Inflacioni i qëndrueshëm, por më i ulët se në vendet e BE! Shtrenjtohet argëtimi e shërbimi arsimor

17 Maj, 16:27| Përditesimi: 17 Maj, 16:29

  • Share

Inflacioni në muajin prill, i matur me metodën e Eurostat, ishte më i ulët se në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas raportit të INSTAT, inflacioni në Prill ishte 2.4%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 2.6%. 

Në muajin e kaluar sipas raportit rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar tek argëtimi e kultura me 4.5%, ndjekur nga shërbimi arsimor me 3.9%, më pas renditen “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,3 %, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,9 % secila, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,8 %, “Shëndeti” me 2,5 % , “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0 %, “Transporti” me 0,6 % dhe “Komunikimi” me 0,1 %.

Me këto të dhëna EUROSTAT e klasifikon Shqipërinë në vendin e 23 mes 31 shteteve me çmimet më të larta, duke lënë pas Zvicrën, Italinë apo Danimarkën. Ndërsa shtetet me normën e inflacionit më të lartë se mesatarja e BE, janë 14 shtete mes tyre inflacioni më i lartë me mbi 6% është në Rumani, dhe ndiqet nga Belgjika, Kroacia, Islanda deri tek Sllovenia.

Këtë rënie të çmimeve më shumë se në BE, Banka e Shqipërisë e argumenton me tkurrjen e inflacionit tek produktet ushqimore.

“Inflacioni në vend vijoi trendin rënës, duke përshpejtuar ritmin në tremujorin e parë të vitit 2024. Inflacioni zbriti në nivelin mesatar prej 2.7% në këtë tremujor, nga niveli 3.9% i regjistruar në tremujorin paraardhës. Rënia e tij u shkaktua më së shumti nga ulja e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore. Kjo pasqyroi një ecuri të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, por efekti i saj në Shqipëri ishte më i madh, si pasojë e peshës së lartë të ushqimeve në shportën tonë të konsumit. Efekti rënës i kësaj goditjeje të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm edhe gjatë periudhës në vijim, por të mbetet gjithsesi kalimtar. Nga ana tjetër, rënia e inflacionit në kategoritë e tjera të shportës ka qenë më e ngadaltë”, thotë Banka e Shqipërisë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?