Shëndeti

Infermieri i ri Fabion Aliaj rrëfen pasionin për profesionin: Kam zgjedhur të qëndroj këtu, për të ndihmuar njerëzit!

5 Korrik, 23:02| Përditesimi: 5 Korrik, 23:04

  • Share

I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte Fabion Aliaj, një infermier i ri, i cili sapo ka përfunduar studimet e larta në fushën e infermierisë.

Në një intervistë të sinqertë dhe frymëzuese, ai ndau me publikun historinë e tij personale, pasionin e hershëm për këtë profesion fisnik dhe vendimin për të ndërtuar karrierën e tij në Shqipëri.Fabioni rrëfeu se dëshira për t'u bërë infermier ka lindur që në fëmijëri.

“Që i vogël e kam dashur këtë profesion. Më tërhiqte ideja për të ndihmuar njerëzit, për të qenë aty në momentet më delikate të jetës së tyre, kur kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe kujdes,” tha infermieri.

Ai foli gjithashtu për ndjesinë e përgjegjësisë që e shoqëron çdo ditë në këtë punë, duke theksuar rëndësinë e të qenit i përkushtuar, i saktë dhe i kujdesshëm në çdo veprim.

“Ky profesion nuk është vetëm një punë, është një mision. Gabimet nuk lejohen, sepse kemi të bëjmë me jetën e njerëzve,” u shpreh Fabioni.

Një nga momentet më të veçanta që ndau gjatë intervistës ishte rasti i pacientit të tij të parë: një person që kishte pësuar një pickim nga një bletë, duke përjetuar një reagim alergjik të rëndë që çoi në një situatë emergjente.

“Ishte hera ime e parë që përballesha me një rast të tillë dhe kuptova sa i rëndësishëm është reagimi i shpejtë dhe i saktë i një infermieri. Ai rast më dha më shumë besim dhe më bindi se jam në rrugën e duhur,”  kujtoi ai.

Fabioni ndau edhe arsyet që e çuan të marrë një vendim të rëndësishëm: të qëndrojë në Shqipëri dhe të mos largohet si shumë bashkëmoshatarë të tij që zgjedhin të emigrojnë për një jetë më të lehtë ekonomikisht.

“Kam zgjedhur të qëndroj këtu. Mendoj se ka më shumë vlerë të jap kontributin tim aty ku njerëzit kanë më shumë nevojë. Edhe pse sfidat janë të shumta, kënaqësia që merr kur ndihmon dikë është e pamatshme,” tha ai me bindje.

Në fund të intervistës, Fabioni foli edhe për përvojat e vështira që ka kaluar gjatë praktikave dhe punës së parë si infermier, duke përmendur traumat e shumta që ka hasur, sidomos gjatë periudhave të verës kur numri i aksidenteve rritet ndjeshëm.

“Ka raste që të mbeten në mendje për gjithë jetën, por çdo ngjarje të bën më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat që të presin në këtë profesion,” përfundoi ai.


Lajmi kryesor:

Mjekja Klodeta Grosha për Klinika 24: Ja si kuptojmë nëse vuajmë nga apnea e gjumit, shkaqet, simptomat dhe trajtimi


A.Q/E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?