MIAMI, SHBA - Argjentina është fituese e Kupës së Amerikës për vitin e dytë radhazi. "Albiceleste" fituan 1-0 kundër Kolumbisë në finalen e madhe, teksa vendosi një gol i Lautaro Martinez në minutën e 112-të.
Sfida në stadiumin e Miamit nisi me 1 orë e 20 minuta vonesë, kjo për shkak të kaosit që u krijua nga tifozët, të cilët kërkonin të futeshin në stadium me vonesë.
Përballja ishte e luftuar, me raste, por koha e rregullt u mbyll 0-0. Për Argjentinën Lionel Messi luajti vetëm 66 minuta, duke dalë pas një dëmtimi në kyçin e këmbës së djathtë.
Duhej shtesa dhe minuta e 112-të që Lautaro Martinez të shënonte golin e vetëm pas pasimit të Lo Celso, teksa më i miri në fushë u shpall Dibu Martinez, portieri i Argjentinës.
Kjo ishte humbja e parë për Kolumbinë pas 28 ndeshjeve radhazi, ndërsa lojtari më i mirë i turneut u shpall kolumbiani James Rodriguez.
Kësisoj Argjentina fiton për herë të dytë radhazi Kupën e Amerikës dhe për herë të 16-të në histori të tyre.
Skuadrat më të suksesshme në Copa America:
Argjentina – 16
Uruguai – 15
Brazili – 9
Kili – 2
Paraguaj – 2
Peru 2
Bolivia – 1
Kolumbia – 1