Incidenti me Vjosa Osmanin në aeroport, Kosova dërgon notë proteste! Reagon Maqedonia e Veriut! Të hënën Kurti në Shkup

3 Gusht, 15:31| Përditesimi: 3 Gusht, 19:53

  • Share

Shkup- Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dërguar një notë proteste autoriteteve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit në aeroportin e Shkupit më 1 gusht 2024. 

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme dhe diasporës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se përveç paraqitjes së notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit, e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadoren maqedonase në Kosovë, ndërsa është takuar edhe me zv.kryeministrin Arben Fetai dhe ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Maqedonisë Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Ky ishte reagimi i parë i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Në komunikatë thuhet se në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup.

“Ministria e Jashtme tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha Institucionet kompetente lidhur me ngjarjen. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me MPB-në, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Për skandalin me presidenten Osmani, kanë vazhduar përplasjet politike në vend. BDI-ja opozitare në reagim thotë se të gjithë eksponentët e Vlen kishin nga një skenar arsyetues, ndryshe nga njëri tjetri, dhe që të gjithë u demantuan nga Presidenca e Kosovës, nga MPB dhe nga koncesioneri TAV.

“Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi”, reaguan nga BDI.

BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Me kundërpërgjigje nga VLEN

“Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit. Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?”, theksuan nga VLEN shkruan Alsat 

Të enjten ministria e Brendshme maqedonase tha se ka hapur hetime. Ndërkohë presidenca e Kosovës tha dje se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Më 1 gusht 2024 zyra e presidentes Osmani, tha se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.

Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, thuhej në një deklaratë duke iu referuar Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti pritet të jetë në një vizitë zyrtare të hënën në Shkup. 

Ora 19:06
Albin Kurti të hënën vizitë zyrtare në Shkup, pak ditë pas incidentit me Vjosa Osmanin në aeroport

Kryeministri Albin Kurti, do të jetë të hënën në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur mediat kosovare.

Mësohet se kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime me krerët e shtetit maqedonas, nga homologu i tij Hristijan Mickoski dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Ndërkaq, burimet kanë paralajmëruar një takim edhe me kryeparlamentarin e RMV-së, Afrim Gashi, mëson klan kosova.

Kjo vizitë e Kurtit në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat. Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.

Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.

MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.

Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin. 

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?