Alqi Bllako

Inceneratori i Fierit/ Apeli i GJKKO vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor! SPAK kërkon dënimin e Imerajt, Dervishajt, Kodrës dhe Ballkos për shpërdorim detyre! Do thirren 8 dëshmitarë

28 Tetor, 15:56| Përditesimi: 28 Tetor, 16:14

  • Share

TIRANË- Apeli i GJKKO vendosi të pranojë kërkesën e SPAK, për përsëritjen edhe njëherë të shqyrtimit gjyqësor në lidhje me të pandehurit e akuzuar për inceneratorin e Fierit. Pas kërkesës së prokurorit Dritan Prenci, gjykata vendosi të thërrasë 8 dëshmitarë për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe të pandehurën Arjola Kodrën, administratorja e Inceneratorit të Tiranës, e cila u shpall e pafajshme nga GJKKO.

Në seancën në Apelin e GJKKO, e cila zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, prokurorët kërkuan prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishajn, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra, si edhe për Alqi Ballkon, i cili u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”, 

Kërkesa e SPAK u kundërshtua nga avokatët, por nuk u mor parasysh nga Apeli i GjKKO. Seanca e radhës për të marrë në pyetje dëshmitarët do të mbahet më 7 nëntor në Apelin e GJKKO.

Më 25 shtator 2023, Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet heqje lirie ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për dosjen e inceneratorit të Fierit. Ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për akuzën “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”. SPAK, kërkon dënimin e tij për veprën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

Dënimet e GJKKO
Lefter Koka
, ish-ministër i Mjedisit, është dënuar me 10 vite burg nga GJKKO për aferën e inceneratorit të Fierit, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ish-deputet i PS-së, është dënuar me 4 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.
Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, është dënuar me 11 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të dënohet me 8 vite burg. (Në arrati)
Florian Muçaj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg, me gjyq të shkurtuar 2 vite burg! Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Erjon Murataj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, dënohet me 3 vite burg, përfundimisht do të vuajë 2 vite burg.
Azem Shatëri, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg, me gjyq të shkurtuar, 2 vite burg! Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Loran Dusha, administrator i Inceneratorit të Fierit, është dënuar me 7 vite burg, përfundimisht do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg.
Arbër Denizi, administrator i PIVOT-04, dënohet me 7 vite burg, me gjyq të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg 
4 prej tyre iu konvertohet dënimi me Shërbim Prove
Regan Merdani, Administrator i 'Froggy”sh.p.k, 3 vite burg (pezullohet dënimi) shërbim prove
Gentian Zifla, Administrator i 'Itneg”sh.p.k 3 vite burg (pezullohet dënimi) shërbim prove
Sabina Cenameri, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg (pezullim dënimi, ka një fëmijë të mitur) shërbim prove
Pellumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, është dënuar me 3 vite e 6 muaj vite burg, me gjyq të shkurtuar 2 vite e 4 muaj burg, përfundimisht me shërbim prove
Janë shpallur të pafajshëm nga GJKKO
Arben Dervishaj, Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit
Juri Imeraj, administrator i kompanisë J.P.Y
Arjola Kodra, Administratore e Inceneratorit të Tiranës

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?