Gjykata e Posaçme

Kronikë

Mbyllet gjyqi për inceneratorin e Tiranës, më 16 prill vendimi! SPAK kërkon 26 vite burg për 8 të pandehurit, mes tyre Lefter Koka dhe Taulant Tusha

7 Prill, 14:58| Përditesimi: 7 Prill, 16:39

  • Share

TIRANË- Më 16 prill ora 13:00 në Gjykatën e Posaçme do të merret vendimi për 8 të pandehurit nën akuzë për shpërdorim detyre në inceneratorin e Tiranës, teksa SPAK ka kërkuar 26 vite burg.

Në seancën e fundit të gjyqit në shkallë të parë, këtë të hënë u konkluduan pretendimet e mbrojtjes së 8 të akuzuarve, të cilët në bllok kërkuan pafajësinë dhe mohuan akuzat. I fundit që bëri mbrojtjen ishte Namik Simixhi, një nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, i cili ashtu siç edhe ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës Taulant Tusha seancën e kaluar, kishte dërguar një letër dhe nuk ishte në gjyq për shkaqe shëndetësore.. Avokati i Simixhiut tha se e shikon të pakuptimtë se si për ish-ministrin Lefter Koka ashtu edhe për klientin e tij kërkohet i njëjti dënim, me 4 vite burgim.

“Po ju dorëzoj letrën e të pandehurit prej meje, që kërkon të shpallet i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës. E çuditshme si prokurori kërkon denim njësoj si për ministrin, ashtu dhe për specialistin fundor”, tha avokati Emir Beta. 

4 vite burg gjithashtu SPAK ka kërkuar edhe për Taulant Tushen, i cili të gjithë procesin e konsideron një gjyq politik, si dhe për anëtarët e tjerë të komisionit të vlerësimit të ofertave Bledar Karoli dhe Fatjon Murati. Nëse do shpallen fajtor të pestë do të vuanin nga 2 vite e 8 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për Valbona Ballgjinin - Drejtoreshë juridike, Sidita Koplikun  anëtare e komisionit  dhe Jetmir Llapajn -  ish-punonjës i QKB – kërkohet dënimi me 2 vite burg, i cili i konvertohet në shërbim prove.

Pretenca e SPAK
Për Lefter Kokën -   ish-ministër i Mjedisit - Kërkohet 4 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2.8 vite dhe 5 vite ndalim nga ushtrimi i funksioneve publike.
Për Bledar Karolin -  Anëtar i komisionit - Kërkohen 4 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2.8 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Për Fatjon Muratin -  anëtar i komisionit - Kërkohen 4 vite burg, me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2.8 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Për Taulant Tushen -  anëtar i komisionit - Kërkohen 4 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2.8 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Për Namik Simixhiun -  anëtar i komisionit - Kërkohen 4 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2.8 vite
Për Valbona Ballgjinin - Drejtoreshë juridike - Kërkohen 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, i cili konvertohet në shërbim prove.
Për Sidita Koplikun -  anëtar i komisionit - kërkohen 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, i cili konvertohet në shërbim prove.
Për Jetmir Llapajn -  ish-punonjës i QKB - Kërkohen 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, i cili konvertohet në shërbim prove.

Për këtë dosje vijon gjykimi për 4 të pandehur që nuk kanë pranuar gjykim të shkurtuar. Gjyqi i zakonshëm në Gjykatën e Tiranës do të vijojë për Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi.

Për inceneratorin e Tiranës, ish deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se, Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit. Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë.

Për çfarë akuzohen nga SPAK
SPAK  i akuzon 12 të pandehurit për veprime të kundërligjshme në procedurën e lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”. Kontrata u lidh mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., me kosto investimi të parashikuar nga shoqëria, në vlerën 128.2 milionë Euro pa TVSH.

Sipas SPAK para nisjes së procedurave 7 anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, kanë propozuar dhënien e burnusit pa një raport të kostove të projektit. Nga ish ministri Koka, drejtoresha juridike Alba Thoma e përgjegjësi i prokurimeve Bledar Karoli u bë dhe u dërgua projektvendimi në Këshillin e Ministrave për dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Nga hetimet ka rezultuar se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e biznesmenit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services”, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Prokuroria thotë se kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, që e kanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar si organizatorët e aferës së incineratorëve të Elbasanit, Fierit e Tiranës, janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

A.Q/K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?