Edi Rama

Opinion

Indrit Vokshi: Qeveria 'Rama 4', do të bëhet me 'ish-demokratë'?

27 Gusht, 19:32| Përditesimi: 27 Gusht, 19:34

  • Share

Nuk dihet sa e vërtetë është kjo. Por s’ka asnjë çudi. Në 2007, Sali Berisha zgjodhi presidentin Topi me votat e 6 a 7 socialistëve (koalicion fluid utilitar). Në 2013 mbajti qeverinë me votat e socialistëve Asllan Dogjani (sot demokrat i flaktë), Kastriot Islami e i ndjeri Gjovalin Kadeli (koalicion fluid utilitar).

Por kulmi ka qenë qeveria e vitit 2009 kur Berisha mori në qeveri krahun më fanatik të së majtës; jo veç ministrat, por çka ishin poshtë ministrave ishin enveristë radikalë, nostalgjikë të epokës së Mehmet Shehut, ish- punonjës të Sigurimit etj të cilët e quanin PS-në të butë, të liberalizuar dhe jo aq komuniste sa dëshironin ata.

Dëboi grupimin e Bamir Topit, pranoi të humbte votë të djathtë vetëm që grupimi i Topit të mos kishte më akses në parti e në pushtet dhe, kur doli 70 mandate, boshllëkun e kompesoi me LSI-në. Dhe prej asaj dite LSI nuk iu nda PD-së. E lidhi fatin me ta.

Ju do të thoni ai ishte koalicion, ndërsa kjo e Ramës është "blerje". Nuk është e vërtetë. Edhe kjo e Ramës koalicion është, veçse është koalicion ndryshe. Jo të gjitha koalicionet janë njëlloj. Ka forma e forma koalicionesh.

Ka koalicion direkt me strukturën zyrtare partiake, ka edhe koalicion me flukse, individë, korente apo rrjete shoqërore të  cilat dikur i përkisnin krahut tjetër.

PD-ja (as PS-ja) nuk është pronare e njerëzve e nuk mundet t’iu kërkojë llogari e t’iu thotë se meqenëse dikur ke aderuar te unë, duhet të aderosh përjetësisht te unë.

Akuzat që PD-ja zyrtare e vulës dhe selisë do të hedhë në drejtim të njerëzve të cilët mund (nese..) të bashkohen me Edi Ramën, janë kot, sepse nuk ka pronësi mbi ta. Aq më tepër që shumicën prej tyre i ka dëbuar vetë me akuzat për tradhëti dhe jo adhurim në nivelet e duhura të figurës së Sali Berishës.

Në pikën ku ka arritur pushteti i Edi Ramës ai ka nevojë për rotacion të interesave. Nuk munden të polarizohen kampet në shoqëri, pushteti gjithçka, ndërsa kush nuk është afër pushtetit, përjashtohet, eksterminohet dhe të shtyhet në periferi të shoqërisë. Kjo shkakton probleme dhe frustrim në shoqëri dhe Edi Rama e kupton; nëse nuk e kupton ia kanë shpjeguar këshillëtarët shqiptarë dhe të huaj.

Kur u nis foltorja në vitin 2021, premtimi ka qenë "Më të fortë, më të hapur, më të bashkuar". Pas 4 vjetësh realiteti është "Më të dobët, më të mbyllur, më të përçarë" - pra një dështim spektakolar për të cilin askush nuk guxon të flasë sepse udhëheqësi ia pret gjuhën me gërshërën e cila ka formën e dy gishtave të demokracisë.

Tani taksirat i ka mbetur Edi Ramës të mundohet t'i shpëtojë demokratët nga degradimi i interesave të tyre. Fundja edhe Edi Rama ish- demokrat është, themelues i PD është, veçse i dëbuar qysh ditët e para sepse udhëheqësi e nuhati që ai ishte armik i votës së lirë dhe e largoi qysh në fillim.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?