Kronikë

Inceneratori i Tiranës/ Lefter Koka dënohet me 3 vite burg, GJKKO shpall dënimet edhe për 6 të tjerë! Njëri merr pafajësi (VENDIMI)

16 Prill, 13:53| Përditesimi: 16 Prill, 18:08

  • Share

TIRANË-  Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për Inceneratorin e Tiranës duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 3 vite burg nga 4 që kërkoi Prokuroria e Posaçme. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi i zbret në 2 vite, kohë që do të konsiderohet e shlyer me qëndrimin në paraburgim. Ish ministri Koka – sipas vendimit - do duhet të rrijë 5 vite larg funksioneve publike

Megjithatë, Lefter Kokës i duhet të qëndrojë në qeli, për shkak të një tjetër dënimi dhënë ndaj tij. Kokës i rëndojnë 6.8 vite burg për inceneratorin e Elbasanit ndërsa po rigjykohet edhe për atë të Fierit. Për inceneratorin e Tiranës, gjykata shpalli fajtorë edhe 6 të  pandehur të tjerë, të cilët gjithashtu duhet të qëndrojnë 5 vite jashtë funksioneve publike.

Me nga 3 vite burg u dënuan 4 ish-anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit, Bledar Karoli, Fatjon Murati, Taulant Tushe, Namik Simixhiu, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi ulet në 2 vite. Ashtu si Lefter Koka, edhe në rastin e tyre ky dënim është shlyer me kohën e paraburgimit, përveç Fatjon Muratit i cili vijon në arrati. Taulant Tushes i duhet të të vijojë të qëndrojë në qeli për shkak se ka masë sigurie arrest me burg në një tjetër dosje, “5D”.

Nga të gjithë të pandehurit i vetmi që fiton lirinë menjëherë pas vendimit është Bledar Karoli. Ai e ka shlyer dënimin e dhënë nga gjykata me kohën e paraburgimit dhe ndaj tij nuk ka asnjë çështje tjetër të hapur që mund ta mbajë në qeli. Namik Simixhit nga ana tjetër, i ka mbetur edhe një muaj nga dënimi. Drejtoresha juridike, Valbona Ballgjini u dënua me 2 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove. Ndërkohë, ish-anëtarja e komisionit, Sidita Kopliku u dënua me 1 vit e 6 muaj burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i konvertohet në punë në të mirë publike. Të dyja nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione publike për 5 vite.

Vetëm njëri prej të pandehurve, Jetmir Llapaj, ish punonjës në QKB u shpall i pafajshëm pasi nuk vërtetohet që ka kryer vepër penale. Gjatë seancave të pandehurit dhe avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi duke i konsideruar të pabaza pretendimet e prokurorisë. SPAK pritet ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Vendimet i Gjykatës së Posaçme
-Lefter Koka, 3 vite burg, 2 me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Bledar Karoli 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Taulant Tushe, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike, i shuhet masa
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Namik Simixhiu, 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, shuhet masa e sigurisë, 5 vite jashtë funksioneve publike
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Valbona Ballgjini, 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Sidita Kopliku, 1 vit e 6 muaj burg, 1 vit me gjykim të shkurtuar, konvertohet në punë në të mirë publike, 5 vite pa të drejtë funksionesh publike
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Fatjon Murataj, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike
Akuza: “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
-Jetmir Llapaj u shpall pafajësia

Për këtë dosje vijon gjykimi për 4 të pandehur që nuk kanë pranuar gjykim të shkurtuar. Gjyqi i zakonshëm në Gjykatën e Tiranës do të vijojë për Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi. Për inceneratorin e Tiranës, ish deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se, Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit. Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë.

Dosja e inceneratorit të Tiranës

SPAK i akuzoi 12 të pandehurit për veprime të kundërligjshme në procedurën e lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”. Kontrata u lidh mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., me kosto investimi të parashikuar nga shoqëria, në vlerën 128.2 milionë Euro pa TVSH.

Sipas SPAK, para nisjes së procedurave 7 anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, kanë propozuar dhënien e burnusit pa një raport të kostove të projektit. Nga ish-ministri Koka, drejtoresha juridike Alba Thoma e përgjegjësi i prokurimeve Bledar Karoli u bë dhe u dërgua projektvendimi në Këshillin e Ministrave për dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Nga hetimet ka rezultuar se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e biznesmenit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services”, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Prokuroria thotë se kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, që e kanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar si organizatorët e aferës së incineratorëve të Elbasanit, Fierit e Tiranës, janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • voribomsi: 16/04/2025 16:05

    per nje gram kanabis jane denuar 3 vjet- po te vjedhesh 60 milion euro - denohesh me pastrimin e qytetit - hajde politika penale hajde.

    Përgjigju
  • One: 16/04/2025 15:34

    Konfiskim pasurie ka? Se keshtu e bejne burgun te gjithe me qef

    Përgjigju
  • flori: 16/04/2025 14:29

    KETO DENIME JANE TALLJE ME SHQIOTARET,,,,ME JETET E SHQIPTAREVE TE HUMBURA NE SPITALET DHQIPTARE DHE ONKOLOGJIKU SI PASOJE E MOSPAISJEVE ME ILACE.DHE VJEDHJEVE......

    Përgjigju
  • Lali: 16/04/2025 14:11

    Hajde denim hajde ..aq mer nji per i vjedhje biciklete. Per aq mil eu sa kan vjedh kto 5 i ben me qejf aty..plus ato me te gjitha kushtet si ne shpi me shoqni e dashnore. Spak leshi..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?