Incident në Cirk, flet akrobati i dëmtuar: Në institucion s’ka kushte, mungonte edhe kutia e ndihmës së shpejtë

13 Janar 2020, 16:16| Përditesimi: 13 Janar 2020, 16:25

  • Share

Në krah të Teatrit Metropol, në qendër të Tiranës gjendet Cirku Kombëtar, ku rreth 22 akrobat edhe pregjistatorë ushtrohen këto ditë në të ftohtë, në palestër dhe çadër. Ndonëse, viti që lamë pas përkonte me 60-vjetorin e Cirkut, “Katedralja e Parisit” me koreografi të Llaqi Nakos nuk u realizua e plotë për spektatorët, për shkak se prej një muaj, shfaqjet në këtë institucion janë pezulluar. Edhe jo rastësisht, por për shkak të një incidenti të ndodhur, ku akrobati Gerald Shima, dëmtohet në kokë. Pas denoncimit publik të koreografit Llaqi Nako, edhe kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi, flet për kushtet në të cilat punojnë çdo ditë këta akrobatë, që duhet të ushqejnë me art publikun.

“Cirku ka pasur probleme edhe shqetësime nga më të ndryshmet, edhe gjatë kësaj periudhe që po flasim disa nga detyrat që ka lënë inspektorati i punës po realizohen. Por përgjegjëse për gjendjen e cirkut që gjendet në këtë situatë sot, është e Ministria e Kulturës, edhe qeveria, që e kanë trajtuar cirkun si një institucion të dorës së dytë apo të tretë, ndërkohë që është Cirk Kombëtar. Nuk di nga ta fillosh më parë, për kushtet e punës apo situatën”, shprehet ndër të tjera Reshat Ibrahimi. 

Ndërsa, vet akrobati Gerald Shima dhe përgjegjësi teknik Luan Hadaj edhe pse tregojnë versione të ndryshme të ngjarjes, së ndodhur në prani të tetë akrobatëve, ku gjëma mund të kishte qenë edhe më e madhe, se disa qepje në kokë, flasin edhe për letrat që i kanë drejtuar Ministrisë së Kulturës mbi kushtet edhe kujdesin, që duhet treguar për shkak të amortizimit të çadrës.

“Kemi hasur problematika të shumta. Në institucionin tonë mungojnë disa kushte themelore, që nga ngrohja. E kemi ngritur shpeshherë zërin, e fundit ka qenë pjesa e sektorit teknik, që ka sjellë edhe shumë probleme. Edhe vet kam bërë kërkesë që të shikohej situata një muaj para ngjarjes, pasi po punonim për një numër të vjetër që po risillej në skenë. Kisha shqetësimet e mia që i kam përcjell, edhe kemi marrë konfirmimin se çdo gjë ka qenë në rregull”, rrëfen akrobati Shima, i cili pas incidentit në çadrën e Cirkut, ka shkuar për t’u mjekuar në Spitalin Ushtarak, sepse në institucion ku punon, nuk mund të merrte as ndihmën e parë, për mungesë të kutisë së ndihmës së shpejtë.

“Pas incidentit kam shkuar në Spitalin Ushtarak. Kam qenë atje gjatë gjithë ditës për të parë vijueshmërinë, por fatmirësisht ka rezultuar jo shumë serioze. Shpenzimet i kemi mbuluar vet deri tani. Nga MK erdhën disa persona u interesuan”, rrëfen akrobati, me shpresën, që kjo që ndodhi t’i bëjë më të përgjegjshëm krerët e institucioneve përkatëse, që të mundësojnë politika sigurie më të rrepta në punë.

“Inspektorati i Punës pas inspektimit ka lënë tre detyra, të cilat duhet të bëhen. E para, kutia e ndihmës së shpejt, që ka ardhur, se nuk e kemi pas. Jemi duke biseduar që pesë artistë të marrin gjithë trajnimin e duhur, edhe po flitet me institucionet, që tërë kohës të kemi një mjek në Cirk”, shprehet Erisa Dakli, sekretare e sindikatës së artistëve në Cirkun Kombëtar.

Ndërsa, përgjegjësi teknik i Çadrës së Cirkut, Luan Hadaj, edhe pse e pranon amortizimin e Çadrës, flet për masat e herëpashershme që marrin specialistët e skenës brenda mundësive. 

“Kjo vjen, edhe si pasojë e mosmarrjes së informacionit të duhur nga artistët, ju kemi thënë të gjithë artistëve që duhet që të kolaudojnë veglat para se t’i përdorën edhe hipin në to. Nga specialistët brenda institucionit janë të certifikuara... Kemi bërë kërkesa tek titullarët, në mënyrë të përvitshme, për të mos thënë që brenda muajit bëhen shumë kërkesa, sepse amortizimi ndodh si në çdo lloj gjëje, por ne jemi munduar që këtë ta mbajmë në gjendjen më të mirë të mundshme”, shprehet ndër të tjera Hadaj.

Pas ngjarjes së ndodhur akrobatët e Cikut Kombëtar kanë dhënë shfaqje vetëm pranë fëmijëve, në vendet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Ky institucion gjatë vitit që lamë pas drejtohej nga Sajmir Çili, i cili u lirua nga detyra që në muajin tetor (1 muaj para incidentit). Drejtori i ri i Cirkut është Ilirjan Gjini (emëruar pas incidentit në cirk, datë 24 dhjetor), por ende nuk dihet se kur do të fillojë puna në çadër.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?