Pasi Indeksi i Bazelit e klasifikoi vendin tonë me rrezikshmëri të lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe vendin e parë ne rajon me risk të lartë për pastrimin e parave, ish-deputeti i LSI-së Përparim Spahiu thotë se ka ulje drastike të investimeve të huaja direkte dhe janë në nivelet më të ulëta historike. Ai thekson se askush nuk investon në një ekonomi ku është vrarë konkurushmëria dhe stimulohet paraja e zezë.
Postimi i plotë i Përparim Spahiut:
Indeksi i Baselit, pas Moneyval, i vë vulën që Shqipëria është kthyer në vend të pastrimit të parave. Renditemi në vendin e dytë në Europë, pas Turqisë, si vendi me risk të lartë të pastrimit të parave. Problemeve të konkurushmërisë, uljes së produktivitetit të ekonomisë, problemeve që krijohen nga luhatjet e kursit të këmbimit apo dhe problemeve sociale i shtohet ai më shqetësuesi për situatë ku gjendet ekonomia sot. Ulje drastike të investimeve të huaja direkte. Ky fakt tregon edhe arsyet se pse këto investime janë në nivelet më të ulëta historike. Prej vitesh nuk dëgjojmë emra investitorësh të huaj në Shqipëri. Askush nuk investon në një ekonomi ku është vrarë konkurushmëria dhe stimulohet paraja e zezë. Prandaj jo vetëm investirorë të huaj por dhe vendas nuk zgjedhin më Shqipërinë por Maqedoninë. Të dhënat e fundit flasin për rreth 1.3 miliardë euro që po investohen në Maqedoni nga bizneset shqiptare. Pa as më të voglin dyshim Rilindja mund të quhet kampione e rekordeve negative në çdo sektor.