Marsi ishte muaji më i shtrenjtë për familjet shqiptare në 20 vitet e fundit. INSTAT raporton se në muajin e kaluar inflacioni arriti në 5.7% duke dëshmuar për një rritje të fortë të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, edhe si pasojë nga lufta në Ukrainë.
Rritja e çmimeve është ndikuar më shumë nga shtrenjtimi i karburantit, ushqimeve dhe pijeve alkoolike e duhanit. Vetëm produktet e shportës sipas INSTAT janë shtrenjtuar me 9.3% në raport me vitin e kaluar, duke regjistruar nivelin më të lartë historik.
Ashtu siç edhe pritej rritja më e lartë e çmimeve është vrenjtur tek vaji dhe yndyra me 22.4%.
Shtrenjtimi i vajit u vu re menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ku nëpër markete një 1 litër vaj arriti deri në 400 lekë. Kjo për shkak se 80% e furnizimit të Shqipërisë me këtë produkt garantohet nga Rusia e Ukraina.
Me 15.8% u shtrenjtua edhe buka e drithërat në mars, kjo si pasojë e rritjes së kostove të importit. Më pas sipas INSTAT janë rritur çmimet zarzavateve me 10,5%, të qumështit, djathit dhe vezëve me 10,3%, të sheqerit, reçelit, mjaltit, çokollata dhe ëmbëlsira u shtrenjtuan me 10,2 % dhe çmimi i mishit u rrit me 7,1 %.
Ky shtrenjtim i produkteve të shportës ka rritur menjëherë kostot e jetesës të qytetarëve, të cilët përpara krizës së çmimeve harxhonin 42% të buxhetit të tyre për ushqime. Ndërkohë sa i takon karburantit, në krahasim me marsin e 2021, është shtrenjtuar me 19.9%.
Rritja galopante e çmimeve bëri që qeveria të ngre dy borde atë të karburantit dhe të produkteve të shportës për të caktuar çmimet dhe marzhet e fitimit me qëllim shmangien e abuzimit nga tregtarët.
(Klikoni këtu për të lexuar dokumentin)