PD ka "vjedhur" 612 vota, PS vetëm 380. Sali Berisha e pajisi narkoshtetin me çertifikatë pastërtie. Tani Edvini i Zi i Drogës iu thotë shqiptarëve dhe të huajëve: Ja, në 1207 kuti votimi, kanë luajtur gjithësej për të gjitha partitë, 1202 vota, dmth mesatarisht 1 votë për kuti. Pra nuk kam vjedhur asnjë votë, asnjë mandat, kam pushtet legjitim. Mënyrë më të mirë për tia legjitimuar mandatin IV nuk kishte.
Ata që ia thonë ketë të vërtetë Berishës, quhet se i shërbejnë Ramës, ndërsa ai vetë që i jep çertifikatë pastërtie Ramës, ai i shërben votës së lirë. E kuptoni çfarë çmendurie? Masakër zgjedhore quhet kur pushteti të vjedh votat, kur votat që janë hedhur në kuti pro opozitës, pushteti i shënon për veten dhe, duke i shënuar për veten, merr më shumë mandate deputeti. Kjo ska ndodhur. Masakër në Shqipëri është 1996 që e bëri vetë Berisha, është 1997 që e bëri Nano dhe është 2001 që e bëri kryeministri Meta duke futur policinë në qendra votimi. Më vonë nuk kanë ndodhur masakra zgjedhore.
Tani ju pyesni, pse e shkruan ti ketë, a ke qëllim të legjitimosh zgjedhjet e Ramës? Aspak, zgjedhjet e Ramës i legjitimoi vetë Berisha me rinumërim. E shkruaj ketë kundër një tradite e cila shpik masakra dhe genocide zgjedhore, vetëm e vetëm që të mos shtrohen pyetje të tjera për diskutim.
Përshembull, duke u ngulur të masakra, partia ngujohet dhe refuzon të shtrojë pyetje të tjera të tipit: A e kishim lidershipin më simpatik e të pëlqyer? A e kishim ekipin politik të atij kualiteti që njerëzit, shqiptarët, të zgjohen ditën e dielë dhe të shkojnë në kutinë e votimit e të votojnë opozitën duke pasur besim se fitorja e opozitës do ta përmirësojë jetesën në Shqipëri? Propaganda bajate thotë: Jo po as Rama nuk e kishte ekipin më të mirë. Krejt dakord. Nëse jeni barazim, keq Rama e keq Berisha, pse shqiptari duhet të zgjohet në mëngjes që të rrëzojë Ramën e të sjellë në pushtet Berishën? Keq për keq, spo lodhen, po shohin miqësitë dhe interesat utilitare me pushtetin.
Pse nuk votuan partitë e reja, aty i kishin? Përsëri propagandë bajate. Partive të reja iu duhen disa palë zgjedhje për tu afirmuar e për të krijuar besimin se munden të qeverisin që njerëzit tu japin mundësinë për të qeverisur. Rasti i VV në Koosvë. Pra partitë e reja dhe partitë si PS e PD që kanë krijuar një bazament si përmes konfliktit duke polarizuar emocionalisht, si përmes pushtetit dhe favoreve duke polarizuar ekonomikisht, nuk mundemi t'i gjykojmë me të njejtin kriter.
Duhet të kuptojmë diçka. Rama e ka humbur legjitimitetin politik në kuptimin se po bën diçka të mirë e civilizuese. Mirëpo Berisha e ka legjitimitetin edhe më të shkatërruar, sepse në të gjitha pikat ku ai ankohet, i ka bërë vetë më keq. Përshembull, ankohet për masakrën zgjedhore, është i vetmi që në 1996 e ka nxjerrë opozitën me 5 deputetë. Ankohet për "burgosje të liderit të opozitës", është i vetmi i cili ka burgosur një lider opozite në 1993, e jo në shtëpi por në Bënçë të Tepelenës. Ankohet për dhunë kundër opozitës, është i vetmi që pas Ramiz Alisë ka gjuajtur plumba në protestues. Ankohet për krimin në zgjedhje, nja 80% e këtyre që janë me Ramën, kanë qenë me Berishën, ai i ka rritur. Ankohet për përdorim të shtetit në zgjedhje, para secilave palë zgjedhje falte dritat e gjobat. Etj.
Këta tani në vend që të shohin për lidership opozitar legjitim që të ketë epërsi argumentuese, dhe mbi të gjitha të shihet si lidership i të ardhmes që njerëzit e kanë rrugën bashkë me të, ngulen aty dhe thonë o me Berishën e me tarafin e tij, o ska. Shumë bukur, secila parti e zgjedh vetë fatin e saj. Veç ta dinë se nuk i dëgjon askush e nuk ua qan hallin askush.
Për ta mbyllur: Më tha një socialist, Berisha duhet të ikë, duhet të largohet. E pashë e i them, po ti çfarë ke, pse gjykon me emocion? Unë mund të them se duhet të ikë, kurse ti je në rregull, si socialist po të mendosh me interes e jo me emocion apo inat se iu ka rrahur në 1996, ju jeni në rregull sepse fitoni sa herë të doni. Më tha, a di se ke të drejtë? E di, i them.
Tani i pajisi socialistët me çertifikate zgjedhjesh të lira. Ska nevojë për raport të OSBE-OHDIR.
Komente
