Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit ka vendosur fillimin e gjykimit për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, me 10 të pandehur dhe dy kompani nën akuzë. Ka qenë gjyqtarja Rudina Palloji që ka marrë vendimin, ndërkohë që është refuzuar, të paktën për momentin për t'u parë më pas në gjyqin e themelit, kërkesa për gjykim të shkurtuar të shumicës së të akuzuarve.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin për gjykim të dosjes së Inceneratorit të Elbasanit. Vendimi në seancën paraprake erdhi në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, me 10 të pandehur dhe dy kompani. Në seancën e mëparshme u dëgjuan të gjitha pretendimet e të pandehurve, ndërsa shumica prej tyre kërkuarën bashkimin e dosjeve me atë të inceneratorit të Fierit, e cila u rrëzua nga togat e zeza. Ndërkohë, të pandehur për këtë dosje për të cilët Prokuroria e Posaçme kërkon kalimin për gjykim të çështjes janë: Lefter Koka; Alqi Bllako; Mirel Mërtirim, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa
Gjykata e Posaçme nuk dha vendim për asnjë kërkesë të të pandehurve, përfshirë edhe kërkesat për gjykim të shkurtuar të shumicës prej tyre, apo për gjykim të zakonshëm, nga Etleva Kondi, ish anëtare e komisionit të vlerësimit të ofertave. Një vendim i tillë pritet të merret në gjyqin e themelit. Gjithë të tjerët, përveç Kondit, pavarësisht se kanë mohuar akuzat, kërkonin gjykim të shkurtuar. Në këtë rast, gjykata ndodhej para dilemës ligjore, pasi nuk mund të pranonte gjykimin e shkurtuar për shumicën, nëse nuk e ndanin çështjen e Kondit, gjë e cila edhe në këtë rast, do të përbënte precedent pasi i hap rrugë ish-zyrtares ta vijojë procesin në Gjykatën e Tiranës dhe jo në Gjykatën e Posaçme, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, mundësia tjetër ishte rrëzimi i kërkesës për 9 të pandehur, për gjykim të shkurtuar, duke i çuar në gjykim të zakonshëm bashkë me Kondin.
"Së bashku me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjyq, dërgohen edhe kërkesat e të pandehurve (i) Lefter Koka, (ii) Alqi Bllako, (iii) Pëllumb Abeshi, (iv) Bardhul Çabiri, (v) Serafin Papa, (vi) Jonida Zeqo, (vii) Mirel Mërtiri, (viii) Stela Gugallja, (ix) Klodian Zoto, (x) shoqëria tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe (xi) shoqëria tregtare “Integrated Technology Services” sh.p.k, për gjykim të shkurtuar, paraqitur në seancë paraprake nga të pandehurit dhe/ose mbrojtësit e tyre me akt të posaçëm përfaqësimi", thuhet në vendimin e gjyqtares.
Kujtojmë se SPAK ka mbyllur deri tani hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit dhe ka kërkuar që çështja të shkojë për gjykim, ndërkohë që ende nuk ka një vendim nga GJKKO, ku edhe ditën e sotme është shtyrë seanca paraprake për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi pak javë më parë hetimet dhe çoi për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Mbi të gjithë personat më sipër rëndojnë akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë që duhet thënë se Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto tre personazhet e rëndësishme për hetimet e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier, tashmë në kërkim ndërkombëtar, janë hetuar edhe më herët nga prokuroria e Elbasanit, për të njëjtat akuza për të cilat SPAK i ka marrë të pandehur. Në 7 shkurt, u bë me dije se Stela Gugallja është identifikuar në Austri dhe tashmë SPAK ka dërguar kërkesën për esktradimin e saj drejt Shqipërisë. Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga Report Tv thuhet se procedimi është regjistruar në 26 maj të vitit 2017 pas denoncimit të një personi me emrin Lefter Çollaku, i cili pas verifikimeve në regjistrin e gjendjes civile ka rezultuar anonim. Por pas hetimit një vjeçar çështja është pushuar nga Gjykata e Elbasanit, katër vjet më parë, pikërisht në 11 janar të vitit 2018.
VERINI NE PUNE KETO INCENERATORET NE CDO QYTET TE SHQIPERISE ,,,,SE DO NA MBYSIN PLEHRAT DHE PISLLEQET.....
Përgjigju