Industria farmaceutike evropiane i ka kërkuar Brukselit të mos hakmerret nëse presidenti amerikan, Donald Trump, vendos tarifa për ilaçet e importuara, mes frikës se ai mund t’i vendosë ato që javën e ardhshme.
Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin belg të enjten, presidenti i Federatës Evropiane të Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike, Stefan Oelrich, tha se do të ishte në dëm të të gjithëve nëse BE-ja do të kundërpërgjigjej me taksat e veta të importit.
“Po eksportojmë shumë mallra nga SHBA në Evropë,” tha Oelrich.
“Nëse vendosen tarifa në këtë drejtim, do të jetë negative për të dyja palët. Nëse përgjigjemi me tarifa, është thjesht një ide e keqe. Është një koncept i gabuar.”
Dinamika e negociatave të BE-së me SHBA-në mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme. Franca dhe Gjermania mbështesin një marrëveshje të shpejtë në stilin e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa shumë shtete të tjera anëtare, veçanërisht vendet baltike, janë të etura të ndërtojnë marrëdhënie më të ngrohta me Trump, pas "fitores së madhe" të tij në samitin e NATO-s mbi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, pasi ato duan që presidenti të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Ndërsa koha kalon, po shtohen spekulimet se BE-ja do të arrijë një marrëveshje të kufizuar për automobilat dhe çelikun – të ngjashme me marrëveshjen dypalëshe të ndërmjetësuar nga Keir Starmer në maj, e cila hyn në fuqi të hënën por pa ndonjë pritshmëri në industrinë farmaceutike që ajo të përfshihet.
Oelrich tha:
“Nuk ka ndonjë kërkesë specifike [nga SHBA] përveç... në masën e mundshme për të kufizuar barrierat tregtare në zero, gjë që do të ishte ideale për ne dhe/ose diçka shumë pranë zeros. Tarifat do të rrisin koston e ilaçeve dhe të kujdesit shëndetësor. Ato gjithashtu do të krijojnë, në fund të fundit, kosto më të larta për pacientët.”
Pas takimit të udhëheqësve të BE-së të enjten, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i kërkoi BE-së të arrijë një marrëveshje tregtare të shpejtë dhe të thjeshtë, në vend të një procesi të ngadaltë dhe të ndërlikuar. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se dëshironte një marrëveshje të shpejtë dhe pragmatike, por nuk mund të pranonte kushte të pabalancuara.
Oelrich, i cili është anëtar i bordit drejtues në kompaninë farmaceutike gjermane Bayer, bëri gjithashtu thirrje për një sërë reformash në lidhje me financimin, çmimet dhe rregullimin e barnave, duke thënë se ndryshime të tilla mund të ndihmojnë në rivendosjen e epërsisë së dikurshme të Evropës në kërkim dhe zhvillim farmaceutik.
Thirrja e tij vjen mes shqetësimeve se BE-ja po humbet terren përballë SHBA-së dhe, gjithnjë e më shumë, Kinës, e cila në vitin 2023 e tejkaloi Evropën si krijuese e substancave të reja aktive, me 25 të sjella në tregun botëror, krahasuar me 17 nga BE-ja dhe 28 nga SHBA.
Oelrich tha se të dhënat tregojnë se një e katërta e barnave të miratuara nga FDA në SHBA gjatë 10 viteve të fundit nuk kanë mbërritur në Evropë për shkak të barrierave jotarifore, siç janë rregulloret dhe politikat e ndryshme të çmimeve në secilin shtet./The Guardian
Komente
