Infektimi për herë të dytë nga COVID? Fico: Shumica preken nga mutacionet që pëson virusi, nuk quhet riinfektim!

8 Shkurt 2021, 14:19| Përditesimi: 8 Shkurt 2021, 17:03

  • Share

Teksa ditën e sotme u raportuan dy raste të infektimit për herë të dytë nga koronavirusi në Shkodër, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico shpjegon se nuk kemi raste të riinfektimit, por thjeshtë të një mutacioni. Gjatë një interviste në Report Tv, ajo shprehet se në gjuhë shkencore, riinfektimi është kur një person preket sërish nga e njëjta shtamë bakteriale ku edhe në rang global, këto janë raste të rralla.

Fico deklaroi se këto janë raste të infektimeve nga mutacionet që pëson koronavirusi por janë vetëm analizat të cilat përcaktojnë përfundimisht rastet e caktuara. Edhe për rastet e Shkodrës, Fico tha se duhen pritur analizat përfundimtare.

"Të gjitha rastet, ne i kemi dërguar për vlerësimin e sekuencimit. Të infektohesh nga e njëjta shtam, është riinfektim. Nuk mund ta përjashtojmë sekuencimin e këtyre rasteve. Me shumë mundësi ka që të jetë një mutacion i virusit dhe jo e njëjta. Duhet të presim analiza.  Përsa i përket mutacioneve, ne vijojmë të dërgojmë mostra. Sekuencimi merr një kohë të caktuar. Ne bëjmë atë që quhet, prediagnozë. Duhet të jemi të kujdesshëm kur themi riinfektim. Virusi ka më shumë 'fytyra' se sa mendojmë. Për sa kohë që nuk kemi një përgjigje të sekuencimit të tyre, është e kotë të merremi me riinfektimit. Nga studimet  botërore, riinfektimet numërohen në një nivel shumë të ulët" - tha Fico.

Për rritjen e numrit të të infektuarve, Fico tha se ka ardhur për shkak të rënies së vigjilencës dhe faktin se të rinjtë ende nuk e kanë marrë seriozisht se janë të rrezikuar. Ajo tha se nuk mund të jetë vetëm vaksinimi ajo që mund ta mbajë nën kontroll situatën.

"Në fillim të pandemisë në mënyrë të përsëritur, mesazhi ishte për moshat e treta. Ajo që kemi parë dhe kemi thënë, ka një ndryshim në prekjen e moshave më të reja. Ne kemi vënë re prekje në mosha që disa muaj më parë nuk kishin përqindje pozitiviteti siç e kanë sot. Fakti që ka një rënie të vigjilencës së qytetarëve, të gjitha çojnë në rritje të numrave. Ulja e temperaturave, qëndrimi në ambiente të brendshme. Nuk duhet të merret si diçka që na ka çuar në fundin e kësaj pandemie. Të gjitha ato që nuk i kemi bërë mirë, rregullat që nuk kemi zbatuar. Gjërat që ne presim të ndodhin, nuk mund të jenë shkak që ne të shkojmë në shifra të larta dhe në rregulla të reja kufizuese. Është e pamundur që të ketë vetëm një element, për vaksinimin që të mbajë nën kontroll situatën. Më vjen keq kur shoh të rinjtë që nuk e përtypin faktin se virusi nuk kursen moshat e reja. Ne kemi një rritje të infektimin në mosha të reja në një interval prej 70%" - tha Fico.

Rrezikun për një kufizim tjetër të orareve, Fico tha se ajo mund të ndikojë përkohësisht në uljen e shifrave por nuk është një zgjidhje përfundimtare.

"Nuk është çështje mbyllje, është gjëja më e lehtë. Mbylljet e herëpashershme mund të kenë ulur përkohësisht numrat, nuk ka qenë një zgjidhje përfundimtare. Plani ynë është vendosje masash të pranuar nga të gjithë. Ajo që ne duhet të bëjmë, është të përgjigjemi ndaj kësaj situate me seriozitet, si autoritetet shëndetësore, ashtu dhe qytetarët. Kur kjo të mbarojë, askush nuk do pyesë sa vetë u infektuan por sa persona humbën jetën" - tha Fico.

Ditën e sotme, në Shkodër u konfirmuan dy raste të infektimit për herë të dytë nga koronavirusi. Bëhet fjalë për 2 persona të moshës 40 dhe 50 vjeç.

Më herët, në konferencën për media, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ceku rastin e ri-infektimeve sipas së cilës janë shtuar rastet dhe dyshimet tha se bëhen fjalë për variantin e ri të COVID.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?