Infertiliteti është një realitet gjithnjë e më i pranishëm në shoqërinë shqiptare. Sot, rreth 15-20% e çifteve përballen me vështirësi për të sjellë në jetë një fëmijë, një përqindje që po rritet gradualisht. Sipas drejtoreshës së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj, ky fenomen po ndikohet nga faktorë të ndryshëm nga mjekësorë dhe shoqërorë.
“Vihet re një rritje e ndjeshme e rasteve të infertilitetit, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Një nga faktorët kryesorë është shtyrja e moshës për shtatzëninë e parë, por edhe patologji të tjera si obeziteti, diabeti, hipertensioni, apo përdorimi i medikamenteve për patologji të tjera”, thotë Demaliaj.
Infertiliteti shfaqet më shpesh tek moshat mbi 30 vjeç. Megjithatë, kjo sfidë mund të prekë edhe çifte, pa ndonjë problematikë të dukshme.
“Zakonisht moshat mbi 30 vjeç vuajnë nga infertiliteti më shumë, mbi 40 akoma edhe më shumë, rritet incidence me rritjen e moshës. Infertiliteti mund të prek edhe një çift të shëndetshëm por që prapë nuk mund të arrijnë të kenë një shtatzëni”, vijon Demaliaj.
Infertiliteti, po shfaqet edhe pas lindjes së një fëmije. Megjithatë, Demaliaj thotë se çiftet nuk duhet të demoralizohen, pasi mjekësia moderne ofron mundësi të shumta.
“Pra mund të jetë që në fillim, mos të kenë arritur një shtatzëni apo mund të jetë sekondare, ku kanë një fëmijë por po tentojnë të zgjerojnë familjen e tyre me një fëmijë të dytë dhe kjo mund të jetë e pamundur për shkak të një shkaku.
Zgjidhja konservative apo kirurgjikale, në rastet se kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale janë të zgjidhshme si nga ana femerore ashtu edhe nga ana mashkullore nuk ka pse të ketë ndjenjë faji Brenda çiftit në rast të mos konceptimit të një shtatzënie. E para nuk është problem faji, e dyta mjekësia ka bërë të mundur zgjidhjen e problematikave në 90 për qind të tyre”, thekson ajo.
Përveçse në maternitetin “Kocco Gliozheni”, së shpejti pritet edhe hapja e Qendrës së Fekondimit in Vitro pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë".
“Së fundmi po behet edhe trajtimi prokreativ, pra qendrat e prokreacionit e asistuar po bëjnë të mundur të japin shërbimin e tyre mjekët edhe në sistemin publik. Sepse ne japim shërbimin më të mirë, më cilësor edhe sigurisht e mbuluar nga buxheti I shtetit”, shprehet Demaliaj.
Për drejtoreshën Demaliaj ndërgjegjësimi informimi dhe konsultimi i çifteve me mjekët për këtë sfidë të padukshme është i domosdoshëm.
Komente
