Dënimi me 4 vite burg i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për inceneratorin e Tiranës, është zhbërë nga Apeli i GJKKO.
Bllako u shpall fajtor më 11 mars për korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë në dy raste, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante 2 vite e 8 muaj burg.
Por me vendimin e fundit, Apeli urdhëron rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.
Në apelimin e vendimit të Shkallës së Parë, Alqi Bllako kishte kërkuar pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihej një akuzë e tillë.
Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit.
Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin për të siguruar një pagë prej 7. 5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga Autoriteti Kontraktor.
Alqi Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë me 2 vite e 8 muaj burg për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim në Shkallën e Parë.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.B., ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Prishjen e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.
Komente
