikan. Si një individ që sapo përfundoi njohjen me burgun jo si metaforë por si realitet në diktaturën e re. Një izolim ku jeta numërohet me orë, por me durim me heshtje dhe qëndresë. Sot nuk përcjellim thjesht kujtimin e një njeriu, as nuk po qëndrojmë një heshtje përballë një drite që nuk u shua dot, ndonëse u godit me errësirën më të dendur. Josif Budo nuk ra nga rastësia.

Ai doli të kërkonte liri, drejtësi. Josifin nuk e mori jeta, kishte guximin të mos pranonte padrejtësinë dhe mungesën e lirisë si simbol i çdo qytetari të Kavajës që nuk pranon të nënshtrohet dhe ështëe në ballë të përpjekjeve për liri.  Të mos pranonte të jetonte në gjunjë, në një vend ku vetë fjala të kushtonte jetën.", tha Salianji.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 11/07/2025 00:00

    Dhe hipokrizia vazhdon. Nje ish komunist "nderon" nje viktime te vrare nga sistemi qe Saliu aq shume i sherbeu me devotshmeri.

    Përgjigju
  • Ajo: 10/07/2025 13:37

    Mor Zoti Berisha cfare keni bere ju per kavajen pervecse i shkaterruat 3 apo 4 fabrika qe kishte dhe te gjithe ate Paradies qe ekzistonte dikur ne Golem?

    Përgjigju
  • Deni: 10/07/2025 13:26

    Meru me dinjitetin e familjes tende ne rradhe te pare. Ca sinjiteti do na kthesh ti ne kur je vete pa piken e dinjitetit? Bajge e thate qe as per pleh nuk vlen me…

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?