Ekonomi

Inflacioni në shkurt 1.9%, vijon shtrenjtimi i ushqimeve! Tkurret numri i bagëtive, shtrenjtohet mishi dhe bulmeti

10 Mars, 14:58| Përditesimi: 10 Mars, 16:59

  • Share

Ushqimet po na kushtojnë më shumë se vjet. Edhe pse INSTAT raporton për ulje të inflacionit në 1.9% që është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, përsëri shporta nuk e ndal shtrenjtimin.

Në muajin shkurt ushqimet dhanë kontributin më të madh me 0.97% në rritjen e inflacionit, ndjekur nga mobilimi i shtëpisë dhe pijet alkoolike.

Në raport me shkurtin e vitit të kaluar ushqimet janë shtrenjtuar me 4.5%, dhe rritja më e lartë është regjistruar tek produktet e mishit, zarzavatet dhe bulmeti.

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “mish” patën një rritje me 4%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 3,2%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,7 %, “peshk” me 1,1%”, thuhet në raportin e INSTAT.

Sipas ekspertëve tkurrja e numrit të bagëtive por edhe rënia e sektorit të bujqësisë po ndikon në shtrenjtimin e produkteve kryesore të shportës.

Ndërkohë në muajin e kaluar shtrenjtim kanë pasur thuajse të gjitha grupet e mallrave, me përjashtim të transportit, pasi ra lehtë edhe çmimi i naftës bruto në tregun e huaj.

Çmimet për argëtimin dhe kulturën u rritën me 6.5%, ndikuar edhe prej festave të shkurtit që simbolizon muajin e dashurisë. Po ashtu u shtrenjtuan me 2.8% veshjet dhe këpucët, me 1.8% baret e restorantet e deri tek çmimet e qirave që u rritën me 0.4%.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?