Prokuroria e Posaçme u ka komunikuar zyrtarisht akuzat Arben Ahmetajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, lidhur me inceneratorin e Elbasanit.
Mbi ish zv. Kryeministrin rëndojnë akuzat për korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim pasurie. Dy bashkëpunëtorët e tij, Mërtiri dhe Zoto, do të përgjigjen për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave. Akuzat u janë komunikuar avokatëve të pandehurve pasi të 3 janë në arrati.
Edhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Macka është marrë e pandehur. Ish-bashkëshortja e Ahmetajt akuzohet për dy vepra penale 'Fshehje pasurie' dhe 'Pastrim të produkteve të veprës penale'.
Prokuroria e Posaçme është drejt përfundimit të hetimit për ish zevenkryeministrin Arben Ahmetajn në lidhje me hetimin e nisur si fraksion i dosjes së Inceneratorëve. Hetimi nisi pas kallëzimeve që u bënë ndaj tij, se ka përfituar qindra mijëra euro, dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët e inceneratorëve.
Ahmetaj dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Prej 24 korrikut 2023 Arben Ahmetaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. SPAK, në dosjen dorëzuar parlamentit në korrik të vitit të kaluar - kur i kërkoi parlamentit autorizim për arrestimin e tij - vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, që pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt, Albina Macka, është paraqitur në SPAK së cilës i është komunikuar akuzat për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Ish-bashkëshortja e Ahmetajt është marrë e pandehur nga SPAK dhe akuzohet për dy vepra penale 'Fshehje pasurie' dhe 'Pastrim të produkteve të veprës penale'.