Sali Berisha

Opinion

Indrit Vokshi: PD-ja pa kandidat për Tiranën, shenja më e qartë e kapitullimit politik

6 Tetor, 15:15| Përditesimi: 6 Tetor, 15:23

  • Share

Të mos kesh brenda hierarkisë tënde asnjë person për ta kandiduar për Tiranën, quhet kapitullim dhe zvetnim politik. Kur thuhet se duhet dikush i cili merr vota të qytetarëve, nënkupton se ata që ti ke te partia, marrin vota vetëm brenda oborrit të selisë, pra janë ushtarë pa prestigj.

Gjithmonë janë kandiduar figura partiake me njëfarë prestigji. Mustafaj, Ngjela, Olldashi, Basha, edhe Bamiri i cili s’u kandidua por mund ta fitonte, ishin figura partiake të PD-së së dikurshme.

Sot, duke pranuar se nuk duhet dikush partiak, po pranohet se partiakët aty janë niveli për të qeshur gomari me ta. Po pranohet se partia ka imazh aq të degjeneruar dhe komik, saqë shoqëria e Tiranës e quan si diçka me zgjebe të cilës i duhet ndejtur larg; prandaj duhet maskuar kandidimi, duhet nxjerrë ose mbështetur dikush pa zgjebe, dikush i cili nuk identifikohet hapur me partinë në fjalë, sepse po u identifikua e quajnë edhe atë me zgjebe dhe i bien pikët në publik. Si komunistët e para 100 vjetëve të cilët, ngaqë opinioni i quante terroristë, infiltronin anëtarët e tyre në platforma me emër e fytyrë pak më të pranueshme.

Kjo ditë ku ndodhet sot ish PD-ja, u iniciua nga Sali Berisha, por u mundësua nga mijëra militantë e simpatizantë të cilët e mbështetën projektin e tij për një PD ku ka vetëm besnikë të verbër, ku promovohen vetëm njerëz të cilët s’kanë asnjë mendim e gjykim, asnjë guxim dhe fuqi karakteri, por veç i binden dhe i nënshtrohen Sali Berishës.

Nëse deri dje ka qenë diçka më ndryshe, ka pasur fytyra ndërmjetëse midis partisë dhe pjesës tjetër të shoqërisë, sot janë vetëm ata, ai klan, e si rrjedhojë iu duhet të ri-maskohen, sepse fytyrat e tyre nuk janë aspak simpatike. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht, u punua për këtë ditë.

Tani jepini edhe një mandat tjetër në krye të partisë (2026-2030) që t’i japë dorën e fundit, ta katandisë si partia e Vojsllav Sheshelit në Serbi, e cila ka vetëm huliganët e stadiumeve dhe fanatikët që besojnë se duhet ngjallur Car Dushani dhe mbretëria mesjetare — dhe cilido që është kundër ringjalljes në fjalë, duhet pështyrë, sharë, shpallur tradhtar dhe i shitur./Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?