Indeksimi i pensioneve në tetor ende pa shifër konkrete, diskutohet 4.1%! Propozimi; kush merr më pak, të indeksohet më shumë

6 Shtator, 14:58| Përditesimi: 6 Shtator, 15:12

  • Share

Më shumë se 770 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, do të përfitojnë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor. Diskutimet aktuale janë përqendruar tek një normë indeksimi 4.1%, por ende nuk ka një vendim përfundimtar, pasi po shqyrtohet mundësia që rritja të jetë më e lartë se kjo shifër.

Nëse indeksimi do të mbetet në këtë nivel, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të pensionit urban të pleqërisë që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.

Po ashtu në tryezën e diskutimit është edhe indeksimi i diferencuar, që varet tërësisht nga vlera e pensionit. Nëse një masë e tillë miratohet, synimi është që pensionet e ulta do të kenë një shtesë më të madhe se indeksimi normal që ndodh çdo vit.

Kalimi drejt një indeksimi të tillë, mund të ndërmerret si vendim për shkak të numrit të madhe të qytetarëve me pensione të ulta, ku vetëm sipas shifrave zyrtare afro 50% e pensionistëve marrin pagesë të pjesshme mujore. Një shtesë e tillë do ti ndikonte direkt në xhepin e mijëra qytetarëve, pasi do të merrnin një rritje të konsiderueshme gati sa shpërblimi i fundvitit.

Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë 137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3 miliardë 650 milionë lekë.

Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022- gusht 2023. Por këtë viti inflacioni është ulur, dhe për pasojë indeksimi është në një shifër më të vogël se vjet.

Pas një dekade nga reforma e pensioneve, qeveria po punon me ndërkombëtarët për një skeme të re pensionesh. Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre, diferenca  mes pensioneve urbane dhe rurale, vitet e punës e deri tek vlera e kontributeve që paguhet gjatë viteve të punës.

Si një nga institucionet ndërkombëtare që po asiston institucionet vendase në përgatitjen e skemës së re, Banka Botërore pati sqaruar për Report TV se rekomandimet e tyre do jenë tek sfidat demografike, nxitja për të rritur numrin e kontribuuesve, masa për qëndrueshmëri dhe drejtësi në skemë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?