Rritja e punësimit dhe e pagave, po ulin nivelin e varfërisë në Shqipëri thotë Banka Botërore, por problem mbetet inflacioni. Sipas parashikimit të bërë varfëria këtë vit do të ulet me 1.3% krahasuar me vjet, dhe do të zbresë në 23.9%.
E përkthyer në shifra bazuar në të dhënat e INSTAT mbi numrin e popullsisë, rezulton se janë rreth 660 mijë individë që klasifikohen të varfër, e që shpenzojnë jo më shumë 6.8 dollarë në ditë për të përballuar jetesën. Për të përballuar shpenzimet mujore dhe shlyer faturat këta individë kanë në dispozicion rreth 210 dollarë.
Por perspektiva pozitive për uljen e varfërisë mund të përmbyset nëse do të përballemi me një rritje të mëtejshme të çmimeve, kryesisht të produkteve të shportës.
“Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë përbëjnë një rrezik të rëndësishëm për rritjen ekonomike, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të lartë të varfërisë, 23.9% dhe 23.6%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 17.9%, Mali i Zi me 16.4% dhe në fund Serbia me 8%. Edhe Banka e Shqipërisë në vrojtimin për gjendjen financiare të familjeve, thotë se për shkak të çmimeve shpenzimet janë rritur më shumë se të ardhurat.
VARFËRIA NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Shqipëri 23.9%
Kosovë 23.6%
Mali i Zi 16.4%
Maqedonia e Veriut 17.9%
Serbia 8%