Policia në Lezhë qëlloi me armë ndaj një automjeti, shoferi i të cilit nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar në aksin rrugor Lezhë–Milot pranë fshatit Gajush
Sipas policisë, i riu po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Efektivët e patrullës së policisë qëlluan me armë në drejtim të gomave të automjetit që tentoi edhe t’i përplasë ata, për ta neutralizuar me dyshimin se mund të ishte me rrezikshmëri të lartë.
Nga të shtënat nuk pati të lënduar. Shoferi i automjetit Justin Dushku u ndalua dhe u shoqërua në komisariat, ku u zbulua se e drejtonte automjetin pa patentë, e cila i ishte bllokuar më herët nga policia.
Në makinë, iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje.
Drejtuesi i mjetit Justin Dushku dhe pasagjeri 20-vjeçar që ndodhej me të, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.
Po ashtu, po hetohet për kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.
Njoftimi i Policisë
Drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr, si dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale, drejtuesi i automjetit u neutralizua pa pasoja.
Rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, shërbimet e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe sigurinë e Autostradave, të caktuar me shërbim në Lezhë, i bënë shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhërave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente.
Ngjarja është menaxhuar pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 291, 236 dhe 279 të Kodit Penal.
Një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po kryen të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.
Komente

Bravo policia per reagimin e shpejte e profesional qe bene per t'a bllokuar! Shpresoj qe te mos kene mes eproreve te tyre,apo atyre qe po u hetojne veprimin ndonje /Oltion Bistri/!
PërgjigjuSa guxim ai polici qe ka gjujt, harron qe jetojm nvend tvogel, kan pa shum filma amerikan
PërgjigjuPo ai qe ka dashur ti godasi me mjet e di me ke ka te bej ??
Mire do ishte ta kishte vrare te ven mende kafshet qe po rezikojn njerzit ne ruge qe ein si te cmendur