Politikë

Inceneratori, PL: Dumani nuk heton Ramën, godet vetëm Metën

16 Gusht, 11:26| Përditesimi: 16 Gusht, 11:47

  • Share

Partia e Lirisë i kërkon kreut të SPAK Altin Dumani, të nisë hetime ndaj kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Nëse kjo nuk ndodh, thotë anëtari i këshillit bashkiak, Artan Distafa, tregon se është në shërbim të qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë, sipas tij - si në rastin e Ilir Metës.

Fjala e plotë:

Në vitin 2024, inceneratori fantazmë i Tiranës, raportoi një fitim marramendës prej 10.3 milionë eurosh, një rritje prej 36% krahasuar me vitin pararendës. Fitime që nuk burojnë nga ndonjë punë reale, por nga miliona euro taksa të qytetarëve shqiptarë që vazhdojnë të derdhen në një gropë të zezë korruptive.

Në Tiranë nuk ka incenerator, megjithatë, pagesat vijojnë çdo muaj me bekimin, heshtjen dhe bashkëfajësinë kriminale të SPAK, që këtë aferë e cilëson si “krim intelektual” të vështirë për t’u hetuar.

Meqënëse pagesat ende vijojnë për një shërbim që kurrë nuk u kryer, Altin Dumani duhet të na tregojë ku është inceneratori i Tiranës?

Pse lejon vijim e aferës me mos ndërprerjen e pagesave?

Pse nuk ka ende një hetim penal ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, dy pronarët faktikë të kësaj mega-afere?

Të gjithë shqiptarët e dinë tanimë, vendimin e Edi Ramës që i dha kompanisë së inceneratorëve, kur ekzistonte as në letër, 8% bonus favorizim.

Të gjithë shqiptarët e dinë se Erion Veliaj, me firmë të tij, në tejkalim të kompetencave dhe në shkelje të ligjit për pushtetin vendor i hapi udhën kësaj afere.

Përse SPAK nuk guxon të marrë të pandehur për këtë aferë Edi Ramën dhe Erion Veliaj?

Kjo është prova më e qartë se sistemi i drejtësisë së re nuk është i pavarur, por selektiv dhe i kontrolluar.

Megjithëse SPAK-u, po heton prej 5 vitesh këtë aferë, të cilësuar si një “krim intelektual”, ende nuk ka arritur të gjejë përgjegjësitë penale të Ramës dhe Veliaj, sepse si në çdo aferë ku del emri i Kryeministrit, Dumani mbyll edhe sytë edhe dosjet.

Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, denoncon me forcë këtë aferë, heshtjen kriminale të SPAK, të kapur për fyti nga Edi Rama dhe kërkon me vendosmëri:

1. Ndërprerjen e menjëhershme të pagesave për inceneratorin fantazmë të Tiranës.

2. Hetim penal për Erion Veliaj dhe Edi Ramën, pronarët faktikë të inceneratorit.

3. Transparencë publike mbi të gjitha pagesat e kryera, faturat dhe kontratat.

4. Kthimin e çdo qindarke të vjedhur në buxhetin e shtetit.

Çdo ditë që kalon dhe SPAK nuk merr në përgjegjësi penale Edi Ramën, provon se është fund e krye, një vegël qorre në shërbim të tij, për të goditur vetëm kundërshtarët politikë, veçanërisht denoncuesit më të vendosur të aferës së inceneratorëve, si në rastin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili çmontoi dhe denoncoi i pari skandalin e inceneratorëve, ndërkohë që vijon të mbahet në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale, në mënyrë që pronari faktik i inceneratori, Kryeministri Rama të vijojë të vjedhë i lirë dhe i qetë.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?