Foto ilustruese

Ekonomi

Inflacioni në muajin dhjetor 2.1%, shtrenjtimi i çmimeve dominon rritjen e kostove të jetesës! INSTAT: Krahasuar me 2023, inflacioni u ul nga 4.8% në 2.2% për 2024-ën

10 Janar, 12:19| Përditesimi: 10 Janar, 12:26

  • Share

TIRANË - Në muajin dhjetor 2024, inflacioni regjistroi një nivel prej 2.1%, sipas të dhënave të INSTAT. Pavarësisht uljes së përgjithshme krahasuar me një vit më parë, kur inflacioni mesatar ishte 4.8% në 2023, ushqimet vazhdojnë të mbeten kategoria kryesore që ndikon në rritjen e kostove të jetesës.

Për gjithë vitin 2024, inflacioni mesatar u ul ndjeshëm në 2.2%, duke reflektuar një stabilizim të çmimeve në treg. Megjithatë, ndikimi i produkteve ushqimore, si pjesa më e rëndësishme e shportës së konsumit, mbetet i ndjeshëm për buxhetet familjare.

Ky stabilizim i inflacionit është një tregues pozitiv për ekonominë, por sfida e përballimit të kostove të jetesës për qytetarët, veçanërisht në aspektin e çmimeve të ushqimeve, mbetet e pranishme.

Çmimet u rritën kryesisht në grupet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, mobiljeve dhe mirëmbajtjes së shtëpisë, si dhe pijeve alkoolike dhe duhanit, ndërsa grupi i transportit shënoi një ulje prej 2.8%. Ushqimet si zarzavatet, mishi dhe peshku pësuan rritje të ndjeshme, duke mbetur ndër faktorët kryesorë që ndikuan në shtrenjtimin e kostove të jetesës. Krahasuar me muajin Nëntor, çmimet u rritën me 0.6%, duke reflektuar një presion të vazhdueshëm mbi shpenzimet e përditshme.

Raporti i INSTAT: 

Tiranë, më 10 Janar 2025: Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2024, arriti 118,3, kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2024 është 2,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,0 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2024, krahasuar me Nëntor 2024 është 0,6 %. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2024 është 2,2 % nga 4,8 % që ishte në vitin 2023.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,32 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me +0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,18 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,10pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Transporti” me -0,18 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 5,6 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” me 3,8 % secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,5 %, “Komunikimi” me 1,2 %, “Shëndeti” me 1,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,8 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 2,8 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “mish” me 4,3 %, “peshk” dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5 % secili, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 1,6 %, etj. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2024, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënuan rritje me 1,1 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,0 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,9 %, “Transporti” me 0,6 %, “Komunikimi” me 0,4 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1 %.

(Kliko këtu për të lexuar Dokumentin e plote)

G.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi: 10/01/2025 13:05

    Kur do ndihet ne xhepat e qytetarëve? Ku do kemi dhe ne mundësinë te bëjmë mln euro si ministrat?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?