Anëtari i PL në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Artan Distafa hedh akuza lidhur me inceneratorin e Tiranës, duke thënë se vetëm gjatë korrikut janë paguar mbi 1.5 milionë euro nga fondet publike për shërbime që nuk janë kryer.
Sipas tij, pagesat mbajnë firmën e kryetares së komanduar Anuela Ristani, me dy fatura për të njëjtën kompani koncesionare. Distafa thotë se abuzimi po vazhdon në kurriz të qytetarëve, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të pagesave deri në hetimin e plotë.
"Më shqetësues është fakti që për të mbuluar këto borxhe dhe për të mbajtur në këmbë këtë skemë vjedhjeje të organizuar, qytetarët e Tiranës po detyrohen të paguajnë tarifa gjithnjë e më të larta për pastrimin, përmes faturave të ujësjellësit. Këto rritje të tarifave janë abuzive, të pajustifikuara dhe të papërballueshme për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare, që tashmë jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Nuk ka transparencë, nuk ka logjikë financiare, por vetëm një objektiv të qartë: zhvatje sistematike e qytetarëve për të mbuluar vjedhjen që po kryhet në emër të inceneratorit të Tiranës.", tha ai.
Deklarata e plotë:
Skandali i inceneratorëve, një ndër aferat më të mëdha korruptive në historinë e shtetit shqiptar, vijon të rëndojë mbi shpatullat e qytetarëve, duke nxjerrë çdo ditë fakte të reja tronditëse që ekspozojnë thellësinë e këtij rrjeti kriminal të ngritur nga pushteti.
Sipas raportimeve më të fundit, vetëm gjatë muajit korrik, qeveria ka kryer dy pagesa të ndryshme për inceneratorin e Tiranës, një objekt që jo vetëm nuk është ndërtuar, por edhe nuk ekziston fizikisht! Megjithatë, nga fondet publike janë paguar mbi 1.5 milionë euro në muaj për këtë projekt fantazmë.
Këto pagesa janë bërë me firmën e Anuela Ristanit, e cila ka nënshkruar dy fatura të ndara për të njëjtën kompani koncesionare, për një shërbim që nuk është kryer kurrë.
Afera e inceneratorit të Tiranës, përllogaritet që prej vitit 2018 e deri në vitin 2024, t’u ketë kushtuar më shumë se 150 milionë euro qytetarëve të Tiranës, ndërsa pagesat vijojnë me të njëjtin ritëm ndonëse djegësi nuk është ndërtuar.
Ky është një akt flagrant i shpërdorimit të fondeve publike dhe një shembull i pastër se si qeveria vazhdon të ushqejë një skemë kriminale, me vetëdije të plotë dhe në bashkëpunim të hapur me kompanitë kliente.
Më shqetësues është fakti që për të mbuluar këto borxhe dhe për të mbajtur në këmbë këtë skemë vjedhjeje të organizuar, qytetarët e Tiranës po detyrohen të paguajnë tarifa gjithnjë e më të larta për pastrimin, përmes faturave të ujësjellësit. Këto rritje të tarifave janë abuzive, të pajustifikuara dhe të papërballueshme për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare, që tashmë jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Nuk ka transparencë, nuk ka logjikë financiare, por vetëm një objektiv të qartë: zhvatje sistematike e qytetarëve për të mbuluar vjedhjen që po kryhet në emër të inceneratorit të Tiranës.
Qeveria e Edi Ramës ka ndërtuar një model të kalbur, ku koncesionarët përfitojnë miliona nga arka e shtetit edhe kur nuk ofrojnë asnjë shërbim, ndërsa qytetarët mbajnë mbi supe barrën e krimit financiar.
Megjithëse SPAK-u, po heton prej 5 vitesh këtë aferë,të cilësuar si një “krim intelektual”, ende nuk ka arritur të gjejë përgjegjësitë penale të Veliaj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në bashkinë e Tiranës, denoncon me forcë këtë aferë dhe kërkojmë:
1. Ndërprerjen e menjëhershme të pagesave për inceneratorin e Tiranës, deri në hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtij skandali.
2. Hetim penal për Erjon Veliajn dhe Edi Ramën, pronarët faktikë të inceneratorit si dhe të gjithë zyrtarëve të përfshirë, në këtë krim financiar.
3. Transparencë publike mbi të gjitha pagesat e kryera, faturat dhe kontratat, që qytetarët të dinë të vërtetën mbi mënyrën se si po përdoren paratë e tyre.
4. Kthimin e parave në buxhetin e shtetit dhe ndëshkimin e çdo zyrtari që ka firmosur për një incenerator që nuk ekziston.
Qeveria nuk mund të mbulojë pafundësisht këtë mashtrim, nuk mund të fshehë përgjegjësinë penale dhe politike me propagandë dhe manipulim.
Afera e inceneratorëve është modeli real i kësaj qeverisjeje: klientelizëm, kapje e shtetit dhe vjedhje pa fund.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara me një qeveri që mashtron dhe varfëron popullin, për të pasuruar një grusht klientësh të afërt me pushtetin.
Komente
